Rama i Prishtinës dhe Rama i Tiranës

Nov 17, 2021 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA GENTI ÇELAunnamed

Sa herë paria jonë politike u hedh syve të publikut hirin patriotik, përmend Kosovën. Vitet e fundit, për të njëjtën arsye, për standardin e lakmueshëm të zgjedhjeve atje. Nga balotazhi i së dielës, fitoi me rezultat të ngushtë Përparim Rama, arkitekti që kthehet nga Londra për të drejtuar Prishtinën.

Kandidati përballë tij, z.Arben Vitia nga VV, uron privatisht dhe publikisht kryetarin e sapozgjedhur, duke pranuar humbjen, anipse në tehun e hollë të një rezultati të ngushtë. Pa asnjë kontestim dhe në harkun e dy orëve nga mbyllja e kutive. Fill pas tyre, krenaja jonë politike, reagoi duke përshëndetur procesin dhe duke uruar fituesit. Në pamje të parë, gjithçka duket politically correct.

Çështja që shtrohet mbetet pikëpyetja pse leksionet që vijnë çdo dy vjet nga Kosova, përdoren vetëm si ballinë, fasadë në murin kuqezi të kinse patriotizmit këtej kufirit. Në zgjedhjet lokale të 2019 në Shqipëri, edhe pse kandidoi vetëm njëra palë, rezultati i zgjedhjeve u shpall nga KQZ dy muaj pas datës së votimeve.

Në Kosovë mjaftuan dy orë që humbësi të urojë fituesin. Në zgjedhjet lokale, liderët politikë atje nuk përfshihen ethshëm si te ne, ku makineria e pushtetit armatos patronazhistët me artileri presionesh dhe frike, parash dhe favore tenderësh e leje ndërtimesh. Krerët politikë në Kosovë lejuan qytetarët të vendosin të lirë për politikat e tyre vendore.

Kryeministri Rama nxitoi të urojë i pari kryebashkiakun e ri Rama në Prishtinë. Veç mbiemrit (të cilin e vendosin të tjerët për ne), vështirë se u shëmbëllen gjësend tjetër. Rama i Prishtinës në ditën e parë i shpall luftë kaosit urban. Rama ynë, i ka dorëzuar kryeqytetin betonit duke e kthyer në një kryeqytet pa qytet, pa kulturë, traditë e trashëgimi urbane.

Duke e kthyer në një mbretëri babëzie të pushtuar nga një pyll (jo orbital) pa formë prej kërpudhash betoni nga ku lulëzon ashiqare pastrimi i parave. Rama i Prishtinës është propozim i LDK, krijuar nga Presidenti i ndjerë Rugova. Sot, partia e tij, drejtohet nga brezi i tretë i udhëheqësve të rinj politikë. Rama i Tiranës, i pakorë, qeveris vendin në mandatin e tretë si Kryeministër pas tri mandateve më herët si kryetar bashkie prej vitit të largët ‘99.

Rama i Prishtinës, i pashkëputur nga qyteti i tij edhe përgjatë përvojës nëpër botë, shpërndan atdhedashuri në mënyrën si pikturon idenë e tij mbi Prishtinën. Rama i Tiranës, ende vozit idenë ‘Ballkani i Hapur’, ku favorizohet qartësisht Serbia. Ende jeton me idenë e ndarjes së territoreve të Kosovës.

Ende ka një tra gjobëvënës që ndan Kosovën me Shqipërinë. Dallimet mes Ramës së Tiranës dhe Ramës së Prishtinës, duket se janë të shumta. Urimi do të ishte që i dyti të mos i përngjajë të parit. Fitorja e z.Rama në Prishtinë, përfaqëson pikërisht antidotin e atyre që vrapuan për ta uruar dhe antiteza e asaj ç’ndodh me prodhimin e elitave të reja te ne. “Ejani të shkojmë në Prishtinë”, më oshëtin zëri i Migjen Kelmendit nga grupi “Gjurmët”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura