Rama kthen Reformën Agrare: Tapi toke për ata që i mbjellin dhe punojnë

Mar 28, 2018 | 9:27
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama po përgatit një ligj për dhënien në përdorim të tokave shtetërore të mbjella dhe të punuara nga fermerët për vite me radhë.

rama

Gjatë një takimi me fermerët e fshatit Polis në Librazhd, kreu i qeverisë argumentoi atë që ai e quan pajisje me dokument për tokat e mbjella.

“Edhe këtu ka toka që janë toka shtetërore, ku keni mbjellë lajthi e qershi. Me këto toka, ju praktikisht nuk merrni dot asgjë, sepse quhet tokë e zaptuar. Kjo është në të gjithë territorin. Ajo që unë po insistoj me Ministrinë e Bujqësisë dhe me Ministrinë e Drejtësisë është që ne i kemi dhënë legalizim njerëzve që kanë ndërtuar shtëpi, ndërkohë që tokat shtetërore të lira, ne i vëmë në dispozicion të sipërmarrësve dhe u themi merrini me qira 1 euro dhe mbilleni”, tha Rama.

Sipas tij, nëse sipërfaqe të mëdha tokash u janë dhënë sipërmarrësve, fshatarët që i punojnë ato nuk mund të përjashtohen nga ky trajtim ligjor.

“Ndërkohë që këtu, këto toka janë mbjellë. Për të shkuar e për t’i prerë me sharrë këto qershi, këto lajthi, ullinj e gjithfarëlloj pemësh që janë mbjellë në të gjithë territorin, është pa logjikë. Ajo që po bëjmë, është të përgatisim një formë pronësie, marrje në përdorim, – nuk e di me saktësi sot ta them, – por po punojmë që t’i njihet e drejta atyre që i kanë mbjellë, që i punojnë, i kultivojnë dhe jetojnë, sepse në fund të fundit, këtë po kërkojmë dhe ne. Ia japim një tokë që është e lirë një sipërmarrësi dhe i themi, merre me qira 1 euro për 90 vjet dhe mbille. Ia japim që ta mbjellë. Atëherë, përderisa këto toka janë të mbjella nga njerëz që i kanë mbjellë, nuk mundet dot as t’i lëmë në qiell të hapur pa asnjë strehë, duke iu thënë që ne s’kemi punë me ju, se ju nuk keni tokë, prandaj s’mund t’ju japim mbështetje financiare dhe këto pemë që janë pafund, ne nuk mund t’i presim, t’i sharrojmë, se s’ka asnjë kuptim”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se në fund të kësaj procedure, ata që janë të interesuar që të punojnë tokën shtetërore në fshat, do të kenë mundësi ta marrin atë në përdorim për 90 vjet, si dhe koncesionet.

“Atyre që këtu janë të interesuar për këto pemë, por të tilla në të gjithë Shqipërinë ka plot, ne po bëjmë një punë për t’ju dhënë një përgjigje përfundimtare dhe për t’ju thënë, këto toka, në rast se mbeten shtetërore, mbeten shtetërore, por i keni ju në përdorim për 90 vjet, siç i kanë edhe sipërmarrësit e tjerë. Duke i pasur në përdorim me letra, ju mund të aplikoni të merrni mbështetje financiare që të mbillni më shumë, të bëni pika grumbullimi e kështu me radhë”, tha kreu i qeverisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura