Rama merr edhe postin e “ministrit të jashtëm” të PS

Dec 4, 2011 | 11:17
SHPËRNDAJE

Rama në Asamblenë Kombëtare të PS

Kryesocialisti heq postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste.

Kryesocialisti Rama do të luajë dhe rolin e sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë në PS. Listës së re të Sekretariatit, të votuar nga Asambleja Kombëtare dhe të numëruar në mënyrë transparente përmes lexuesit optik, por dhe me dorë, i mungonte ditën e premte posti i sekretarit të Marrëdhënieve me Jashtë, i mbuluar që prej 2005-s nga deputetja Arta Dade. Kjo do të thotë se në të gjitha takimet që Rama do të zhvillojë me të huajt, brenda apo jashtë vendit, do të ketë dhe rolin e sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë në partinë që drejton. Zëra brenda PS shprehen se këtë rol Rama kishte kohë që e luante, kur në takimet e shumta me ndërkombëtarët muajt e fundit, në funksion të negociatave për nisjen e dialogut dhe reformave parlamentare, jo gjithmonë në krah të tij ka qenë sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë, Arta Dade. Burime nga selia rozë pohuan se organizimi i ri që i është bërë Sekretariatit nuk është i njëjtë me ato funksione që ky Sekretariat mbulonte më parë. Sipas tyre, Sekretariati i mëparshëm kishte të njëjtat role me ato të komisioneve parlamentare, ndërsa roli i sekretarit të jashtëm dhe atij ligjor nuk ka pse të përfshihet në strukturën e re të Sekretariatit. Por, praktika të tilla, kur kryetari i partisë mban dhe postin e sekretarit të Marrëdhënieve me Jashtë, nuk janë të largëta. Vetëm dy vjet më parë, Jorgo Papandreu, kryetar i PASOK-ut, mbante dhe postin e sekretarit me jashtë, detyrë që e mbajti edhe pasi u bë Kryeministër. Në tetor 2009, kur erdhi në pushtet, Kryeministri Jorgo Papandreu mbajti dhe postin e ministrit të Jashtëm, duke emëruar si ministër alternativ Dimitris Drutsas. Në atë kohë pritej të mblidhej samiti i BE-së, që do të shqyrtonte progresin e kandidaturës së Turqisë për anëtarësim.
Zhvillimet e reja politike dhe takimet e shumta që kreu socialist pritet të zhvillojë në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme të 2013-s, e detyrojnë atë që t’i mbajë vetë të gjitha kontaktet me faktorin ndërkombëtar. Ndoshta në takimet e tij me të huajt, Rama do të ketë në krah dhe kryetarin e Komisionit të Integrimit të vendit, Ditmir Bushati, por dhe nënkryetaren e Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Arta Dade. Në fakt, skema e re e Sekretariatit është krijuar në mënyrë të tillë që ai t’i përgjigjet punës së partisë më shumë sesa çështjeve tematike parlamentare. Të gjithë sekretarët e rinj, që nga Damian Gjiknuri, që rezultoi më i votuari, do të merren me detyra të përcaktuara qartë. Gjiknuri do të ketë përgjegjësinë e reformës zgjedhore, hartimit dhe zbatimit të saj, strategjitë dhe mundësitë e PS për të marrë maksimumin në një proces zgjedhor. Bashkim Fino do të koordinojë të gjithë veprimtarinë e PS në pushtetin vendor, Ilir Beqja do të merret vetëm me çështjet e programit, Blendi Klosi me organizimin e partisë, një sekretar i ri për koalicionet, Ndre Legisi, i cili do të nisë të punojë me aleancat e mundshme zgjedhore të PS, ndërsa burimet njerëzore përfaqësohen nga Armando Subashi, i cili do të punojë për koordinatorët dhe komisionerët socialistë. Arben Ahmetaj do të merret me sipërmarrjen dhe grupet e interesit, ndërsa PS nuk ka lënë jashtë vëmendjes dhe emigracionin dhe rininë, që përfaqësohen nga Erion Veliaj.

Sekretariati
.    Sekretari Zgjedhor, Damian Gjiknuri
.    Për Pushtetin Vendor, Bashkim Fino
.    Për Koordinimin, Fatmir Xhafaj
.    Për Programin, Ilir Beqja
.    Sekretari Organizativ, Blendi Klosi
.    Për Koalicionet, Ndre Legisi
.    Për Burimet Njerëzore, Armando Subashi
.    Për Biznesin dhe Grupet e Interesit, Arben Ahmetaj
.    Për Emigracionin dhe Rininë, Erjon Veliaj

Reagimi
Allushi: Nuk jemi para një rilindjeje

Ish-anëtarja e Kryesisë socialiste, Eva Allushi, shprehet mosbesuese për Kryesinë dhe Sekretariatin e ri të PS. “Bashkimi vlen dhe shërben kur ndërtohet mbi baza principale, kur është i sinqertë dhe kur buron nga vlerësimi për çdokënd e për të gjithë. A është i tillë ky bashkim? Koha do flasë më mirë se kushdo për këtë. A jemi para një rilindjeje? Unë do të thosha jo. Dështimi personal nuk mund t’i atribuohet një force politike si PS. Dështimi nuk mund të kthehet në sukses, edhe duke përdorur slogane të tilla që të kujtojnë kohëra të tjera. Prandaj eksperimentet për ngjizje artificiale në të shumtën e tyre rezultojnë të dështuara”, u shpreh dje Allushi.

Harasani: Refuzoj detyrën e Asamblesë, kam plane të tjera
Ish-sekretari i Kryesisë socialiste për Programin, Andis Harasani, i cili nuk u përfshi në listat për Kryesinë dhe Sekretariatin e ri, përmes një mesazhi në Facebook njoftoi vendimin e tij. Ai e refuzon detyrën e ngarkuar nga kryetari i PS-së Rama dhe Asambleja Kombëtare për të drejtuar grupin e punës për çështjet e energjisë, që do të detajojë programin e PS për këtë sektor. “Të dashur miq, për arsye të planeve të tjera, duke falënderuar për besimin, nuk mund ta pranoj detyrën e ofruar nga ana e Asamblesë së PS-së. U uroj suksese të gjithë të votuarve”, shprehet Harasani. Deputeti socialist mësohet se përmes një e-mail-i e ka njohur dhe kryetarin e PS-së Edi Rama për këtë vendim, ndërsa nuk rezervohet të shprehet se në zgjedhjen e Kryesisë dhe Sekretariatit nuk duhet të kishte pasur përjashtime. “Për sa kohë nuk ka pasur votim në zgjedhjen e kryetarit, në zgjedhjen e delegatëve, të gjithë e dimë se ç’ka ndodhur me zgjedhjen e tyre; për sa kohë askush nuk di votat e anëtarëve të Asamblesë, nuk më duket i arsyeshëm largimi i disave dhe afrimi i disave. Nuk e kuptoj pse duhet të ndodhë? Nuk e kuptoj pse duhet të largohet Islami dhe të mbahen figura të tjera që kanë qenë po aq kritikë ose më kritikë se Islami”, tha Harasani. Deputeti socialist nuk preferoi të jepte më shumë shpjegime për “planet e tjera” që ka, por u shpreh se “jemi një grup që po punojmë seriozisht. Por të gjitha planet konvergojnë në largimin e kësaj qeverie nga pushteti dhe ardhjen e të majtës së vërtetë në pushtet”.

Kryesia, dominon Tirana dhe Korça, pa përfaqësim 4 qarqe
Asambleja Kombëtare socialiste zgjodhi dy ditë më parë Kryesinë e re, e cila përbëhet nga 17 anëtarë. Edhe pse kryesocialisti Rama i mëshoi shumë idesë së kontrollit të territorit dhe punës në terren të çdo të zgjedhuri, Kryesia e re nuk mundi ta bëjë këtë mbulim. Nga gjashtë deputetë që ka qarku i Korçës, në Kryesi u përfshinë tre prej tyre, ndërsa qarku i Vlorës përfaqësohet nga dy deputetë. Numrin më të madh të Kryesisë e mban Tirana, me plot shtatë anëtarë, ndërsa Berati, Fieri, Gjirokastra Elbasani dhe Durrësi përfaqësohen me nga një anëtar. Pa përfaqësues në Kryesi mbeten qarqet e Shkodrës, Lezhës, Kukësit dhe Dibrës, deputetë të të cilave dolën të pakënaqur nga lista.

Përfaqësimi territorial i Kryesisë
.    Gramoz Ruçi,         Fier
.    Erjon Braçe,         Berat
.    Ben Blushi,         Korçë
.    Ditmir Bushati,         Tiranë
.    Pandeli Majko,         Korçë
.    Namik Dokle,         Tiranë
.    Shkëlqim Cani,         Tiranë
.    Arben Malaj,         Vlorë
.    Sajmir Tahiri,         Tiranë
.    Vangjush Dako,         Durrës
.    Besnik Bare,         Tiranë
.    Arben Isaraj,         Vlorë
.    Mimi Kodheli,         Korçë
.    Eglantina Gjermeni,     Tiranë
.    Lindita Nikolli,         Tiranë
.    Valentina Leskaj,     Elbasan
.    Arta Dade,         Gjirokastër

ARISTIR LUMEZI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura