Rama, homazh për kryeministrin e parë të Kosovës: Pata nderin ta njoh atë zotni të madh, i pari zyrtar që shkeli Mitrovicën e dasive

Aug 21, 2020 | 11:53
SHPËRNDAJE
 Kryeministri i vendit, Edi Rama ka kujtuar sot me nje postim homazh, Bajram Rexhepin, kryeministrin e pare e te gjithepranuar te Kosoves.

Rama, teksa shkruan se pati fatin dhe nderin qe ta njihte, nenvizon se ai :ishte i pari zyrtar i lartë i Kosovës së lirë, që shkeli në Mitrovicën e dasisë së madhe, vendlindjen e tij, duke u bërë garanti i sigurisë për të gjithë atje”.

Bajram Rexhepi
Bajram Rexhepi

Postimi i Rames 

?HOMAZH

BAJRAM REXHEPI, e përjetoi dhimbjen e plagëve të luftës çlirimtare, si mjeku i UÇK-së që u shërbeu çlirimtarëve të plagosur, duke kryer deri edhe ndërhyrje të rënda kirurgjikale e duke shpëtuar jetë shumë larg sallës së operacionit, mes maleve të rezistencës për liri. Ai u bë kryeministri i parë e i gjithëpranuar i Kosovës, me mbështetjen e krejt forcave politike, kur dukej se askush s’mund ta merrte konsensusin e tyre dhe ishte i pari zyrtar i lartë i Kosovës së lirë, që shkeli në Mitrovicën e dasisë së madhe, vendlindjen e tij, duke u bërë garanti i sigurisë për të gjithë atje. Mbetet epike lëvizja e tij paqtuese, në krye të turmës së irrituar, kur pas mbytjes së dy fëmijve shqiptarë në ujrat e Mitrovicës, valvula e tensionit ndëretnik arriti në një moment shpërthyes. Debati i tij me Oliver Ivanoviçin, i përket historisë si debati i parë publik i pasluftës me një përfaqësues të komunitetit serb.

Kam pasur fatin dhe nderin ta njoh atë zotni të madh e të urtë, që i shërbeu Kosovës në luftë e në paqe, me humanizmin shembullor dhe modestinë e admirueshme të një mjeku punëshumë e fjalëpakë. Ai burrë të kujtonte me sjelljen e buzëqeshjen e tij, atë fjalën kuptimplotë shqiptare, guri i rëndë në vendin e vet. Si ajo fjalë ishte edhe vendimi i tij, që të mos e lëvizte kulmin e shtëpisë nga Mitrovica, e të jetonte aty me gruan, vajzën dhe rrezikun gjithnjë të pranishëm, të ndonjë konflikti me pasoja fatale për familjen e vet. Sot e gjithë ditën shtëpia e mjekut që u bë kryeministër, është po aty, shembull i fjalës së pandarë nga vepra e njeriut që jo vetëm e mbronte idenë e moslargimit të shqiptarëve nga Mitrovica, po edhe e mishëronte atë duke mos u larguar nga ajo tokë e bashkëjetesës së vështirë, por jo të pamundur në Veriun e Kosovës.

Bajrami u nda nga jeta ende i ri, në 21 gushtin e tre viteve më parë, si një hero krejt i veçantë, i cili pa zhurmë e pa bujë jetoi, punoi, shërbeu ku dhe sa mundi për vendin e tij, pa e ngritur kurrë zërin, po duke folur qartë e troç me shembullin e vet, sa të veçantë aq edhe frymëzues, e duke treguar se sa e mirë është politika, kur njeriu e përdor atë për të kuruar e për të shëruar plagët e bashkësisë, së cilës i vihet në shërbim. Me përkushtim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura