Rama jep lajmin për biznesin e vogël: Pas tatim-fitimit hiqet edhe TVSH. Pa taksa deri në vitin 2029

Jun 10, 2020 | 14:44
SHPËRNDAJE


Kryeministri Edi Rama dhe sot një lajm për biznesin e vogël, ku tha se pas tatimit mbi fitimin, qeveria ka qëllim që të heqë edhe TVSH-në.

Në një konferencë për shtyp ku ka folur për përgjigjen e djeshme për Eurobondin, Rama u shpreh se heqja e TVSH parashikohet të bëhet deri për në vitin 2029, ndërsa shtoi se do të konfirmohen më tej detaje për limitin. Gjithashtu edhe për agroturizmin, kryeministri tha se synohet të jenë 100% pa taksa.

Shqipëria që duam ne është një vend ku, sigurisht është e vështire të gjesh punën që do, por kush do të jetojë me punë e krijon punën. Biznesi i vogël. Çfarë do thoshim ne, çfarë do mendonim ne, sa shumë e ngatërruar do ishte rruga jonë e të menduarit nëse dje do kishim dalë siç doli Shqipëria para se ne të marrim qeverinë, nga një proces eurobondi me brinjët të ngjitura me njëra tjetrën.

Edi Rama 2

Nuk do bënim dot ato që kemi në plan të bëjmë. E keni dëgjuar që ne, në këtë sesion parlamentar, para mbylljes do të çojmë rishikimin e buxhetit dhe paketën fiskale për biznesin e vogël, duke i hequr tatim fitimin dhe jo për fushatë me fjalë, por me ligj dhe jo për këtë vit, por për deri në vitin 2029, nuk do kenë tatim fitimi dhe jemi duke parë dhe TVSH, tani me këtë rezultat është e sigurt që do t’ju heqim edhe TVSH.

Afatet do t’i konfirmojmë më tutje dhe limitin, deri në cilin nivel xhiroje, por qëllimi është që për disa vite minimalisht, në mos për deri në 2029 ata të mos kenë as tatim fitimi, as TVSH dhe kjo do bëhet me ligj. Kjo do të thotë që të gjithë ata që krijojnë punë, të jenë njerëzit më të favorizuar ën Shqipëri dhe të gjithë ata emigrantë që kanë kursime, ta shikojnë Shqipërinë si mundësi për të hapur një biznes të vogël. Të gjitha projektet në agro-turizëm të jenë projekte 100% pa taksa, faktikisht.

Nuk diskutoj tarifat vendore e sigurimet shoqërore, pro të jenë pa taksa. Kjo nuk është më një ëndërr me sy hapur, por e realizuar e një numri të vogël, por të mjaftueshëm emigrantësh që e kanë bërë dhe po e gëzojnë. Të jesh në një fshat në Kuç është e vështirë të imagjinosh që mund të prodhosh e ta nxjerrësh në treg, por je në mes të një parajse ku ti vendos pikën dhe të tjerët do të vijën tek ti, tregu, falë bukurisë e traditës që t’i ofron. Falë të djeshmes mund të themi që jemi në pozitën që brenda këtij sesioni të Kuvendit biznesit të vogël t’i themi nuk ke taksa, as TVSH. 

Kemi rritur taksat e atyre që fitojnë më shumë, jo atyre që fitojnë më pak, ata që janë me biznes të vogël edhe pa këtë zerim paguajnë më pak sot se ata që thotë keni rritur taksat e kishin 10% të sheshtë, ajo e bënte edhe sanitaren të paguante taksë më të lartë se kryeministri, sot unë paguaj më shumë dhe është gjëja më normale në botë. Kur flas për sukses në fushën e reformave ekonomike kam parasysh progresin e bërë dhe raportin me të djeshmen, por jo që ne kemi arritur horizontin e dëshirave dhe nuk ju kërkoj të cohën e të duartrokasin se nuk janë çudira, por arritje dhe eurobondi i djeshëm është konfirmimi.

Nuk kemi ndryshuar ne qëndrim ka ndryshuar Shqipëria, nëse dje ne do kishim marrë jo këtë rezultat, por atë që morën ata që na thonë se dje dështuan, nuk do e thosha këtë sot, ajo që morëm nga tregjet është mundësia për të zgjeruar bazën e investimit.

Heqja e taksës së tatim fitimit do të thotë riaxhustim i sistemit dhe detyrim i biznesit të vogël për të qenë rrjeti më i madh dhe i besueshëm i “inspektorëve të shtetit” ndaj biznesit të madh, por nuk përjashton fiskalizimin biznes-biznes. Biznesi i vogël nuk do jetë si kukullat ruse, që hap një del një tjetër duke u përdorur nga biznesi i madh, por do të jetë filtri për të parë gjithë lëvizjet e biznesit të madh, pra një sistem që duhet ngritur”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura