Rama kundër Babales dhe “mbetqefjet” e tij

May 19, 2018 | 14:53
SHPËRNDAJE

MARK MARKU

MARK-MARKU

U desh Albert Veliu, Alias Babalja, një ish-trafikant nga Vlora, për të zbuluar gjithë dramacitetin, komizmin, mjerimin ku është zhytur shteti shqiptar dhe Kryeministri Rama. Dhe ndodhi pikërisht në momentin kur Kryeministri, i kthyer me ngut nga takimi i pasuksesshëm me Presidentin francez Macron, u shfaq para shqiptarëve që prisnin kush me kureshti, kush me ankth, kush me pezëm e kush me shpresë, një mesazh prej Kryeministrit të tyre lidhur me skandalin Xhafaj. Ai, përmes një fjalimi të mbajtur para deputetëve të partisë së tij, deklaroi se biseda e regjistruar dhe e publikuar një ditë më parë nga PD nuk ishte gjë tjetër veçse një falsifikim, një bisedë mes dy aktorësh, gjë kjo e verifikuar, sipas tij, në një laborator sekret dhe se bëhej për të dëmtuar procesin e hapjes së negociatave.

Por ja që vetëm një ditë pas iluminimit që na bëri Kryeministri, njëri nga personat e regjistruar i identifikuar si ‘bashkëpunëtori X’, u shfaq me zë dhe figurë duke deklaruar autenticitetin e së paktës njërës pjese të regjistrimit. ‘Bashkëpunëtori X’ doli se ishte një ishpjesëtar i bandës së Agron Xhafajt, i quajtur Albert Veliu, shkurt Babalja, i cili konfirmonte autenticitetin e zërit të vet, duke deklaruar njëherësh se personi i paraqitur në regjistrim si Agroni, ishte Agron Xhafa, i vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj. Në praktikat gjyqësore, konfirmimi i zërit apo i pamjes së regjistruar nga vetë personat e përgjuar konsiderohet si provë e vërtetë, por ja që Rama shfaqet përsëri me argumentet e tij të pakontestueshme prej gjykatësi të epërm, teksa deklaron: “Nëse ky është flamuri i aksionit opozitar, atëherë bota nuk është e rrumbullakët, trekëndëshi është katror, Shqipëria ndodhet në Polin e veriut, Bashkimi Europian është treg fshatar tek “Ali Demi” dhe Lulëzimi është lider…”

A nuk janë këto argumente të mjaftueshme dhe krejtësisht të besueshme për t’u bindur jo vetëm ne, por edhe vetë Babalja, se ai nuk është ai, por një aktor, se zëri i tij nuk është zëri i tij, por i atij aktorit të zbuluar në laborator, se personi me të cilin ka biseduar nuk është Agroni, vëllai i ministrit Xhafaj, por një Agron tjetër gjithashtu aktor, të dy këta të përfshirë në një komplot kundër procesit të hapjes së negociatave? Rama kështu beson dhe duket se ka një pezëm të madh, një “mbetqefje” të madhe kundër Babales që nuk i beson argumentet kryeministrore. Tek e fundit, përderisa bota është e rrumbullakët, trekëndëshi trekëndësh dhe jo katror, përderisa Shqipëria ndodhet në Mesdhe dhe jo në Polin e Veriut dhe sidomos përderisa Bashkimi Europian është treg i përbashkët europian, e jo tregu fshatar tek “Ali Demi”, atëherë përse të mos besojmë edhe se Albert Veliu, Alias Babalja është aktor, madje, pikërisht ndonjë nga ata aktorët e atij Teatrit Kombëtar, që Rama do ia shkundë së shpejti çatinë bashkë me muret dhe, përse zëri tij të mos jetë zëri i tij, por i një aktori e kështu me radhë?

Kryeministri Rama, sot, kundërshtarin kryesor ka Albert Veliun, dhe Shqipëria pengesën kryesore të integrimit në BE ka po Albert Veliun, i cili me kokëfortësi vazhdon të besojë se është Albert Veliu. Madje, ky Albert Veliu pickon veten herë pas here dhe thotë: po more po, unë jam vetë Albert Veliu, që në Vlorë më njohin me nofkën Babale, kam një djalë që punon kamerier, përmes së cilit Policia ka kërkuar para disa ditësh “të më marrë në mbrojtje”, kam folur njëherë në telefon për një “problem” me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili më ka dërguar te një person me emrin Ermal për të ma zgjidhur “problemin”, pra, për të transportuar ca “barëra medicinale” matanë detit, që ky Ermali ishte shef Kufiri. Dhe vazhdon i shkreti të rrëfejë jetën e tij prej Albert Veliu, Alias Babalja, kur kishte “punuar” në Itali dhe kishte pasur një “aksident”, pak a shumë të njëjtin “aksident” që kishte pasur edhe shoku i tij Agroni, me të cilin kishte “mbetqefje” sepse nuk i kishte çuar në burg “asnjë paketë cigare” etj. etj. “Unë jam, – thotë ai, unë jam Alberti”,-dhe si për t’i mbushur mendjen vetes për një gjë të tillë, vazhdon të kujtojë jetën e tij prej Alberti dhe jo prej aktori. “Albert, ti nuk je ti, -i thotë Rama, -ti je një aktor”. Dhe Fatmir Xhafaj do të mbetet ministër.

Dhe është shumë “mbetqefur” me popullin e tij, që nuk po e beson rrëfimin kryeministror për skandalin Xhafaj. Me siguri, në të ardhmen ai do t’i drejtojë një mesazh tjetër me argumente edhe më bindëse. Me këtë rast, ai kërkon të ndihmojë me argumente edhe Prokurorinë apo Gjykatën për ta pasur më të lehtë që ta shpallë Albert Veliun aktor. Mesazhi pritet të jetë pak a shumë i tillë:

“Thoni se yjet s’janë zjarr

Thoni se hëna u shua

Thoni po deshët edhe se peshku s’është në det, po në ambasadë

Por mos thoni se s’ju dua…”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura