Rama nxjerr shkrimin e “Le Figaro”, ja çfarë shkruan për Shqipërinë

Feb 13, 2018 | 14:15
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur si urim miremengjesi per sot, nje artikull nga e madhja franceze “Le Figaro”, kushtuar vreshtave shqiptare.

“MIRËMËNGJES ?dhe me këtë artikull të së madhes franceze “Le Figaro” për vreshtat shqiptare, ju uroj një ditë të mbarë ?”- shkruan Rama.

ram

Shkrimi ne median franceze

Para se të mbërrij në Shqipëri, i bëj vetes 1 001 pyetje për vendin. Kujt i ngjan ai? Si do të pritemi? A janë rrugët në gjendje të mirë për kampingun tonë? Si është cilësia e verërave?

Kaq shumë pyetje që më shtonin më shumë se kurrë dëshirën për të eksploruar këtë destinacion enigmatik të Ballkanit që njihet për prodhimin e verës, që kufizohet me Malin e Zi dhe Kosovën në veri, Maqedoninë në lindje dhe Greqinë në jug.

Me male të mrekullueshme të thepisura dhe të mbuluara me dëborë, me fshatra të gjelbëruar, me plazhe piktoreske dhe me qytete plot jetë, Shqipëria është një kartolinë që duhet zbuluar menjëherë.

Për dashamirësit e verës, varietet e shumta të rrushit autokton, vreshta prej 10 000 hektarësh dhe tradita mijëravjeçare mrekullon dhe më kuriozët. Zbulim.

2800 vjet vreshtari

Mbërritur në Shqipëri në mbrëmje, pas një kontrolli në kufi prej më shumë se dy orësh, lodhja ndihet në kamping. Ne vendosëm të ecnim edhe disa kilometra dhe të ndalonim pas Shkodrës, qyteti kryesor i zonës.

Papritur, në qendër të qytetit, ndërkohë që ne po ecnim pa pengesa në dy korsi të ndara nga një platformë e ngritur, shfaqet nga asgjëja një kalë i bardhë, duke ecur në krah të kundërt mbi asfalt. Me një refleks të mirë, ne shmangëm kafshën nga e keqja. Momenti është surrealist!

Për të larguar emocionet tona, ndalojmë për të darkuar dhe duke përfituar nga kjo për të mësuar më shumë për historinë e vreshtarisë së vendit. E habitshme. Vreshtaria ishte zhvilluar aty që prej shekullit VIII para Jezu Krishtit, në bazë të varieteteve të shumta të rrushit autokton që kishin rezistuar në epokën e akullt duke e bërë Shqipërinë një prej vendeve më të vjetra të prodhimit të verës në Europë.

Gjatë shekullit XVII, prodhimi i verës u ngadalësua nën influencën e Islamit, për shkak të uljes së konsumit të pijeve alkoolike.

Do të duhej të pritej viti 1972, gjatë dominimit komunist, për të parë prodhimin e verës shqiptare të arrijë kulmin , me 20 000 hektarë.

Në fillim të viteve ’90 u krijua një institut kërkimi dhe një program për privatizimin e tokave të vreshtarive u vendos për të modernizuar prodhimin e vreshtarive, për të rritur varietetet e rrushit vendas dhe për të vendosur një ekonomi tregu.

Fillimi i një epoke të re për vreshtarinë shqiptare dhe premtimi për zbulime të bukura.

Kantina ”Arbri”, simbol i ringjalljes së vreshtarisë shqiptare

Sapo mbërritëm në Mirditë, një vend me 40 000 banorë në veri të vendit, ne u pritëm shumë ngrohtë nga banorët, me buzëqeshje të shumta dhe shenja duarsh.

Kampingu është një atraksion këtu. Disa afrohen. Të tjerë ruajnë distancën. Të gjithë duken kuriozë.

Mirësevini në fermën ”Arbri”. Me 25 hektarë, që ndodhet 396-640 metra mbi nivelin e detit, kjo vreshtari familjare është trashëguar në tre breza për prodhimin e verës.

Klima e rajonit, mes nxehtësisë së diellit mesdhetar dhe netëve të freskëta malore, të mundëson të punosh me saktësi dy variete rrushi autokton, Kallmet (i kuq) dhe Shesh i Bardhë.

“Gjyshi im, i cili kishte filluar mbjelljen në vitet ’20 u detyrua të ndalonte gjatë komunizmit shqiptar për shkak të kolektivizimit të vreshtave nga qeveria”, na tregon Rigers, nipi i tij.

Në vitin 1991, pasi vendi rifitoi pavarësinë, Fran Kaçorri, babai i tij, pati kurajo të rihapte fermën ”Arbri” dhe të riniste nga zeroja.

Një histori e bukur, në të cilën përfshihet sot Rigers, si enolog.

Për histori, Mirdita, që është sigurisht zona më katolike e Shqipërisë, pranoi në vitin 2014 vizitën e papa Françeskut, i cili erdhi për të vizituar kantinën ”Arbri” dhe degustoi disa verëra. Gral i Shenjtë për fermën.

Kantina ”Bardha”, historia e pabesueshme e suksesit (amerikan)

Sigurisht, vreshtaria shqiptare nuk resht së befasuari. Në pjesën qendrore-perëndimore të vendit, mbi fshatin Marikaj, ndodhet ferma ”Bardha”. Një shtëpi e mahnitshme me arkitekturë italiane, e vendosur 400 metra mbi nivelin e detit, ku rriten varietetet e rrushit autokton mavrud, Shesh i Zi dhe Shesh i Bardhë.

Kjo fermë, është ëndRra e Ekrem Bardhas. Pasi i është dashur të emigrojë në SHBA për shkak të regjimit komunist në vitet ’50, në atë kohë me profesion berber, ai iu fut aventurës së McDonald.

Me një ndjenjë të jashtëzakonshme biznesi, ky autodidakt i palodhur është sot në krye të një perandorie të vogël (18 licensime!).

Ëndrra e tij më e madhe e asaj kohe, të kthehej në Shqipëri menjëherë pasi vendi të rifitonte pavarësinë dhe të krijonte një vresht në tokat e fëmijërisë.

Kështu lindi Kantina KKBardha”, një vreshtë e magjishme, e mbjellë në kodër, ku pulat enden të qeta mes rreshtave të rrushit.

Me jo më pak se 300 ditë diell në vit dhe tokat minerale, klima unike e rajonit jep për verërat një ekuilibër shumë të mirë mes aciditetit dhe antocianes (antioksidant të jashtëzakonshëm natyrorë!). Ne e kemi adhuruar.

Shëtitje në vreshta

Mirësevini në fermën ”Kokomani”, një vreshtë krijuar në vitin 2008, me bukuri të paparë.

Mes Tiranës dhe Durrësit, ajo ndodhet mbi malet përreth duke ofruar një pamje panoramike që të lë pa frymë. Në kohë të mirë mund të shikosh nga aty edhe detin.

Vend ideal për turistët, të cilët kërkojnë të zbulojnë bukuritë e këtij vendi duke degustuar verërat lokale.

Takimi me Blerim Kokomanin, vreshtar, i cili punoi në Itali për 13 vjet përkrah të njohurit Andrea Franchetti, para se të rikthehej në Shqipëri dhe të krijonte fermën ”Kokomani”.

Ky “dashnor i natyrës”, ashtu si dëshiron ta cilësojnë bashkëshortja dhe vajza e tij, kultivon në mënyrë biologjike vreshtat e tij.

Ujitja dhe pesticidet nuk janë të domosdoshme këtu!

Pasi shijojmë ushqimin tradcional të restorantit të fermës, ne përfundojmë me një vizitë epike prej 20 hektarësh mbi një gomar!

Një shëtitje epike, gjatë të cilës ne përfitojmë kohë për të admiruar natyrën e egër rreth nesh.

Sepse këto janë toka minerare dhe lymishta të vjetra detare, që rrisin këto dy varietete të rrushit emblematik të Shqipërisë, Shesh i Bardhë dhe Shesh i Zi, me origjinë nga fshati Shesh.

Një vreshtari që ka ditur të ringrihet nga komunizmi

Të mos harrojmë që vreshti shqiptar u rikthye. Në shekullin e kaluar, me daljen nga regjimi komunist, atij iu desh ta rindërtonte nga zero. Kështu dëshmon ferma ”Çobo”, në Urën Vajgurore, në jug të vendit, që ne kemi pasur kënaqësinë ta vizitojmë.

”Pavarësisht traditës së hershme në prodhimin e verës që daton në fillim të viteve 1900, familja ime, ashtu si shumë ferma të tjera në mbarë Shqipërinë, u detyruan të ndërpresin prodhimin kur regjimi komunist mori pushtetin në vitin 1945. Sipërmarrjet private nuk u lejuan të zhvillojnë aktivitetin e tyre, ndërsa kantina Çobo pushoi së qëni e tillë”, na tregon Muharrem Çobo.

Gjatë kësaj periudhe, traditat për prodhimin e verës u zhdukën. Dhe vetëm në sajë të kujtimeve dhe historive të transmetuara nga anëtarët e familjes, ferma ”Çobo” mundi të rilindë, pas vendosjes së demokracisë shqiptare në vitin 1991.

“Ne kemi rikthyer traditën dhe jemi krenarë që po ringjallim Çobon, nëpërmjet vreshtarisë, kantinës dhe verës tonë që prodhojmë.

Sot, vreshti i Çobos, që ndodhet në tarracat mbi kodrat përreth, është padyshim një prej vendeve më të bukura të prodhimit të verës në vend.

Dhe lojërat e dritës që e mbulojnë këtë pasdite vetëm e sublimojnë akoma më shumë.

Gjatë rrugës, tashmë di që do të më duhet të rikthehem. Ky udhëtim më ka prekur dhe duhet të them që ndjehem i mrekulluar.

Përulësia dhe mirësia e njerëzve është befasuese./( Nga Jean-Baptiste Ancelot) /ATSH

http://avis-vin.lefigaro.fr/vins-du-monde/carnet-de-voyage/o134569-lalbanie-lun-des-plus-vieux-vignobles-deurope

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura