Akuza e Doshit, Rama: S’ka përpjekje për të vrarë deputetin, por farsë me aktor që luan rol

Mar 6, 2015 | 7:20
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama e cilësoi historinë e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Tom Doshit një farsë dhe një aktrim nga ana e personit që e tregon. I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Rama tha se pas hetimit të policisë rezultoi se skenari për vrasjen e dy deputetëve, Doshi dhe Fufi, është i pabazë.

Kryeministri Rama ne “Opinion”

Zoti Rama, a është normale që ministri i Brendshëm del nga zyra e vet dhe takohet me një deputet në një vilë qeveritare dhe nuk e pret në zyrë? Është normale kjo?
Çdo deputet mund të shfaqet në derën e ministrit të Brendshëm bashkë me një person dhe mund të pretendojë këtë histori. Ministri i Brendshëm e pret, në prani në drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i ofron të gjitha instrumentet ligjore.

Por jo në praninë e oficerëve të Policisë Ligjore?
Sepse deputeti ka refuzuar praninë e oficerëve të Policisë Ligjore dhe ka refuzuar të japë dëshmi dhe është kërkuar të ndiqet rruga e njohur ligjore, për të marrë në mbrojtje të penduarin, por ajo çka ne kemi marrë vesh qysh në krye të herës, është se kjo ka qenë një bisedë kot. Kjo është një farsë, e cila se kush e ka organizuar dhe për çfarë është organizuar këtë duhet ta shmangë Prokuroria. Për sa na takon, qysh në krye të herës, për ekspertët e policisë që kanë ndjekur çështjen, nuk ka pasur një përpjekje për të eliminuar deputetët.

Një vrasës me pagesë, që deklaron se ka marrë para për të vrarë dikë tjetër, ju duket normale kjo?
Edhe një herë po jua përsëris, deputetët, personat publikë, mund të shfaqen në derën e ministrit të Brendshëm me një person tjetër.

Është shfaqur me një vrasës me pagesë...
Jo, ai është shfaqur me një aktor, i cili është futur në një rol dhe faktikisht ministri i Brendshëm, i shqetësuar, ka ngarkuar policinë për ta trajtuar çështjen dhe policia arriti në konkluzionin se ky është një aktrim. Policia ka ndjekur në bazë të indicieve të marra hap pas hapi të gjithë rrugën e treguar nga indiciet dhe arriti në konkluzionin që tha dhe ministri i Brendshëm, se kjo nuk është një përpjekje për të vrarë deputetin. Që në momentet e para është njoftuar prokurori i Përgjithshëm dhe nga ana e tij i ka kërkuar deputetit të kallëzojë në rrugë ligjore. Edhe ai ka pasur opinionin se kjo ishte një çështje që duhej trajtuar ligjërisht si një proces hetimor.

Përse ministri i Brendshëm nuk ka informuar prokurorin e Përgjithshëm?
Ministri i Brendshëm ka informuar menjëherë prokurorin e Përgjithshëm, kryetarin e Kuvendit dhe mua në mënyrë të vazhdueshme, ashtu siç ka mbajtur kontakt të vazhdueshëm për gjithë ecurinë edhe prokurorin e Përgjithshëm.

Dhe vrasësi… një person që pretendon se ka marrë para për të vrarë?
Nuk ka vrasës Fevzi, sepse nesër mund të dalë një aktor tjetër, me një shpifje tjetër, në një shtëpi tjetër që mund të thotë se paguesi jam unë, Sandri apo kushdo tjetër. Çfarë do bëjmë ne, do ngrihet e gjithë shoqëria në këmbë?!

Çfarë keni biseduar ju me ministrin e Brendshëm dhe prokurorin e Përgjithshëm pasi çështja u bë publike?
Unë prokurorit të Përgjithshëm i kam kërkuar me këmbëngulje që çështja të zbardhet dhe e vërteta të dalë në dritën e diellit, duke pasur tanimë jo një person që aktron, por një person i cili është ndaluar dhe është marrë në pyetje pas një denoncimi publik të një deputeti, kur tha se dëshmitarit të tij i është vënë eksploziv. 

 

 Përse u mbajt e fshehtë për 6 muaj kjo çështje? Nuk ka pasur asnjë njoftim?
Nuk ka pasur çështje, është e thjeshtë. Nuk ka të fshehtë, sepse ajo që u tha, u hetua dhe doli e pabazë.

A kishte ai një ide se çfarë arsyesh kishin ata që donin ta vrisnin?
Çfarë rëndësie ka kjo. Duhet sqaruar se deputeti është përjashtuar nga Partia Socialiste jo për këtë çështje. Jam përpjekur ta bind që kjo histori nuk ka bazë faktike dhe se është e kotë që të përpiqet ta nxjerrë si të vërtetë një të vërtetë imagjinare dhe ende sot nuk arrij dot, unë vetë, dhe shpresoj të dalë nga hetimet. Të kuptoj nëse ka qenë i mbërthyer nga paranoja se kjo gjë do të ndodhte vërtet, apo ka qenë pjesë e kësaj farse.

A keni folur me Ilir Metën për këtë çështje?
Sigurisht, që në momentet e para kur e kemi marrë vesh. Kemi komunikuar dhe kemi qenë të shqetësuar në fillim. Dhe e kemi ndjekur me shqetësim çështjen derisa na është thënë nga policia se nuk ka asnjë bazë reale dhe këta persona, që nuk i përkasin le të themi kampit tonë, por përgjithësisht persona që vijnë nga kampi tjetër, nuk kanë bërë një organizim të tillë. Tani përfshirja e këtyre personave është reale në formën e përfshirjes për të nxitur këtë proces, jo për të vrarë, por për të nxitur këtë proces duke krijuar idenë e vrasjes dhe këtë zallamahi, apo është një përfshirje imagjinare, këtë gjë do ta vërtetojë hetimi. Në këndvështrimin tim sot, duket qartë se kush do të ishin të interesuar për këtë farsë. Sot, dhe në Parlament u duk qartë se kush do të ishin të interesuar për këtë farsë, sepse nuk ka mendje logjike në botë dhe për më tepër pastaj, mendje politike në botë, që të besojë në një farsë të tillë, që ta marrë për të mirëqenë dhe ta kthejë në një akuzë për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit.

A u përjashtua Tom Doshi nga Grupi Parlamentar i PSsë apo iku vetë?
Arsyet e përjashtimit të deputetit nuk kanë lidhje me çfarë erdhi më pas, por kanë lidhje me një vazhdë qëndrimesh të papranueshme brenda gjirit të PS dhe të Grupit Parlamentar në shkelje të kontratës sonë të bashkëjetesës, e cila nuk mund të pranojë deputetë që marrin përsipër t’i shpallin luftë qeverisë, t’i thonë publikut se janë në luftë me qeverinë dhe se qeveria po bën këtë dhe po bën atë dhe se do t’i tundim leqet maxhorancës. I dhamë mundësi të shkojë dhe të vërtetojë ato akuza që adresoi.

Kishit kohë që ishit prishur me zotin Doshi, se ju keni qenë njerëz të afërt mes jush?
Nuk është këtu çështje marrëdhëniesh mes nesh. Për mua njerëzit në Grupin Parlamentar të PS janë njerëz të afërt. Për mua është e qartë dhe e prerë: shoqëria është shoqëri dhe puna është punë. Nëse këto dy gjëra nuk përputhen me njëra-tjetrën, nuk prishet puna, por prishet shoqëria.

Çfarë komenti keni për deklaratën e Blushit që tha se ishte një histori mes dy shokësh….dhe nuk u prish për arsye politike?
Ky është një koment dhe unë nuk bëj koment mbi komentet.

Cili ka qenë roli i Tom Doshit në protestën e 21 janarit?
Ai që është i ditur publikisht. Zoti Doshi ka dhënë dëshminë e tij në prokurori për 21 janarin. Nëse ka të reja, mund të vazhdojë t’i dëshmojë.

Çfarë përgjigje keni për opinionin e Ben Blushit për reformat tuaja dhe mungesën e besimit të të varfërve ndaj këtyre reformave?
Është një opinion legjitim, të cilin unë nuk e ndaj. Thjesht fare.

Pra shqiptarët nuk janë më të varfër?
Jo, nuk ka asnjë indikacion dhe asnjë të dhënë për këtë. Sot shifra e rritjes së konsumit në Shqipëri tregon se shqiptarët blejnë më shumë.

Presidenti Nishani është shprehur se në një bisedë telefonike që kishte të bënte me dekretimin e zotit Zhiti për ambasador, keni përdorur tone të papranueshme. A është e lejueshme që të silleni me këtë mënyrë me Presidentin?
Unë për Presidentin e Republikës, në respekt të institucionit, jo të personit, sepse personi është kalimtar, nuk komentoj Presidentin e Republikës në publik.

E keni fyer në telefon?
Nuk bëj komente në publik, por ju them se as e kam fyer, as e kam ofenduar, nuk i kam bërë asgjë të ngjashme me çfarë personi në fjalë, jo Presidenti, mund të ketë dëgjuar në karrierën e vet nga kryetari i vet. Ka ndodhur biseda, por kam thënë atë që mendoj siç ia kam thënë gjithmonë, drejtpërdrejt, pa dorashka, sepse i kam thënë që marrëdhënia mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit në këtë vend janë degjeneruar në një pikë të paimagjinueshëm nga paraardhësi im dhe unë dua t’i kthej në nivelin që i takon. Marrëdhëniet me Presidentin nuk janë thashetheme grash të papuna dhe pa burra nëpër parukeri. Unë nuk hyj në këtë kategori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura