Rama harron sipërmarrësit në program

Sep 12, 2017 | 11:18
SHPËRNDAJE

genc burimi 2GENC BURIMI

Ndoqa me vëmendje dje, si shumë shqiptarë, fjalimin programatik të Kryeministrit. Në këtë shkrim, dua të komentoj vetëm një pikë: mbështetjen ndaj sipërmarrësve. Jo vetëm sepse ajo është më e rëndësishmja në programin e çdo qeverie, por se mbi të gjitha, ajo mungoi në fjalimin e Ramës. Në 30 faqe ligjëratë, nuk u gjet asnjë fjali, asnjë ide novatore  apo qoftë dhe shabllone që t’i kushtohej sipërmarrjes në këtë vend. Nga ky mëkat primar, rrodhi vetvetiu i dyti.

Kryeministri premtoi uljen e përqindjes së papunësisë nga dy shifra, në një shifër, por pa dhëne asnjë pistë sesi do të krijohen këto vende të reja pune. Në një ekonomi tregu, punën e gjeneron sipërmarrja. Pa sipërmarrje të zhdërvjellët dhe rentabël, s’mund të ketë vende pune, por vetëm papunësi në masë. Siç është rasti i Francës, që vuan nga mungesa e kontingjenteve aktive dhe eksportuese të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, krahasuar me Gjermaninë apo SHBA-të. Masat e para të presidencës së Makronit, që po i shpall këto ditë, janë pa asnjë kompleks probiznes.

Në rastin e Shqipërisë, papunësia në masë, për shkak të amullisë së ndërmarrjeve rëndohet dhe nga fenomeni i emigracionit në mase. Po vazhdoi më gjatë ky fenomen, nuk është e pamundur që Rama ta mbajë premtimin dhe ta zbresë në një shifër nivelin e papunësisë, por meritën për këtë do ta ketë boshatisja e vendit…

SIPËRMARRJE ËSHTË KRYEFJALA

Mungesa në programin e Qeverisë “Rama 2” e një kapitulli të veçantë kushtuar biznesit, bëhet dhe më e habitshme po të kihet parasysh se në fillim të mandatit të parë, Rama u tregua me elokuent si për ndërmarrjet ashtu edhe për hapjen e vendeve të punës. Rezultatet finale ishin zhgënjyese, por të paktën në ligjërim, prononcimin e disa masave nuk e neglizhoi, ndryshe kësaj here, ku nuk tha asgjë në program. Për shembull, më 2013, për ndërmarrjet Rama parashikoi në formë mbështetjeje kthimin e borxheve të krijuara ndaj tyre nga qeveria e mëparshme.

Dhe pjesërisht i lau ato borxhe, ndonëse ajo masë nuk pati efekte konkrete tek ulja e nivelit të papunësisë. Edhe për papunësinë, kur premtoi se do të hapte 300 mijë vende pune, atë premtim Rama e bazoi te formimi profesional masiv i të papunëve, që dhe ai nuk dha rezultat. Por të paktën në nivelin ideor, diç- ka u tentua. Kësaj here boshllëku në program është impresionues, gjë që të bën t’i frikësohesh një dështimi po dhe aq impresionues.

Çështja, të paktën në shtrimin e ekuacionit, duket e thjeshtë. Si të veproje një qeveri që numri i ndërmarrjeve të shtohet, që ndërmarrjet që ekzistojnë të shtojnë prodhimin, që ato që shtojnë prodhimin të fillojnë apo të shtojnë eksportin? Në çdo etapë të zmadhimit të aktivitetit, shtohet nevoja për fuqi punonjëse. Sa më shumë shtohet punësimi, rritet edhe konsumi, i cili, nga ana e tij, rrit aktivitetin e ndërmarrjeve dhe punësimin.

Në këtë pikëpamje, sipërmarrësit janë aleatët më të natyrshëm, më të qëndrueshëm dhe më efikase për qeverinë dhe për objektivin kryesor të saj, krijimin e vendeve të punës. Sipërmarrësit bëhen prioritarë para gjithçka mase tjetër, para reformës në drejtësi, shëndetësi, arsim, pensione apo në energjetikë. Sipërmarrësi është kryefjala e çdo shteti modern. Një president apo kryeministër pragmatik, kur udhëton jashtë, interesohet të rrethohet më shumë nga sipërmarrës sesa nga oborrtarë.

Kurrë s’e kam parë Kryeministrin e vendit tim të udhëheqë një delegacion sipërmarrësish nga Shqipëria, edhe kur merr pjesë në forume ekonomike. Herën e fundit asistova në Paris te prania e tij në forumin botëror të ekonomisë pozitive, organizuar nga Zhak Atali. Gjeje aty të pranishëm një panel të jashtëzakonshëm nga ndërmarrjet e vogla e të mesme deri te shumëkombëshet “Oreal” apo “Microsoft”. Ishte nder për Edi Ramën që u ftua në atë forum. Por sa i vetmuar, i shoqëruar nga një ambasador dhe një këshilltar. Ishte sërish një rast i humbur që të kishte mbas vetes një grusht sipërmarrësish… Një shtetar modern duhet të mendoje me prioritet nga mëngjesi deri në ngrysje, se çfarë ka bërë gjatë ditës në favor të biznesit vendas.

Edhe atlete të kombinuara me kostum le të veshë, por jo për egon e tij personale, por për mesazh për biznesin, duke u veshur me marka të prodhuara në vendin e tij. Më kujtohet ministri më karizmatik i Holandit në Francë, Arno Monteburg, që pasi u emërua ministër i Ekonomisë, u vesh me fanellë marinari. Atyre që e tallën, si shqiptarët që u shokuan nga atletet e Ramës, Monteburg u përgjigjej se në vend që të talleshin , të bënin si ai dhe të blinin ato fanella që vetëm një ndërmarrje stoike kishte mbetur në Francë për t’i prodhuar, se të tjerat ia kishin mbathur për në Kinë.

Patriotizmi ekonomik nuk është ai që kujton Kryeministri ynë, si të rriten të ardhurat në arkën e shtetit. Kjo duhet të vijë si rezultat i rritjes së të ardhurave të biznesit, ndaj për fitimet e ndërmarrjeve duhet të preokupohet me prioritet. Në komunikimin e tij javor, Kryeministri duhet të jetë në gjendje të japë shifra optimiste mbi kompanitë vendase që kanë shtuar shitjet dhe eksportet, në vend që të humbasë kohë me kunja politike për partitë kundërshtare. Po ashtu dhe në Facebook, në komunikimin me «popullin» ku më shumë humbet kohë sesa zgjidh halle, Kryeministri të privilegjojë komunikimet me sipërmarrësit në ditë dhe orë të caktuara. Aty do t’i gjejë idetë dhe përgjigjet se si të hapë vende pune që ia kërkojnë me aq padurim qytetarët «dixhitalë».

PO OPOZITA?

Për mospërfilljen ndaj biznesit, me gisht nuk duhet treguar vetëm Kryeministri. Ai është produkt i një klase politike ku biznesi, në më të mirën e rasteve tradicionalisht është parë si lopë për t’u mjelur për interesat personale të pushtetmbajtësve, dhe në më të keqen si njerëz hajdutë dhe batakçinj që jo që s’duhen promovuar, por duhen përbuzur apo bastarduar me taksa e kërcënime të tjera fiskale e penale.

Të bësh biznes në Shqipërinë e kësaj klase politike shihet po aq vëngër sa në shtetet me ekonomi të planifikuar. Nuk ndien një aleancë të natyrshme midis politikës dhe biznesit në interes të vendit, por një siklet të dukshëm të politikës të bëjë apologjinë e biznesit. Simptomatike ishin dhe reagimet e opozitës dje për programin e qeverisë Rama 2. Nga 19 pyetjet e LSI-së e deri te shpërthimi i pëdëistit Tritan Shehu, se ne program nëpërkëmbej shëndetësia, nuk gjejë pikëpyetje se si e harroi Edi Rama biznesin. Përjashtim bëri një status i Kokë- dhimës, në emër të partisë së tij Zgjidhja.

Ndoshta refleks i një ish-sipërmarrësi që ka hyrë në politikë, por të paktën këtë të vërtetë ai e nënvizoi, programit i mungonte shtylla kurrizore, mbështetja për biznesin me një bankë publike. Sipërmarrësit në Shqipëri nuk presin lëmosha, por kushte që të konkurrojnë si të barabartë me të huajt. Kur bankat vënë kushte me një çmim antiekonomik, siç është rasti në Shqipëri i kredive për biznesin me interesa aq marramendëse sa nuk i do kush, i takon shtetit të luajë rolin rregullator me kredi të buta, që vetëm një bankë publike për zhvillim është në gjendje të lëvrojë.

Edi Rama është gati të kopjojë të gjitha ligjet dhe instrumentet nga Europa, përveç njërit që do t’i bënte realisht punë ekonomisë shqiptare: një bankë kombëtare publike për zhvillim, ashtu siç ekzistojnë prototipa të ngjashëm, si në nivelin e BE-së, edhe në çdo vend të BE-së. Si mund ta mbështetesh me efikasitet biznesin po s’i dhe mundësinë të investojë dhe të inovojë, të marrë pjesë në panaire ndërkombëtare dhe të bashkëveprojë me këshilltarët ekonomikë të ambasadave tona për të gjetur tregje dhe partneritete? Këto iniciativa i organizon shteti dhe për ato duhet vullnet i mirë, por dhe fonde.

500 milionë dollarë mburret Kryeministri se ka shpenzuar në mandatin e kaluar për të ndihmuar biznesin, duke shlyer faturat e prapambetura nga qeveritë e demokratëve. Po këtë mandat sa do të shpenzojë për zhvillimin e biznesit? Sa do ta ketë buxhetin operacional ministria e re që ka krijuar enkas?

Po t’i bazohemi programit që pamë dje, janë zero fonde. Sikur një të pestën e shumës së mandatit të kaluar në ndihmë për biznesin, domethënë vetëm 100 milionë euro, t’ia kushtonte Kryeministri në këtë mandat krijimit të një banke publike për kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, janë me qindra ndërmarrje të tilla që do të përfitonin për të zgjeruar aktivitetin, duke blerë një makineri, apo duke punësuar një komercial apo printuar katalogë për marketing në panaire jashtë.

Viti 2018 mund të jetë ai i Skënderbeut, por nuk është Gjergji që do të na ushqejë, as kali i tij që do të bllokojë hordhitë e emigranteve që po lënë vendin. Mandati 2017-2021 do të jetë mandati i sipërmarrjes, ose s’do të jetë fare! Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për një elektroshok probiznes, siç vepruan SHBA-të me “Small Business Act” para një gjysmë shekulli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura