Rama: Në Çeki me pjesën më të mirë të qeverisë, 30% gra e s’jemi ende të kënaqur

Oct 13, 2015 | 12:30
SHPËRNDAJE

Kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë vizitës njëditore në Ceki është shprehur i kënaqur që për nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe ka qenë me pjesën më të mirë të qeverisë.

rama-ceki

“Jam i kënaqur që ky takim përfshiu pjesën më të mirë të qeverisë, gjithë gratë ministre, por kemi ende shumë punë, kemi pak gra në qeveri, kemi 30% dhe nuk jemi të kënaqur”- tha Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun Sobotka.

Rama ka vlerësuar bashkëpunimin me Cekinë, duke kujtuar se potenciali i madh ofron kushte për rritje të bashkëpunimit.

Kryeministri i Shqipërisë u ndal në progresin e bërë në marrëdhëniet me Serbinë. “Kemi bërë progres shumë të madh, në një vit baraz me 100 vjet, duke pasur në fokus transformimin cilësor të marrëdhënieve me Serbinë. Meqë jemi në një atmosferë kualifikimesh, Çekia është kualifikuar për në kampionatin europian. Ne u kualifikuam parmbrëmë. Mund t’ju them vetëm se ato pamje që u panë një vit më parë në stadiumin e Beogradit dhe gjithë ajo dhunë masive që shpërtheu kundër kombëtares sonë atje, i përkasin një të shkuare që nuk kthehet më. E një vit më pas, ne jemi në kushte tërësisht të tjera, pasi i kemi ofruar një mikpritje të shkëlqyer skuadrës së Serbisë dhe megjithëse kemi humbur ndeshjen ngushëllohemi me faktin se ata do të na shohin në  televizor kur ne të shkojmë në Francë, në finale”- tha Rama.

Ai u ndal edhe në domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

E falenderoj shumë kryeministrin edhe për mbështetjen e Çekisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ne besojmë shumë që ky është një hap i duhur dhe mbështetja e duhur për të fuqizuar stabilitetin, për të fuqizuar ndërveprimin. Mbi të gjitha ne besojmë shumë që kjo i bën mirë edhe Serbisë, pavarësisht se disa gjëra në Ballkan ne i kuptojmë me vonesë. Dhe në këtë rast Serbia do ta kuptojë me kalimin e kohës se kjo është një e mirë edhe për Serbinë”.

Ndërkohë pyetjes së medias për krizën e emigrantëve, Rama e ka quajtur pasojë të mungesës së një strategjie të qartë e të përbashkët europiane e më gjerë lidhur me zhvillimet në Siri, pasi burimi është atje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura