Rama i kujton BE-së Rusinë dhe Kinën: Mos u vononi, kanë shumë për të ofruar

Dec 6, 2017 | 10:58
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama kërkoi anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, në të kundërt, sipas tij, këto vende mund të joshen nga ofertat e Rusisë, Kinës dhe Turqisë.

rama

Duke folur në Samitin “Western Balkans at a Crossroads”, organizuar nga Friends of Europe në Bruksel, kreu i qeverisë shqiptare iu përgjigj interesimit të të rinjve përmes pyetjeve që i drejtonin panelit.

“Nuk jam shumë dakord apo tërësisht me miken tonë këtu që përmendi Turqinë, Rusinë, Kinën si vende që s’kanë ç’të ofrojnë. Po, po, kanë shumë të ofrojnë. Rusia për shembull ka një rrugë shumë të lehtë për të ofruar. Harroni shtetin e së drejtës, harroni institucionet, mbaje pushtetin për gjithë jetën dhe nuk është pa interes. Dhe kanë para që të mund t’i derdhin dhe nuk është se ka ndodhur në ndonjë pyll në Siberi, ka ndodhur në mes të Europës që qeveria, që Kryeministri gjatë zgjedhjeve u kërcënuan me vdekje dhe Kryeministri gati u vra dhe kjo ndodhi në Malin e Zi, një vend që negocion në BE”, tha Rama duke kujtuar kërcënimin rus për Ballkanin.

Po ashtu, sipas tij, jo vetëm Kina, por dhe islami radikal nuk duhen injoruar si oferta reale për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

“Pra, rreziku është real, është rrezik i pranishëm, siç do thonin kolegët tanë amerikanë. Por që Kina mendon në afat të gjatë, për 20 vite të tjera, ndërkohë që këtu mendojmë për 4 vjet, megjithatë nuk mund të themi që nuk kanë asgjë për të ofruar, dhe ju harruat edhe një forcë tjetër që është islami radikal. Në rajonin tonë ne jemi shumë etnikë, shumë fetarë, shumëçka dhe tashmë me gjithë këtë shumëllojshmëri ne duam BE. Në qoftë se BE nuk do të vrapojë, të presë, por të vrapojë të na kapë, atëherë më besoni do të kenë një larmi problemesh të tjera që do të nisin dhe do të jetë shumë herë më e kushtueshme që të martoheni me ne”, tha Rama.

BE

Për kreun e qeverisë shqiptare, është i pakuptueshëm qëndrimi i disa politikanëve që edhe duan të forcohet Bashkimi Europian, por edhe nuk pranojnë qytetarët e vendeve të tjera europiane të lëvizin dhe punojnë në BE.

“Nuk i kuptoj politikanët e çdo niveli e të çdo vendi që thonë: Po, e duam që Europa të bëhet një ditë, por për momentin kemi diçka tjetër me të cilën duhet të merremi, që janë njerëzit tanë që janë bërë pak nervozë nga zgjerimi. Me aq informacion sa kam, miqtë tanë, serbët – nuk janë këtu se tashmë ne jemi në pikën ku delegojmë procesin tonë të pajtimit, kur jemi në konferencë, pra kur ata janë të zënë, vij unë dhe kur unë jam i zënë, vijnë ata, kështu funksionon, – por nuk kam ndonjë informacion që ndonjë prej vendeve të rajonit po i bie derës për t’i thënë ndokujt prej jush që duam të bëhemi anëtarë tani. Për çfarë po flasim? Flasim për negociatë. E natyrisht nuk po flas për negociata, për vende që kanë negociatë 60 vjet, nuk po flas për këtë negociatë, po flas për diçka që politikanët tuaj t’i thonë opinionit publik që për këto vende, për të cilat ne kemi qenë kaq dyshues, asnjëri prej tyre nuk i ka rënë derës së familjes sonë për hyrë, kjo është arsyeja pse ne po negociojmë. Megjithatë, nuk mund të bëhet që të na thoni ‘po, duam të flasim me ju, por nuk e bëjmë dot për momentin sepse na duhet të merremi me gjëra të tjera’”, tha Rama. Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor gjejnë te BE-ja modelin e shtetit ligjor me institucione të forta.

“Ajo çfarë na jep procesi i BE është diçka që ne nuk e gjejmë dot në shkuarën tonë. Pra është diçka që ka të bëjë me institucionet. Do t’i përgjigjem bashkatdhetares sime, Ina. Nuk ka të bëjë me burra të fortë, mund të ketë të bëjë dhe me gra të forta, por mbi të gjitha ka të bëjë me institucione të forta. Kjo është çështja. Për aq kohë sa ne do të jemi në drejtimin e integrimit në BE, do të jemi në procesin e ndërtimit të diçkaje që s’e kemi pasur në të kaluarën, që do të thotë institucione. Në fakt, më pëlqen shumë kur dëgjoj se shteti i së drejtës është motoja, por vërtet nuk më vjen mirë kur shteti i së drejtës përdoret për të fajësuar vendet dhe për të fshehur arsyet e këtij fajësimi. Arsyeja e fajësimit ka të bëjë me situata politike në vende të ndryshme që trajtohen në mënyrë populiste, ndaj eja të fajësojmë shqiptarët”, tha Rama.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura