Rama: Ballkani në BE për të penguar ekstremizmin islamik

Mar 1, 2015 | 6:59
SHPËRNDAJE

UPDATE/ “Bashkimi Europian duhet të nxitojë me procesin e integrimit të Ballkanit edhe për të parandaluar ekstremizmin islam”.

Gjatë ceremonisë së promovimit të librit të tij “Kurban”, të përkthyer në rumanisht, Kryeministri Rama është pyetur nga publiku i gjerë rreth harmonisë fetare në Shqipëri. Kryeministri foli për rastin e shqiptarëve në Ballkan, si shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare.

Rama ne Rumani

Ai e përcaktoi përshkallëzimin e radikalizmit islamik në zona ku është shfaqur i ashtuquajturi Shteti Islamik si kërcënimin më serioz, Kryeministri nënvizoi se përshpejtimi i integrimit europian i vendeve të rajonit, është përgjigja e duhur ndaj tij.

“Sfida jonë ka qenë dhe mbetet që ta jetojmë këtë realitet jo si një problem, por si një mundësi për të bashkë- jetuar me të tjerët, pa i ndjerë kufijtë si pengesë. Prandaj, unë jam shumë i shqetësuar dhe ne jemi shumë të shqetë- suar nga ajo që po ndodh në zonat ku është shfaqur i ashtuquajturi Shteti Islamik, që përfaqëson një përshkallëzim ekstrem të radikalizmit islam. Ne mendojmë që ai përshkallëzim është një arsye shumë e fortë për Europën dhe për Bashkimin Europian që këtë diversitet fetar që është në Ballkan ta marrë në mbrojtje sa më shpejt, duke e përshpejtuar procesin e integrimit, duke mos bërë politika që janë taktike dhe nuk kanë asgjë strategjike në raport me vendet e Ballkanit. Sepse, nëse largqoftë, ekstremizmi islam do të gjente rrugë për t’u kthyer në një nacionalizëm fetar në formën e një lëvizjeje brenda Ballkanit, do të ishte fundi i kësaj që kemi sot”, u shpreh Rama.

Hezitimi i BE-së për zgjerim ndaj vendeve të Ballkanit, sipas Ramës, i krijon terren veprimi radikalizmit islam.

“Islami radikal e gjen më të lehtë që të penetrojë në territorin psikologjik të frustracionit nga hezitimi i BE-së për të vepruar me shpejtësi dhe për të na tërhequr më shpejt brenda. Radikalizmi islam vepron pikërisht në këtë territor, duke përçuar idenë se Europa nuk është rruga jonë, pasi Europa është një klub kristian dhe për këtë arsye Europa është hezituese ndaj nesh,” u shpreh Kryeministri. Sipas tij, nëse sot rajoni është në paqe, kjo sepse të gjithë janë të tërhequr nga ëndrra e Europës. Kryeministri ritheksoi se BE është qëllimi dhe destinacioni i Shqipërisë. 

“Për Shqipërinë dhe rajonin unë e shikoj Bashkimin Europian të domosdoshëm për të përballuar këto sfida. Mendoni për forcat që kanë frikësuar Europën, nacionalizmi, terrorizmi, racizmi, ksenofobia. Së bashku ne mund t’i luftojmë ata, së bashku mund të krijojmë hapësirën për një shumëllojshmëri kulturash, besimesh dhe identitetesh që jetojnë krah për krah”, u shpreh Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura