Rama hap “thesin” para zgjedhjeve, jep 5 mijë lekë lëmoshë për pensionistët! Si Kryeministri po shkel ligjin elektoral, Kodi Zgjedhor e ndalon

Mar 30, 2023 | 9:01
SHPËRNDAJE

NGA VALENTINA MADANI

Kur na ndajnë vetëm 30 ditë nga zgjedhjet vendore të 14 majit, Kryeministri Edi Rama premtoi dje rritje të pagës mesatare, ndërsa foli për një shifër prej 900 eurosh.

Në një komunikim me gazetarët kreu i qeverisë shqiptare njoftoi se pensionistëve në prill do iu jepet 5 mijë lekë të reja plus pensionin e tyre, një lëmoshë kjo krahasuar me vlerën e taksave që ka mbledhur nga eksportuesit e mëdhenj të energjisë.

“Do flasim për një rritje pagash që synon ngritjen në harkun e këtyre dy viteve, të Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit. Synojmë të realizojmë një target të një page mesatare prej 900 eurosh që do të thotë se jemi në kushtet e një mundësie të re, një mundësi që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në mundësi të njerëzve dhe pas rritje së pagës minimale mund të shkojmë drejt rritjes së pagës mesatare. Do të kemi një rritje tani së shpejti për një pjesë të shkallëzuar, detajet do i diskutojmë pas aktit të miratimit, për një periudhë për 15 vitet e ardhshme.

Do i qëndrojmë zotimit për rritjen e pagës së mjekëve dhe infermierëve me 7%. Ndërkohë që mjekëve specialistë paga iu rrit me 50 mijë lekë të reja çdo muaj. Më pas, do shkojmë te rritja e konsiderueshme. Për të tjera kategori do kemi rritje të tjera. Jemi në kushtet kur mund t’ju themi se pensionistëve se zotimin për të shpërndarë drejt tyre taksën e jashtëzakonshme që vumë mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë do ta mbajmë sikundër e thashë dhe më parë.

Sot, nuk kemi vetëm zotimin e përgjithshëm, por dhe informimin konkret se për pensionistët do ketë dhe 5 mijë lekë të reja që do shkojnë bashkë me pensionet që do marrin herën e ardhshme”, deklaroi Edi Rama.

SHKELJA

Kryeministri Rama shkel Kodin Zgjedhor. 50 ditë para zgjedhjeve qeveria vendos t’u japë 5 mijë lekë shpërblim pensionistëve. Kodi Zgjedhor përcakton në nenin 91 të tij se në një periudhë 4 muaj para zgjedhjeve ndalohen vendime me efekte financiare si rritje pagash e pensionesh, ndryshime në politikat fiskale, si dhe investime të paparashikuara në buxhetin e shtetit.

“Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e benefiteve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore”, thuhet në pikën 4 të nenit 91 të Kodit Zgjedhor.

Kryeministri nuk është mjaftuar me kaq, por ka premtuar edhe rritjen e pagave në administratë. Ai lajmëroi se qeveria ka në plan rritjen e rrogave, me qëllim që përgjatë dy viteve paga mesatare të arrijë në 900 euro.

“Këto janë të gjitha çështje dhe zotime që janë marrë den baba den dhe nuk kanë lidhje me Kodin dhe zgjedhjet. Ne i respektojmë kinezëritë që i kemi bërë, por nuk na pengon të shpërblejmë pensionistët”.

Kryeministri nuk dha përgjigje kur u pyet nga gazetarët nëse ka dijeni për vonesën e dekretimit nga Presidenti të Vlora Hysenit si drejtuese e re e SHISH apo mbi hetimet për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj.

“Këto thashethemet e katundit nuk kam as dëshirë e as nevojë e as kohë për t’u marrë”. Ndërkohë pyetjes nëse këtë vendim e lejon kodi zgjedhor pasi merret pak para fushatës, Rama e hodhi poshtë.

“Këto janë çështjes dhe zotime që janë marrë denbabaden dhe nuk kanë lidhje me kodin zgjedhor dhe zgjedhjet. Për pensionistët që janë mbi të gjithë dhe që për një mijë e një arsye kanë dhënë më shumë se të gjithë dhe nga kjo histori ndryshimi kanë marrë më pak, s’duhet t’i shkojë në mendje askujt ta bëjë këtë pyetje. Ky për pensionistët është një adresim në vazhdim i një problemi siç ekzistonte dhe më parë, se qeveria është aty, në mbrojtje të të gjithë familjarëve, dhe bizneseve të vogla. S’mund t’u them se do prisni disa muaj se kanë vendosur partitë, ato kinezëritë. I respektojmë ato kinezëri që i kemi bërë vetë, por s’mund t’i shkojë ndërmend njeriu që mund të na pengojë ne të bëjmë këtë gjë për pensionistët”, u shpreh kreu i qeverisë.

Nuk jemi në kushte të zakonshme dhe nuk mund t’u themi njerëzve prisni edhe katër muaj sepse kështu është puna. Ne do të bëjmë një rritje pagash historike në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Është një rritje pagash, ndryshe nga rritjet e tjera që kemi bërë më parë. Por një rezultat i reformave, përpjekjeve dhe ndryshimeve që kanë ndodhur, për të cilat shumë njerëz thonë përse ne kemi ende paga më të ulëta se sa të tjerët në rajon. Pagat nuk rriten sipas qejfit, por në raport me mundësitë për të garantuar pagimin e tyre. Duke qenë se ne i kemi hedhur bazat do të bëjmë tani reformën më të rëndësishme për njerëzit, të të gjithë strukturës së pagave.

Kjo reformë do të impaktojë drejtpërdrejt edhe sektorin privat. Do të hyjmë në një faze ku shteti do të bëhet konkurrent me sektorin privat dhe këtu flas për pagat e larta.

Pyetjes së; “Çfarë efekti pritet të prodhojë në skemën e pensioneve?”, Rama iu përgjigj se: “Pensionet janë të lidhura me diçka krejt tjetër, me kontributet dhe nëse një vend nuk ka siguruar në vite që kontributet të mblidhen dhe pjesa më e madhe e njerëzve i kanë parë kontributet si gjëja e fundit që duhet të mendojnë, nuk ka se si pensionet të jenë të larta. Por do të bëjmë çmos të rikuperojmë një kohë të gjatë të humbur”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura