Rama inspekton punimet e rrugës Delvinë-Kardhiq: Përfundon brenda vitit të ardhshëm

Aug 10, 2020 | 18:51
SHPËRNDAJE

 

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot lotin e katërt të rrugës, Delvinë-Kardhiq, i konsideruar nga qeveria si një prej rrugëve strategjike për zhvillimin e turizmit në bregdetin e jugut dhe Sarandës në veçanti.

ramaa

Kryeministria thotë se po punohet intensivisht për përfundimin brenda vitit të ardhshëm të krejt kësaj vepre.

Ministrja Belinda Balluku shpjegoi se me gjithë terrenin e vështirë malor mbi të cilin duhet të përparohet, gjithçka po e tejkalon parashikimin.

“Jemi në lotin e katërt, ku bashkohet me hyrjen për nisjen e tunelit të Skërficës që është Loti i 7 në segmentin e rrugës Kardhiq-Delvinë, 33 km gjatësi. Ky Lot, siç e kemi përshkruar që nga fillimi, ka ecur 80% e punimeve fizike dhe në ndërkohë, të gjitha lotet e tjera kanë ecuri të ndryshme. Lotet 1, 2, 3 kanë përfunduar. Lotet 5 dhe 6, ashtu si dhe 4 kanë 80% ecuri fizike të punimeve. Ky është Loti i 7, tuneli i Kardhiqit, që sot, pas firmosjes së kontratës do nisim menjëherë nga puna”, sqaroi ajo.

Kjo është pjesa hyrëse që ne po aksesojmë, për të vijuar  më pas me hapjen e tunelit në ditët në vazhdim. Duhet thënë që Loti i 8-të, që është në pjesën që lidhet me Sarandën, është një lot i përfunduar, i cili ka disa ndërhyrje të skarpateve, të sinjalistikës dhe detaje të tjera në përfundim. Është një formacion i vështirë, siç ka qenë edhe gjithë pjesa e punimeve që janë kryer në Lotin e katërt, pasi është një zonë kodrinore, malore, e cila kërkon një impenjim shumë të madh.”

Ndërkohë që drejtuesi i punimeve u shpreh se me intensitetin që po punohet, parashikohet të përfundojë nga 24 muaj të parashikuar në kontratë, në 12 muaj. “Ne po bëjmë me intensitet maksimal studimin e formacionit gjeologjik të tunelit, ndërkohë ajo që varet nga ne, do të përpiqemi të thyejmë rekordin e kohës, diku tek 50% të afatit”, tha ai sipas njoftimit të Kryeministrisë.

Lidhja e shkurtër në distancë dhe e shpejtë në kohë mes Sarandës e Gjirokastrës, që do të realizohet përmes kësaj rruge, parashihet që t’i japë një hov të ri turizmit, ekonomisë, punësimit.

Kryeministri Rama u interesua për studimin gjeologjik të zonës ku do të ndërtohet tuneli, për të cilën përfaqësuesit e kompanisë së ndërtimit shpjeguan se ai po kryhet në bazë të teknologjisë më moderne të kohës. “Këtu po përdorim për herë të parë në Shqipëri një teknikë të hulumtimit gjeofizik, e cila mundëson një informacion të besueshëm deri në 500-600 metër. Tashmë kemi kryer 60-70% të hetimit gjeofizik. Në një javë do të kemi rezultatet dhe pastaj do të finalizojmë lidhjen,”– u shprehën ata.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura