Rama mbledh kryesinë, pas kritikave në Asamble jep porositë për sekretarët e rinj, deputetët dhe…

Sep 9, 2018 | 12:14
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama mblodhi dje kryesinë e PS-së me sekretarët dhe nënsekretarët e rinj të saj, një ditë pas formatimit të sekretariatit ekzekutiv. Nuk ka lënë asnjë ditë të vonohet nga aksioni që shpalli në Asamblenë Kombëtare të PS-së për hapjen e partisë dhe procesin llogaridhënës të të zgjedhurve vendorë, kreu socialist i caktoi çdo anëtari detyrat e tij.

Pasi ka folur me sekretarët e rinj, Rama u ka kërkuar atyre të hartojnë një plan pune për sektorin që mbulojnë, për të qenë sa më efektivë në aksionin që PS ka shpallur. Rama ka urdhëruar që të gjithë të zbresin në terren për të zhvilluar takime me qytetarët. Mbledhja ka zgjatur rreth 30 minuta, ndërsa mësohet se procesi i llogaridhënies për të zgjedhurit vendorë, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët duhet të zhvillohet me deputetët e qarkut dhe drejtuesin politik të tij.

rama

Sipas kreut socialist, këto takime do të jenë dhe një nga kriteret vlerësuese të punës së deritanishme të kryetarëve të bashkive, të cilët mund të rikandidohen. Sekretarja për Bashkëqeverisjen dhe Aleancat, Elisa Spiropali, e pyetur nga gazetarët, bëri publike qëllimin e kësaj mbledhjeje. “Kryetarët e bashkive dhe të gjithë ekipet bashkiake do të jenë në territor për t’u takuar me qytetarët dhe për të marrë problematikat në çdo njësi administrative të Shqipërisë dhe më pas do bëhet një analizë për qeverisjen lokale në të gjithë territoret”, tha Spiropali.

SEKRETARËT

Partia socialiste bëri një formatim të plotë të sekretariatit të saj, në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, duke sjellë emra të rinj dhe duke bërë një ndarje më të mirë të detyrave. Në mbledhjen pa praninë e mediave, kryetari i Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla, lexoi emrat e rinj të sekretarëve. Ra në sy përfshirja në sekretariat e zv.kryeministres Senida Mesi, si sekretare për Burimet Njerëzore, post që në 2016-n e mori Musa Ulqini.

Po ashtu, deputeti Arben Pëllumbi është emëruar sekretar organizativ, post që dy vjet më parë e mbante Bashkim Fino, i cili dha më pas dorëheqjen kur kandidoi për kryetar të Federatës Shqiptare të Futbollit. Fino në unanimitet u zgjodh nënkryetar i Asamblesë Kombëtare, ndërsa u bënë dhe dy kooptime për në kryesinë e PS-së. Ulsi Manja dhe Ermonela Felaj u kooptuan me votim të hapur për në kryesi.

Blerina Gjylameti do të vijojë të jetë sekretare për Koordinimin Elektoral, ndërsa Elisa Spiropali, nga sekretare për Rininë, u bë sekretare për Bashkëqeverisjen dhe Aleancat, ndërsa nënsekretar do të jetë zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, dikur ministër dhe sekretar organizativ në këtë parti. Ilir Beqja, nga Koordinator Kombëtar për Programin, do të jetë sekretari Digjital i PS, post që në 2016-n e mori Alfred Peza. Peza, në strukturën e re të sekretariatit ekzekutiv të PS, do të jetë sekretar për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat.

Teuta Vodo do të vijojë të jetë sekretare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, si dhe Bledi Çuçi, sekretar për Çështjet Zgjedhore. Risia në këtë riorganizim të sekretariatit është vendosja e pozicionit të nënsekretarit. Janë disa zv.ministra që janë vendosur si nënsekretarë si Shpati Kolgega, Julian Hodaj, Petro Koçi, Artemis Dralo dhe Romina Kuko.

PS nis ngritjen e strukturave koordinuese për zgjedhjet vendore

Socialistët duket se kanë nisur 10 muaj para zgjedhjeve vendore 2019 përgatitjen e tyre për të koordinuar PS në të gjithë vendin. Asambleja Kombëtare vendosi ngritjen e strukturave koordinuese elektorale në qarqe, bashki, ZAZ, njësi administrative dhe në organizata socialiste, ku kërkohet dhe caktimi i koordinatorëve elektoralë. Sipas vendimit të miratuar dy ditë më parë, pranë çdo qarku ngrihet Këshilli Koordinues i partisë në qark, i cili duhet të organizojë dhe monitorojë punën për ngritjen e strukturave koordinuese elektorale të të gjitha niveleve. Brenda datës 30 shtator 2018, Këshilli Koordinues, duhet të caktojë koordinatorët elektoralë të organizimit digjital, të emigracionit, të Forumit të Grave Socialiste, të Forumit Rinor Socialiste në shkallë qarku sipas propozimeve të ardhura nga drejtuesi politik i qarkut. Vendimi i Asamblesë ka përcaktuar dhe kriteret që duhet të përmbushë kandidati koordinator.

Asambleja përcaktoi që kandidati nuk duhet të ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale dhe të mos jetë nën hetim nga organet ligjzbatuese; të ketë integritet të lartë moral dhe profesional si dhe të transmetojë etikë në sjellje; të jetë figurë e njohur shoqërore në zonën përkatëse, të ketë njohje të mirë të komunitetit (kulturës, njohjes së familjeve, fiseve, përkatësive fetare, etnike etj.); të ketë aftësi komunikuese në transmetimin e bindjeve të tij; koordinatori mund edhe të mos jetë anëtar i partisë; kandidati duhet të ketë aftësitë dhe mundësitë e nevojshme (përvojën, njohjes komunitare, kohën, mjetet materiale dhe financiare etj.) për të përmbushur misionin; preferohet të mos jetë i punësuar në institucionet publike; arsimi i lartë, përveç koordinatorëve të qendrave të votimit është i detyrueshëm.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura