Rama me fermerët: Kredi pa interes për bujqësinë

May 2, 2016 | 8:12
SHPËRNDAJE

Bankat e nivelit të dytë do të japin kredi me interesa të ulëta ose me interes zero për të gjithë fermerët, ndërkohë që përqindjet e interesit do t’i paguajë shteti.

Rama dje në Korçë
Rama dje në Korçë

Vendimi është bërë publik në një takim që Kryeministri Rama zhvilloi me fermerët e Korçës. Sipas Ramës, qeveria ka hyrë në një fazë të re të financimit të bujqësisë, blegtorisë dhe agropërpunimit, të cilat do të realizohen përmes fondit të garancisë shtetërore dhe garancisë së BERZH.

“Ne tani hymë në fazën tjetër të financimit të bujqësisë, blegtorisë, agropërpunimit me fondin e garancisë shtetërore dhe me garancinë e BERZH-it nëpërmjet bankave të nivelit të dytë, që do të thotë që juve dhe të gjithë ata që janë të industrisë së agropërpunimit të mund të aplikojnë përmes AZHBR për kredi nga bankat, por me interesa shumë më të ulëta sesa janë interesat e drejtpërdrejta komerciale. E për disa raste specifike edhe pa asnjë interes për ju, sepse interesat i garanton shteti dhe ka raste që i paguan drejtpërdrejt shteti”, sqaroi kreu i qeverisë.

Përmes kësaj mbështetjeje që qeveria po i jep industrisë së agrobiznesit, synohet nxjerrja në treg e produkteve me cilësi të lartë nga sipërmarrësit shqiptarë, në mënyrë që të jenë konkurrues në tregun ndërkombëtar. Kryeministri sqaroi për fermerët e Korçës se premtimi i qeverisë që çdo fermer shqiptar të marrë ujë në tokën ku punon, shumë shpejt do të jetë një realitet i prekshëm.

“5 mijë hektarë në këtë zonë ku njerëzit janë punëtorë, janë fjalëpak, ku kërkojnë vetëm ujë, i shtohen vetëm nga paketa financiare e mbështetjes dhe mbështetjes logjistike që ka dhënë qeveria. Jam i bindur që deri në fund të vitit të ardhshëm ta çojmë deri në 200 mijë ha, pra pothuajse ta dyfishojmë tokën e ujitshme në Shqipëri nga 2013 dhe të krijojmë një bazë komplet tjetër për të gjithë njerëzit që duan të jetojnë me punë të ndershme në fshat. Sepse, fatkeqësisht, ka shumë të papunë me dhunë për shkak të mungesës se ujit”, tha Rama.

Sektori i bujqësisë është cilësuar prioritar nga qeveria, ndërkohë që ditët e fundit kreu i opozitës Basha ka hedhur akuza në takimet e zhvilluara me fermerët në të gjithë vendin.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura