“Rama nuk ka vullnet për dialog dhe as nuk i qëndron marrëveshjeve”- Presidenti Meta: Opozita po provokohet për…

Jul 28, 2020 | 21:09
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se opozita po provokohet për t’u larguar nga tryeza e Këshillit Politik.

ilir meta

Sipas Metës, kreu i mazhorancës aktuale nuk ka vullnet për dialog politik dhe as nuk i qëndron marrëveshjeve që ka nënshkruar vetë.

“Opozita nuk duhet të provokohet për t’u larguar nga tryeza e këshillit politik. Duhet të jetë e vendosur dhe të bëjë detyrën e saj ndaj vendit. Është e qartë që ka patur dhe ka synime për ta provokuar opozitën për ta nxjerrë nga tryeza. Për fat të keq, opozita ka rënë pre si djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore.

Për fat të keq, lideri i mazhorancës aktuale nuk ka vullnetin as për dialog të vërtetë politik dhe as për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe as për t’i qëndruar marrëveshjeve që vetë ka firmosur. Opozita duhet të jetë e vendosur për të mos mbajtur asnjë përgjegjësi për çdo situatë të paparashikueshme që del nga shinat antikushtetuese”, theksoi Meta në “Syri.tv”.

Presidenti bëri thirrje që të hetohet deri në fund dosja 339, në të kundërt siç tha ai, do të hetohet pas zgjedhjeve të ardhshme.

Kjo është një dosje që duhet të ishte shterruar me kohë nga Prokuroria përfshirë edhe me SPAK-un sepse ka qenë një kërkesë e Bundestagut dhe Bashkimit Evropian. Jam 100% dakord me vlerësimin që ka bërë ish-Presidenti Nishani sot. Kjo nuk është një çështje thjesht komisionerësh, apo administrate zgjedhore, por kjo është një çështje e krimit të organizuar e përfshirë në përmbysje të rezultateve elektorale.

Priten rezultate në këtë drejtim dhe nëse këto rezultate nuk do të vijnë deri në zgjedhjet e ardhshme, këto dosje do të hetohen pas zgjedhjeve të ardhshme. Ua bëj të qartë të gjithë banditëve të mos ofrojnë shërbime për forcat politike pasi ka nisur monitorimi për të gjithë bandat në Shqipëri. I bëj thirrje drejtuesve të policisë së shtetit dhe institucioneve të drejtësisë të godasin pa mëshirë elementët kriminalë që do të tentojnë të ofrojnë shërbime politike dhe elektorale”, shtoi Presidenti.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura