Rama, frikë nga humbja përballë Blushit…

Feb 17, 2016 | 14:10
SHPËRNDAJE

KASTRIOT ISLAMIKastriot-Islami

Rama e konsideron “lodër” respektimin e statutit dhe kandidimin e Blushit, dhe kjo është arsyeja përse preferon që “kohën e lodrës” ta konsumojë, siç pohoi vetë, me Zahon e vogël, sesa të merret me respektimin e statutit. Kjo është cinike, fyese, e turpshme!

Madje perverse, kur për një çështje kaq të rëndësishme e serioze përdor fëmijën e vogël me synim ofendimin në publik të kundërshtarit. Kjo është edhe tallje me qytetarët, për më tepër që partitë politike janë subjekte kushtetuese ku formësohet qeverisja e ardhshme, prandaj ato janë subjekte të interesit publik. S’mund të ketë parti autoritare të ndërtuar mbi interesat e “oligarkisë, krimit, korrupsionit…” që nesër, pasi të ketë marrë pushtetin, të prodhojë mirëqeverisje demokratike?!

Thënë kjo, pjesëmarrja në një debat për respektimin e demokracisë së brendshme e të statutit të një partie s’ka aspak për qëllim ndërhyrjen në punët e saj të brendshme apo aq më pak, mbështetjen ndaj Blushit në konkurrimin për kryetar të PS-së.

Shqetësues është fakti se ata që njohin partinë dhe statutin heshtin për arsye të ndryshme, ndërkohë flasin për këto çështje shumë individë që s’njohin as statutin, as jetën e brendshme të partisë dhe as janë ekspertë të partive politike duke gjykuar më shumë se çfarë fshihet në koshiencën a subkoshiencën e Blushit, me qëllim “shkatërrimin” e tij, meqë ai po bezdis “udhëheqësin” e tyre.

1. TRI SHQETËSIMET KRYESORE NGA DEBATI BLUSHI-RAMA…

Në këto pak rreshta, s’kam aspak qëllim të mbroj Blushin apo të kthehem në avokat të tij, sepse ai është në gjendje ta bëjë shumë mirë rolin e tij dhe t’i artikulojë tezat e tij shumë më bukur artistikisht e mediatikisht.

Për më tepër, s’më intereson aspak se çfarë synimesh apo çfarë ka programuar të bëjë Blushi… As se çfarë do të ndodhë në PS dhe as nëse Blushi do të krijojë parti të re, do ta përjashtojnë, do të vijojë betejën brenda PSsë, apo do të heshtë a mirëkuptohet me Ramën!

Sepse jam i bindur që nën drejtimin e Ramës, s’mund të bëhet më fjalë as për parti demokratike, as socialiste, por për një sekt klientelist, përfaqësues të interesave të oligarkisë e korrupsionit, që pas humbjes së zgjedhjeve të ardhshme do të çojë në shkatërrimin e partisë së socialistëve.

Por më shumë, do të merrem me tri shqetësime me interes për publikun, që i lexoj nga takimet me publikun:

i) Përse nuk zbatohet statuti e për rrjedhojë përse nuk lejohet Blushi të kandidojë nëse Rama është i sigurt në fitore?

ii) Përse heshtin të gjitha figurat kryesore që kanë kontribuar në PS, ndërkohë që janë hedhur në sulm kundër Blushit të gjithë ata që janë akuzuar për korrupsion dhe kanë përfituar vetëm si prurje të Ramës?, dhe

iii) Përse Rama sillet si hileqar, tinëzar e frikacak, duke mos i dalë vetë ballazi këtij debati, por nxjerr e nxit bedelë të paaftë për të goditur Blushin e mbështetësit e tij brenda partisë apo në media…?

2. NJË “FILM” I PARË TASHMË PREJ MË SHUMË SE 7 VJETËSH…

Gjithçka kam thënë prej më se 7 vjetësh, i dëgjoj gjatë këtyre javëve, sigurisht në një kontekst të ri. Shumë nga këto shqetësime e probleme që ngre sot Blushi i kam analizuar thellësisht, shprehur qartësisht dhe i kam artikuluar me zë shumë të lartë.

Madje, i kam zbërthyer të gjitha sa ç’thotë Blushi sot e gjithçka kanë thënë të gjithë ata që kundërshtojnë sot Ramën…! Madje, pa mburrje, mund të them se ndihem shumë mirë, që çdo ditë, gjithçka kam thënë e parashikuar, po vërtetohet e konfirmohet, një nga një, në tërësi e deri në detaje!

 

Rama-vs-Blushi

Me humor do t’u përgjigjesha mbështetësve të Ramës të të gjithë kohërave: E kam dëgjuar gomarin e Nastradinit të “artikulojë” në të gjithë variantet, të lakuar në të gjithë rasat dhe në të gjitha kohët. Fillimisht lëshonin “akuzën” se “…përse nuk fole më shpejt apo në kohën e duhur…”.

Më vonë sulmonin duke thënë se “është shpejt për t’i thënë të gjitha këto gjëra, të presim e të shikojmë se jemi në opozitë”… Më tej, pasi më përjashtuan nga partia në mënyrë staliniste, më thoshin “…përse ike, duhet të qëndroje aty…?! (absurditet e marrëzi!) …Kishte, madje, edhe ndonjë që më “këshillonte” miqësisht: “…të qëndroje me delet e tjera në rresht se kush ndahet nga tufa e ha ujku apo se ti s’je burrë më i mirë se të tjerët që hanë bar, por kryetarin nuk e sulmojnë apo partinë nuk e tradhtojnë!”.

Madje, shumë nga këto këshilla vinin nga disa prej atyre që sot janë kthyer në kritikë të ashpër të Ramës… Sepse gjithnjë kanë dashur, duan dhe do të duan të vjedhin e përfitojnë nga qëndrimi pranë “komandantit” dhe sulmojnë të gjithë ata që jua ndërpresin këtë ushqim…! E tani reagojnë kundër Ramës se s’po marrin tagjinë…

3. RAMA KA FRIKË NGA HUMBJA PËRBALLË BLUSHIT…?!

Ministrat servilë e bashkëkusarë të Ramës, servilët në parti dhe gjithologët e medias, përmes “argumenteve” të tyre, mediokre, kanë zbuluar “përse Rama nuk e lejon Blushin të kandidojë?”. Të ngrefosur nëpër ekrane, ata kanë thënë se “statuti edhe mund të jetë shkelur…” por interpretimi sipas frymës i statutit është më i rëndësishëm, sesa po t’i referohemi “interpretimit sipas germës”.

Dhe shtojnë me një krenari “idioteske”: “…Po sikur të fitojë Blushi postin e kryetarit të PSSH-së, atëherë në bazë të statutit Rama duhet të japë dorëheqjen si Kryeministër, sepse sipas statutit kryetari i PSSH-së është edhe Kryeministër…”. Dhe kjo u duket gjetje që shpartallon kundërshtarin Blushi.

Por ky “argument” mjeran zbulon të vërtetën e madhe që fshihet thellë në koshiencën e Ramës, të vërtetë që ai ia ka deleguar ta shprehin servilet dhe gjithologët injorantë, që s’marrin vesh as nga statuti dhe as nuk njohin si funksionon PS-ja.

Nga analiza logjike e këtij “argumenti” të trashë, arrihet në përfundimin se Rama s’fiton dot përballë Blushit në zgjedhjet për kryetarin e PSSH-së sipas parimit një anëtar/një votë. Prandaj Rama i pengon zgjedhjet…

edi-rama-nw-gjirokastwr_28-shkurt-2009_4

Sepse po të ishte i sigurt në fitore, ky argument nuk ka përse përdorej! Nga ana tjetër, kjo frikë tregon se brenda PSsë kanë ndryshuar ekuilibrat krahasuar me zgjedhjet e 2013-s dhe shumica e socialistëve s’e duan më Ramën as kryetar të PSsë dhe për rrjedhojë as Kryeministër… dhe kjo mesa duket i rezulton Ramës nga sondazhet e brendshme…

4. A E KUPTONI PËRSE S’KA PASUR DISIDENCË GJATË KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI?

Para disa ditësh takova një socialist të vërtetë, që ka ende shpresë se PS mund të rikthehet në vlerat e saj socialdemokrate, duke vijuar reformimin e saj të ndërprerë nga rilindja e Ramës.

Pasi kishte ndjekur një natë më parë një debat në ekran për çështjen Blushi, ku sipas tij ishte sëkëlldisur shumë se asnjëri prej panelistëve nuk i ishte dukur as socialist dhe as që ia kishte idenë për statutin, më bëri pyetjen retorike: A e kupton përse nuk ka pasur disidentë gjatë komunizmit kur shikon se si në këtë demokracinë tonë, pushteti i Ramës sponsorizon “analistëvrasës me pagesë”, që dalin në media për të eliminuar që në embrion kundërshtarët e “udhëheqësit të madh”…? Iu përgjigja me humor: Unë vetë kam shpëtuar, jetoj i qetë…

5. ÇFARË KËRKON REALISHT BLUSHI…?

Gjithçka kërkon Blushi është shumë e thjeshtë: Të respektohet statuti në fuqi i partisë, sepse mendon të konkurrojë për kryetar të PS-së. Kaq e thjeshtë është kërkesa e tij! Dhe pas kësaj kërkese s’fshihet asgjë tjetër.

Asgjë nga ato marrëzi që artikulojnë nëpër debate gjithologët apo anëtarët e klientelës. Të gjithë këta, në vend që të mbronin unanimisht e fuqimisht respektimin e statutit apo të kritikonin ashpërsisht dhunimin e tij, dhe asgjë më shumë, fillojnë të sulmojnë Blushin bazuar në sajesat e tyre mbi “arsyet” e fshehta në trurin e Blushit, të cilat e shtyjnë të kandidojë për të eliminuar Ramën deri te “marrëzia neokomuniste e tradhtisë” në favor të Saliut…

Këto argumente të sëmura do t’i kishte pasur zili edhe çdo diktator nga mënyra se si vrasin në demokraci edhe një kërkesë minimale për respekt të statutit. Për më tepër që Rama është lejuar gjithnjë të konkurronte për kryetar të PS-së, sa herë që kjo parashikohej në statut, edhe kur PS ishte në pushtet; madje herën e parë edhe duke dhunuar statutin me daljet e tij nëpër Shqipëri për fushatë brendapartiake, ndërkohë që kryetari zgjidhej në Kongres.

Kjo sjellje është një provë e qartë se Rama ka konsoliduar në parti regjimin autoritar të interesave klienteliste.

6. PARTIA E RAMËS, AS DEMOKRATIKE, AS STATUTORE, AS SOCIALISTE…

Të gjithë ata që e njohin statutin e PS-së, arrijnë në përfundimin se “Partia e Ramës”, s’është as demokratike, as statutore (institucionale), as socialiste… Dikush do të thotë që ky është një përfundim i nxituar, i ekzagjeruar, dashakeq… Dhe argumenti që do të jepej është i rëndomtë: “…shikoni partitë e tjera”, duke harruar se si ka qenë situata në PS para ardhjes së Ramës në krye të PS-së… dhe aq më keq nuk arrijnë të abstragojnë se po të ishte PS-ja siç është “Partia e Ramës”, ai as që do të kishte pasur mundësi të bëhej as ministër Kulture, as kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe as kryetar i PS-së e, për rrjedhojë, s’do t’i kishte dalë emri në raportin e brendshëm të OSBEsë si zotërues i një pasurie prej 200 milionë eurosh të fshehura në një llogari bankare off shore.

Cilat janë faktet që provojnë këtë përfundim? Në PS s’zhvillohen më mbledhjet e Kryesisë e të Asamblesë sipas kërkesave të statutit. S’merren vendimet sipas kërkesave të statutit. S’caktohen kandidatët për deputetë e kryetarë bashkie sipas statutit. S’caktohen ministrat sipas kërkesave të statutit. S’lejohet as debati i brendshëm dhe as shprehja e mendimit alternativ sipas statutit. S’grumbullohen të ardhurat financiare dhe as kryhen shpenzimet sipas statutit. Bëhen përjashtimet nga partia në dhunim të statutit..

Dhe të gjitha këto ndodhin, sepse Rama s’e çan kokën për statutin, që e quan një copë letër që mund ta interpretojë/ndryshojë sipas qejfit dhe sa herë që ia kërkon interesi i tij personal… Të vijmë te debati për konkurrimin për postin e kryetarit të PSSH…

7. RAMA E NDRYSHON/ INTERPRETON STATUTIN SIPAS INTERESAVE PERSONALE…

Në vitin 2009, kur Rama humbi zgjedhjet dhe statuti parashikonte largimin e tij, ai tha se nuk jap dorëheqje se s’i kam humbur zgjedhjet, por ato m’i kanë vjedhur… Pastaj tha se do të kandidoj për kryetar se kërkoj një mandat të ri katërvjeçar, meqë nuk i fitova zgjedhjet. Një sjellje absurde, qesharake, tinëzare, prej frikacaku arrogant.

Aktualisht në 2016-n, pasi kanë kaluar tre vjet tej afatit për të bërë zgjedhjen e kryetarit të PSSH-së, thotë s’do të rizgjidhem, por do të konfirmohem se do të bëj ndryshime në statut sipas stilit laburist, meqë kam fituar zgjedhjet. Por harron se ndryshimet në statut s’mund të kenë forcë prapavepruese. Madje, shton se nëse Blushi kërkon të konkurrojë le të bëjë mocion besimi në kongres.

Përsëri harron e mashtron, sepse në bazë të statutit vendi i kryetarit të PSSH-së është tashmë vakant, meqë kanë kaluar më shumë se katër vjet që parashikohet në statut kohëzgjatja e mandatit dhe ai qëndron në krye të PS-së, pa mandat e në dhunim të statutit. Pra edhe kur PS fiton zgjedhjet, Rama prapë shfaqet absurd, qesharak, tinëzar e frikacak, arrogant në interpretimin e statutit, të cilin e trajton si një leckë pa vlerë, në funksion të interesave të tij personale…

8. RAMA DO TË MBETET NË HISTORI SI “KANDIDATI GROTESK QË KANDIDOI PËR TË MOS KANDIDUAR”…

Në librin e Blushit me titull “Kandidati” stigmatizohet me humor dukuria e fitores së një kandidati të vdekur të votuar nga të gjallët… Kurse Rama do të jetë “kandidati i gjallë që po kandidon për të mos kandiduar” …rasti i vetëm në planetin e të gjallëve. Dhe duke krahasuar këto dy raste tipike qesharake, tipike për sektin e Ramës, as socialist e as demokratik, rezulton se njëri kandidat është i vdekur dhe tjetri është i gjallë.

Ndërsa i vdekuri s’e zgjodhi vetë të kandidonte, por e kandiduan të gjallët, i gjalli ka vendosur vetë të mos kandidojë dhe të gjallët do ta mbështesin… Por i vdekuri dhe i gjalli kanë një pikë të përbashkët, votuesit e gjallë i zgjedhin…dhe të dy qeverisin të gjallët… Ky është vendi unik në botë ku zgjidhet i vdekuri përballë të gjallit dhe ai që s’kandidon përballë atij që kandidon… dhe qeverisin të gjallët, i vdekuri dhe ai që s’kandidon… Për të qeshur e për të qarë… Tani Rama e ka të sigurt se do të mbetet në histori si… kandidati grotesk…

9. LËRENI RAMËN TË LUAJË ME LODRËN E TIJ…

Rama ka frikë të pranojë kandidimin e Blushit për shkak të humbjes eventuale. Ndoshta edhe sepse në rast fitoreje s’do të dëshironte t’i jepte hapësirë një drejtuesi alternativ që, në çdo rast, do ta sfidonte. Betejën për respektimin e statutit Blushi e ka fituar, përderisa edhe shumë mbështetës të Ramës pranojnë se statuti po dhunohet.

Politikisht Blushi është po ashtu fitues, po të kemi parasysh “fjalimin” e famshëm në funeralin e Rilindjes, mashtrim që në fakt asnjë socialist nuk e ka besuar dhe gradualisht të gjithë po binden, se ky mashtrim i madh ka “lindur i vdekur”. Po ashtu, Blushi po u transmeton socialistëve atë që ata mendojnë, diskutojnë dhe debatojnë mes tyre, që qeverisjen e tyre të 1 milion votave e ka marrë me koncesion Rilindja dhe që përfitimet e votave të tyre i gëzojnë kriminelët, pipipistët, kanabistët dhe krenaristët.

Me hallet e shqetësimet e tyre s’merret askush dhe ngritjen e shqetësimeve të tyre Rama e klientela e tij e konsiderojnë “tezë të Saliut” …Rama është në zgrip, prandaj e pengon garën dhe nga ky proces po del jo thjesht i humbur, por edhe më qesharak e i turpëruar.

Dita kur do të luajë vetëm me Zahon e të merret me pikturat e tij duket shumë e afërt… sepse s’mund të vazhdojë të përdorë pushtetin si lodër që e ka kapur dhe s’e lëshon…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura