Rama në Jordani për çështjet e sigurisë dhe terrorizmit

Mar 15, 2016 | 8:33
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama ishte pjesë e takimit me liderët e rajonit dhe përfaqësues të NATO-s e BE-së, për çështje që lidhen me sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit. Takimin e ka organizuar Mbreti i Jordanisë, Abdullah II, ku pjesëmarrës ishin Presidenti bullgar, Rosen Plevneliev, Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviæ, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders, si dhe përfaqësues të NATO-s, BE-së dhe SHBAve.

Kryeministri Rama dhe Mbreti i Jordanisë Abdullah II gjatë takimit
Kryeministri Rama dhe Mbreti i Jordanisë Abdullah II gjatë takimit

Kryeministri Rama ka postuar në faqen e tij në “Facebook” disa foto nga pritja që i ka bërë Mbreti i Abdullah II, por jo hollësi për takimet e zhvilluara. “Dje në Jordani me Mbretin Abdullah II dhe liderë të tjerë nga rajoni, si edhe përfaqësues nga BE-ja, SHBA-të, NATO e institucione të tjera ndërkombëtare, për të forcuar ndërveprimin në fushën e sigurisë e të luftës shumëplanëshe kundër ekstremizmit”, shkruan Rama në “Facebook”.

Ndërkohë, mediat kroate kanë dhënë pak më shumë informacione për këto takime. “Kolinda Grabar-Kitaroviæ dhe Mbreti Abdullah II kanë shkëmbyer mendime për sfidat kryesore globale, në veçanti krizën siriane, e cila ka shkaktuar një valë të refugjatëve që kërkojnë strehim në vendet fqinje dhe në Europë. Jordania ka marrë qindra mijëra refugjatëve. Gjithashtu, u diskutua lufta ndërkombëtare kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe radikalizmit”, citojnë mediat kroate.

“Po ballafaqohemi me luftën e tretë kundër njerëzimit dhe për këtë duhet të reagojmë shpejt në raport me ekstremizmin”, është shprehur Mbreti Abdullah II gjatë vizitës së tij në Kosovë nëntorin e kaluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura