Rama, në konflikt me të gjithë kryeministrat e Kosovës. Gjyqi me Haradinaj dhe përplasja me Kurtin, raporte të mira vetëm me…

Nov 13, 2019 | 11:40
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama duket se është në situatë konfliktuale me të gjithë kryeministrat e Kosovës, përveç Hashim Thaçit, dikur Kryeministër e sot President.

haradinajrama1

Pak ditë më parë, nga samiti i Ohrit, Rama iu përgjigj ish-Kryeministrit, Isa Mustafa, në lidhje me MiniShengenin Ballkanik, të cilin Mustafa e kishte cilësuar kthim në ish-Jugosllavi.

“Kam respekt për Isa Mustafën, jam befasuar nga opinioni i tij dhe ka të drejtë të ketë opinion ndryshe nga unë. Të më thuash mua se Shengeni Ballkanik çon në një Jugosllavi të re, nuk e kuptoj. Unë nuk kam asnjë lidhje me ishJugosllavinë, kam vetëm kujtime nga keqtrajtime të shqiptarëve dhe nuk është fort elegante”, u shpreh Rama gjatë një konference me gazetarët në Ohër.

Por Mustafën, kreu i qeverisë së Shqipërisë e ka akuzuar edhe për mos zbatim të marrëveshjes së arritur në mbledhjen e dy qeverive për bashkimin doganor.

Po ashtu, të njëjtën akuzë Rama ka bërë edhe për Kryeministrin tjetër të Kosovës, Ramush Haradinajn, i cili, sipas Ramës, ka kërkuar që këtë bashkim ta shtyjë në kohë. Marrëdhënien më konfliktuale me kryeministrat e Kosovës, Rama e ka me Haradinajn, të cilin është shprehur se do ta padisë për shpifje.

Pas deklaratës së Haradinajt se me ndryshimin e kufijve të Kosovës, të mbështetur nga Thaçi, Rama dhe Vuçiç, Kosova do të humbte 10 miliardë euro dhe për këtë ndarje, ata që e mbështesnin, do të kishin përfitime. Replikat mes Ramës dhe Haradinajt ishin të nxehta, ku ndërsa Rama i tha se do të përgjigjej në gjyq për shpifje, Haradinaj iu përgjigj se kur kreu i qeverisë shqiptare të jetë në opozitë, do të merret me çështjet gjyqësore.

Edi-rama-Albin-kurti

 

I fundit që duket se ka hyrë në shënjestrën e Kryeministrit Rama është Kryeministri në pritje i Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Albin Kurti.

Marshimin simbolik të Vetëvendosjes përgjatë Rrugës së Kombit më 28 nëntor, si mesazh i bashkimit kombëtar, Rama e cilësoi “një lajthitje në një proces tranzicioni nga opozita në qeverisje”, ndërsa ata ndajnë qëndrime të ndryshme si për taksën 100% për mallrat serbe në Kosovë, ashtu dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

rama-thaci

I vetmi ndër politikanët e Kosovës me të cilin Kryeministri Rama nuk ka shfaqur përplasje është presidenti Thaçi, me të cilin ka gjetur gjuhë bashkëpunimi dhe dakordësie si për idenë e korrektimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu dhe për taksën për mallrat serbe.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura