Rama në kantierin e bulevardit të ri: Do jetë një spektakël më vete. Reagon PD

Jun 20, 2016 | 19:49
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ishte së bashku me kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për të inspektuar sot punimet që po bëhen për ndërtimin e bulevardit të ri dhe parkingut të parë nëntokësor aty ku ka qenë Stacioni i Trenit.

Po merr formë më në fund, pas katër vitesh të humbura kot nën qeverisjen pa vizion, pa program, pa lidership të Lulëzim Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës, Bulevardi i Ri i Kryeqytetit Po ndërtohet me ritme të larta parkingu i parë nëntokësor i bashkisë dhe është gati për zbatim projekti, bashkëngjitur bulevardit, i Parkut të Ri Qendror të Tiranës, 6 herë më i madh se Parku Rinia! Po ashtu po ndërtohen platformat e gjelbërimit që u projektuan për të rritur përmasën e gjelbër përgjatë gjithë këtij aksi të ri. Është për të thënë shyqyr që në katër vjetët e humbura, bashkia e vjetër realizoi vetëm 2% të punimeve, sepse këto ndryshime me rëndësi kolosale që i’u bënë projektit do të kishin qenë të pamundura.

Sot mund të thuhet pa frikë se Euro2020 Fan Zone e Tiranës, do të mund të spostohet nga sheshi Nënë Tereza në bulevardin e ri, ku hapësira e re urbane do të jetë një spektakël më vete”, shkruan Rama në Facebook.

Por për këto deklarata ka reaguar Partia Demokratike përmes Eno Bozdos.

Sipas tij, Bulevardi i Ri, rehabilitimi i Lumit të Tiranës e ndërtimi i Terminalit Multimodal jane fryt i vizionit të zhvillimit të Tiranës gjate administratës “Basha”.

“Edi Rama përgjegjësi kryesor për bllokimin për dy vite të ndërtimit të Bulevardit të Ri, rehabilitimit të Lumit të Tiranës u krekos sot si gjeli majë plehut me punën e nisur nga  Lulzim Basha.

 

Shqiptaret nuk e hanë më sapunin për djathë. Bulevardi i Ri ishte vizion i Lulzim Bashës.

Punimet për Bulevardin e Ri të Tiranës nisën në shtator të vitit  2013 pas përfundimit të projektit nga studioja prestigjioze ndërkombëtare “Grimshaë Architects” dhe sigurimit të fondit të investimit nga Fondi për Zhvillim i Abu – Dhabit.

Projekti u bllokua me pas me urdhër të Edi Ramës. Për këtë bllokim është kallëzuar penalisht ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani, dosje të cilën prokuroria vazhdon ta mbajë në sirtar dhe është dënuar ish-kreu i INUK.

Sot, Edi Rama dhe Erion Veliaj duhej fillimisht t’i kërkojnë ndjesë qytetarëve të Tiranës për bllokimin me dy vjet të këtij projekti dhe mijëra vendeve të punës të lidhura me të”, tha Bozdo.​

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura