Rama ka krijuar një rend të ri politik, që do ta shkatërrojë

Nov 9, 2019 | 11:00
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI fitim_zekthi_47317-1

Pak ditë më parë, profesori i filozofisë, Elvis Hoxha, shkroi me shumë tragjizëm dhe sarkazëm gjithashtu, se: “Me rilindjen e Edi Ramës, ia mbërritëm ta kanalizojmë dhe ta izolojmë krimin. Cilido që kryen krime që kur fitoi Edi, është ose biri i deputetit, ose vëllai i policit, ose familjar i ministrit. Me Edi Ramën, qytetarit të thjeshtë iu hoq e drejta të kryejë krim…” Ky këndvështrim elegant i Elvis Hoxhës është në të vërtetë një pohim politik, një përkufizim ndoshta për atë se çfarë përfaqëson saktësisht qeverisja e sotme. Dihet që qeverisjet apo regjimet autoritariste, ato që marrin nën kontroll të gjithë jetën dhe pushtetet e një vendi, pa dyshim që kanë monopolin edhe në gjëra të tilla. Edhe krimi, trafiku, grabitjet në një farë mënyre janë të lidhura me këtë kontroll të jetës së vendit dhe të pushtetit.

Një regjim i tillë, pasi ka marrë nën kontroll ekonominë, institucionet, zbatimin dhe interpretimin e ligjit, shkollën dhe universitetin etj., sigurisht që është i “detyruar” të zbresë të marrë nën kontroll edhe këtë anë të pushtetit dhe luftës politike.

Tre studiues të njohur amerikanë, Douglas North, i cili ka marrë çmimin Nobel, John Wallis dhe Berry Weingast, janë të famshëm për punën në atë që quhet “rendi politik me akses të kufizuar”.

Rende të tilla, sipas tyre, janë ato, në të cilat problemi themelor, rregullimi i dhunës, zgjidhet duke iu dhënë privilegje dhe renta njerëzve me fuqi për dhunë ose me fuqi në botën e krimit. Në mënyrë që këta njerëz të kenë shtysa apo motive të mos ushtrojnë dhunë atyre iu jepen privilegje pushteti, renta, akses në burime etj. Këto privilegje dhe ky akses në renta dhe në burime atyre iu jepet në përputhje me fuqinë për dhunë apo me fuqinë në botën e krimit. Duke qenë se këta njerëz kanë ndikim në pushtet, privilegje dhe akses në burime, atëherë ata nuk bëjnë dhunë, por biznes. Ata, madje, duan që të ruhet kjo gjendje paqeje dhe pa dyshim ky lloj rendi politik. Krijohet ekuilibër mes pushtetit për dhunë dhe privilegjeve. Megjithatë, ekuilibra të tillë janë shumë të brishtë dhe dhuna shpërthen shpesh.

Kjo marrëdhënie prishet në momentin që dikush ka më shumë pushtet për dhunë sesa ka privilegje apo renta. Atëherë, derisa të gjendet ekuilibri i ri do të ketë dhunë ose luftë. Në rende politike, të tilla marrëdhënie janë krejtësisht personale dhe jo institucionale. Në rende të tilla, askush nuk merr diçka, qoftë edhe një vend pune (lëre më të mira apo akses në burime), pa qenë pjesë e zinxhirit që rregullon ekuilibrin mes atyre që kanë akses te dhuna dhe atyre që kanë të drejtën të japin të mira apo privilegje.

Lloji tjetër i rendit politik është ai me akses të pakufizuar, ku mbizotërojnë marrëdhëniet impersionale, ku sundon ligji, ku askush me potencial për dhunë nuk merr një privilegj apo rentë, për shkak të kërcënimit me dhunë etj.

Shqipëria është sot plotësisht një rend politik me akses të kufizuar. Njerëz që vijnë nga bota e krimit, nga bota e trafiqeve të drogës, kanë marrë dhe marrin renta dhe privilegje në përputhje me fuqinë e tyre. Marrëdhëniet janë krejtësisht personale dhe kjo dëshmohet përditë.

Kryeministri i vendit vendos për gjëra të mëdha, si shpërndarja e të mirave, tenderët, koncesionet, emërimet etj., me fare pak njerëz dhe ua jep ato fare pak njerëzve. Kryeministri i vendit takon njerëz të botës së krimit që e thërrasin atë “babloku”. Kryeministri i vendit gjendet në biseda të bosëve të trafikut si rasti i përgjimeve për Durrësin etj. E njëjta gjë edhe për ministrat apo zyrtarë të tjerë të lartë.

Kjo gjendje ka ardhur duke u bërë më e keqe dhe ekuilibri i brishtë që stabilizon dhunën, që i mban në paqe njerëzit e politikës, të krimit dhe të gjithë ata që kanë potencial për dhunë, është bërë gjithnjë e shumë më i brishtë. Politikanët, Kryeministri, ministrat, nuk kanë mjaftueshëm të mira dhe renta për t’iu dhënë njerëzve me fuqi te krimi dhe dhuna. Ata e kanë të pamundur edhe t’i luftojnë ata.

Rende të tilla politike thonë North, Walls, Weintgast, kanë qeveri që jeton në mënyrë simbiotike me njerëzit që kanë potencial për dhunë dhe krim. Në shumë raste, kufiri mes qeverisë dhe atyre vetë zbehet shumë. Qeveritë dhe politikanë janë në një çark si pasojë e komprometimit, e përdorimit të fuqisë së këtyre njerëzve në një moment që iu është dashur.

Në të vërtetë, Partia Socialiste, Kryeministri Rama, e ka përdorur fuqinë apo potencialin e njerëzve që kanë lidhje me botën e krimit, të dhunës, të trafikut etj. Kryeministri Rama, që kur ishte në opozitë, thirri pranë, pra futi në politikë, njerëz me potenciale të tilla. Më pas, në pushtet ata u bënë më të fuqishëm. Ata morën renta dhe privilegje në përpurthje me fuqinë për dhunë, me fuqinë për krim. Përfaqësues të këtyre njerëzve u bënë politikanë të rëndësishëm.

Kjo gjë prodhoi atë që profesor Elvis Hoxha e shprehte me sarkazëm si “kanalizim i krimit dhe heqje e së drejtës së qytetarëve për të bërë krime”. Që të bësh krime të tilla, që të prishësh ekuilibrin e vendosur nga rendi politik – për të shmangur dhunën, siç thonë North, Wallis, Weintgast- duhet të kesh renta dhe të mira më pak sesa ke potencialin për krim. Këtë nuk e bën dot kurrë asnjë qytetar i thjeshtë.

Prandaj, kemi kushërinjtë e ministrit të Brendshëm të akuzuar për trafik droge, prandaj kemi vëllamë e ministrit të Brendshëm të akuzuar për trafik, prandaj djali i deputetit kërcënon dhe rreh, prandaj familjarë politikanësh dyshohet se bëjnë atentate, prandaj të afërm politikanësh dyshohet se jo vetëm marrin koncesione, por bëjnë edhe trafiqe etj.

Pavarësisht shpërthimit të Kryeministrit se do “t’i nxjerrë ujin e zi krimit”, është e qartë se qeveria, Kryeministri dhe politikanët e tjerë të rëndësishëm jo vetëm nuk kanë asnjë mundësi të luftojnë këtë lloj krimi, por janë vetë pjesë simbiotike dhe peng i kësaj gjendjeje dhe të këtyre raporteve. Atentati në Durrës ishte vetëm prishja e një ekuilibri në redbnon politik, në të cilin Kryeministri është kreu. Kryeministri shpërtheu duke thënë se do t’i nxjerrë ujin e zi për propagandë, për t’u mbrojtur. Ai është vënë nën akuzë dhe sheh si zgjidhje vetëm kalimin në deklarime të tilla të ashpra. Deklarime të tilla, Rama i ka bërë që në vitin 2014, kur shpërthenin makinat me telekomandë dhe i ka bërë kot gjithnjë. Kanë kaluar gjashtë vjet dhe është më keq.

Jeffrey Satinover, profesor në Harvard, e përshkruan këtë pakt me djallin dhe pasojat e tij, me anë të një parabole të jashtëzakonshme. Ai tregon për një zog që fluturon mbi një qytet dhe dëgjon një tregtar që thërret: krimba për pupla. Zogu afrohet dhe sheh në tezgën e tregtarit krimba të mrekullueshëm, që rrëzëllejnë, të shëndetshëm, shumë të ndryshëm nga ata që zogu mezi i gërmonte duke u munduar pranë një lumi. Tregtari thotë: Dy krimba një pupël. Zogu, kur sheh që ka shumë e shumë pupla dhe kur sheh krimbat që e joshin pafund, shkul shpejt një pupël dhe merr dy krimbat. Shija ishte e jashtëzakonshme. Zogu erdhi përsëri të nesërmen. Erdhi përsëri ditë pas dite. Një ditë, kur zogu mori krimbat dhe u përpoq të fluturojë, ai u plandos në tokë. Ishte shëndoshur shumë dhe nuk kishte më pupla. Tregtari e mori zogun dhe e futi në kafaz, pavarësisht ngashërimit dhe lutjeve të tij. Tregtari, në fakt, ishte djalli dhe zogu heshturazi kishte bërë një pakt me të. Këtë pakt ka bërë edhe Kryeministri Rama dhe shumë drejtues të tjerë të qeverisë dhe të PS-së. Sot, Rama është bash si zogu i parabolës. Është shumë i shëndoshë dhe pa pupla.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura