Rama nxjerr deputetët në bazë për ‘dialog të ri me Shqipërinë’. I përgjigjet PD-së për Berishën

Apr 25, 2016 | 13:24
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur për herë të parë grupin parlamentar pas përfundimit të zgjedhjeve dhe plotësimit të kryesisë së re.

rama me grupin e PS

Mbledhjen ai e nisi me një falënderim të dytë brenda pak ditësh për Namik Doklen, i cili nuk pranoi të ishte më në kryesi, duke i hapur rrugë të rinjve.

Por në mbledhjen e sotme Rama kërkoi nisjen e dialogut të ri me Shqipërinë, duke renditur edhe disa nga reformat, që sipas tij janë bërë këto 3 vjet.

“Falënderoj për atë që ka dhënë në 25 vjet, shokun tonë Namik Dokle, edhe pse i hapi rrugën më të rinjve. Mirëpres me shumë respekt përzgjedhjen e bërë nga Asambleja Kombëtare. Puna e Kryesisë do të nisë të hënën e ardhshme pasi është përgatitur mbledhja e çeljes. Ne nuk duhet të humbasim asnjë minutë me vijimin e anëtarësimeve të reja, si dhe me dialogun e ri me Shqipërinë”, u shpreh Rama.

Sipas tij “kemi hapur gjatë këtij mandati kantierin më të madh të reformave dhe kemi nisur punën më serioze për të bërë shtet. Kemi bërë reformë të pronës me një zgjidhje konkrete pas një çerek shekulli premisa vetëm për më shumë ngatërresa. Kemi bërë reformë të sistemit fiskal për të vendosur ekonominë në ekuilibër dhe për ti hapur rrugë rritjes ekonomike. Kemi bërë reformë në sistemin energjetik për të kaluar nga një sistem i falimentuar, në një sistem që krijon kushtet për të gjeneruar mirëqenie”.

Rama iu përgjigj gjithashtu vendimit të PD-së për të bojkotuar Kuvendin për 10 ditë.

“Sot marr një tjetër fakt në zinxhirin e fakteve që e bëjnë gjithnjë e më të qartë mungesën e vullnetit të PD për të bërë reformën në drejtësi në kohën e duhur dhe me thellësinë e nevojshme. Masës së drejtë të marrë nga Kuvendi brenda mundësive institucionale sipas rregullores së Kuvendit për të mos lejuar për 10 ditë atë që bëri thirrje për marrjen e armëve, PD iu përgjigj me bojkot 10 ditë pra me solidaritet të plotë me thirrjen merrni armët që të mbrohemi nga reforma në drejtësi”, u shpreh Rama.

Sipas tij “nga ana tjetër e gjithë përpjekja për të kriminalizuar qeverisjen, çdo reformë, vendim, veprim, çdo gjë që qeveria bën apo ndërton i është shtuar edhe nevoja e brendshme gjithmonë e më therëse për të penguar me çdo kusht reformën në drejtësi, ndaj edhe intensiteti i tensionit artificial rritet, dhe alibitë bëhen të dëshpëruara”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura