Rama mbron stadiumin me kullë 15 katëshe: E duam për 7 ditët e javës

Apr 29, 2016 | 14:24
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama mbron në Këshillin e Rregullimit të Territorit projektin e ri të stadiumit “Qemal Stafa”, i cili parashikon edhe një kullë 15 katëshe brenda tij.

Në mbledhjen e sotme, ai tha se stadiumi “Arena Kombëtare”, nuk duhet vetëm për të dielën, kur ka ndeshje, por për shtatë ditë të javës.

Rama

“Stadiumin në qendër e do logjika urbane dhe ekonomike e qytetit. Nuk e ka Tirana luksin që të ketë një gropë të madhe natën, ai është konceptuar si stadium që në krye të herës.  Kudo ku ndërtohet një stadium trualli është i falur, dhuruar nga bashkia. Stadiumi i Juventusit është ndërtuar mbi truall të dhuruar. Ajo që ne kemi bërë me “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçin” na bën nder si qeveri se e bëmë për të shpëtuar nderin e ekipit kombëtar, që të mos hynin në histori si vendi i parë dhe fundit në planet që në kohë paqe çon kombëtaren për ndeshjet e shtëpisë në fushat e botës. Stadiumet nuk ndërtohen më vetëm për ditën e dielë apo vetëm për futboll dhe kam dëgjuar krahasime me “Aliance Arena” shumë qesharake. Ajo ka 80 mijë njerëz. Ndërkohë që stadiumi kombëtar i vendit nuk e ka mundësi të mbajë vetveten, ashtu siç edhe bashkitë nuk administrojnë stadiume”, tha Rama.

Sipas tij “Pra është domosdoshmëri për një stadium në qendër që funksionon 7 ditë dhe 7 netë të javës. Nuk shoh arsye për polemika në kuptimin e domosdoshmërisë për stadiumin, për një zhvillim urban ekonomik e social të qëndrueshëm, ashtu sikundër është krejt normale që të ketë kundërshti mbi vetë projektin”.

Duke folur për kullën 15 katëshe që do të ngrihet së bashku me stadiumin ai tha se “është e pakonceptueshme për mua të paktën fobia për kulla. Sa i përket stadiumeve me kullë më vjen shumë keq por nuk janë as shpikje e kësaj kohe dhe aq më pak kjo kullë nuk është shpikje e arkitektëve italianë. Unë do isha shumë i lumtur sikur të ishte e para kullë që do ndërtohej në një stadium, por nuk është e para. Kulla dhe stadiumi kanë bashkëjetuar që në fillim vitet e shekullit të kaluar. Mjafton të shikosh Olimpia Stadio me dy kulla, mjafton të shohësh stadiumin aktual të Firences me kullën e vjetër të ndërtuar para Luftës së dytë botërore. Kulla nuk është spekulim për të fituar metra katrorë. Kulla është një element i kërkuar me këmbëngulje nga arkitekti dhe studio si element ikonik i projektit të stadiumit të ri”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura