Edi Rama: Përse Tom Doshi përjashtohet nga Grupi i PS (fjala e plotë)

Mar 2, 2015 | 14:48
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Nderkohe qe nuk pranoi te bente komente per median, lidhur me vendimin per perjashtimin e deputetit Tom Doshi, kreu i PS-se, publikoi ne rrjetin social FB, fjalen e plote te mbajtur sot ne mbledhjen e grupit, duke e sqaruar permes ketij postimi edhe arsyet e vendimit te marre. 


Rama gjate nje mbledhjeje grupi te PS

Fjala e plotë e Ramës në grupin parlamentar socialist:

Do të kisha dashur të mos vinte nevoja për t’i thënë këtij grupi fjalët që sot është e domosdoshme të thuhen. Sa më qartë.

Unë jam krenar për gjithë çfarë kemi bërë në këtë një vit e gjysëm të qeverisjes sonë.

Jam krenar që sot, shumica dërrmuese e shqiptarëve mendojnë se vendi po ecën në drejtimin në duhur. Një sërë anketash të rezervuara, flasin për një kthim të fortë të besimit të humbur tek shteti për vite të tëra. Ashtu siç flasin për një pritshmëri shumë të lartë ndaj nesh. Çka nga njëra anë, do të thotë se një vit e gjysëm pasi kemi marrë detyrën, pritshmëria e 23 qershorit nuk ka rënë falë punës që kemi bërë. Por nga ana tjetër, do të thotë po ashtu se njerëzit presin nga ne shumë më tepër se ç’është bërë deri më sot. Unë këtë e di fort mirë, qeveria dhe grupi ynë parlamentar duhet ta dinë këtë po kaq mirë. Duhet ta dimë këtë edhe më mirë, kur rrezikojmë të biem pre e vetëkënaqësisë apo, po njësoj, e pakënaqësisë. Dhe së bashku, duhet të sfidojmë çdo ditë vetveten, për të mos rënë në kurthin e pakënaqësive personale apo të ngurrimit përballë pengesave të përditshme, që dalin në rrugën tonë aspak të lehtë të reformave.

Jam krenar për faktin se kemi çelur, me vendosmëri shtetndërtuese, një kantier reformash rrënjësore që shtrihet në çdo sektor; nga organizimi territorial-administrativ tek siguria e drejtësia; nga administrimi fiskal tek pensionet dhe ndihma ekonomike; nga energjia tek arsimi e shëndetësia; nga mjedisi i biznesit tek prona, bujqësia, industria minerare e me radhë – s’ka asnjë sektor të papërfshirë në kantierin e reformave.

Kemi ndërmarrë reforma jetike për Shqipërinë që duam të bëjmë; reforma të shtyra pafundësisht në kohë me vite të tëra duke krijuar varfëri, papunësi, injorancë, korrupsion dhe, në tërësi, prapambetje të madhe të Shqipërisë.

Të tjerët përpara nesh, për vite të tëra, zgjodhën të konsumohen nga pushteti duke zvarritur reformat. Ne kemi zgjedhur ta konsumojmë pushtetin për të bërë reformat.

Nëse sot ka pak diskutim të mundshëm për faktin se pas shumë kohësh, Shqipëria vlerësohet prej aleatëve tanë strategjikë, në Bruksel e në Uashington, si një vend ku ka rilindur shpresa e modernizimit të mëtejshëm, kjo lidhet drejtëpërdrejtë me atmosferën pozitive që ka krijuar kantieri ynë i reformave. Prandaj e morëm edhe statusin e vendit kandidat. Prandaj shihemi dhe trajtohemi sot me respekt nga të tjerët. Prandaj kemi fituar një peshë të re në rajon.

Nëse institucionet ndërkombëtare, flasin pas shumë vitesh me tone optimiste për Shqipërinë në aspektin financiar, ekonomik apo politik, ky është rezultat i drejtëpërdrejtë i impaktit të kantierit të reformave tona. Këtë impakt e tregojnë edhe shifrat që kanë nisur të flasin për rritje të ekonomisë, punësimit dhe konsumit. Ashtu sikundër po flasin për rënie të qëndrueshme të krimit dhe informalitetit.

As e kemi marrë pushtetin në kohë të mira për ekonominë, përkundrazi, dhe as po qeverisim në kohë të mira për ekonominë. Por konteksti krejt i pafavorshëm i ekonomisë, nuk na ka penguar të kthejmë timonin në drejtimin e duhur dhe të marrim rezultate inkurajuese në rrugën tonë.

Nëse njerëzit e këtij vendi, i kanë mbështetur në shumicë dërrmuese edhe operacionet më të vështira që diktohen nga reformat, kjo do të thotë se shqiptarët e ndjejnë fare mirë që nuk ka më kohë për të vrarë. As nuk ka më kohë për t’u qarë. Dhe aq më pak ka kohë për t’u ruajtur nga kostot e reformave. Kjo është koha për të operuar thellë, pavarësisht dhimbjeve që prodhon operacioni dhe sidomos, pa frikën e konsumimit të pushtetit.

Dua t’jua përsëris sot me forcë: Ne nuk kemi fituar për të ndenjur në pushtet me çdo kusht, po për ta ndryshuar kushtet e vendit duke i lëvizur të gjithë ujrat e ndenjur. 

Askush nga ne nuk ka mandat për të vajtuar dhimbjet e reformave apo për t’u ankuar për shpejtësinë e për thellësinë e tyre. Ne nuk jemi në qeveri për t’u matur me hijen e çdo dite, po për t’u matur me rezultatet që do të marrim nga reformat në vitin 2017.

Sigurisht, deri në 2017-ën jemi objektivisht larg rezultateve që nuk ka dyshim se do të na japë ky kantier i hapur reformash. Duhet një mendjelehtësi shembullore për të kërkuar që çka po mbjellim sot, ta korrim po sot. Apo për çka nuk po e korrim që sot t’ia vemë fajin asaj që po mbjellim. Ashtu siç duhet një cinizëm i spikatur për t’u bërë zëdhënës i pakënaqësive të natyrshme, duke i mveshur vetes, Partisë Socialiste, apo konkretisht qeverisë, përgjegjësi që s’janë tonat për prapambetjen e krijuar në vite të gjata pseudoreformash.

Unë e di që mendjelehtësia apo cinizmi në gjykimet e ditës ndaj një force në pushtet, janë të vjetra sa vetë interesat që i ushqejnë, dmth sa vetë jeta politike. Asnjë mrekulli nuk i shëron. Por le t’ia lemë opozitës të metën organike të të qenit edhe mendjelehtë edhe cinike, dhe le të kujtohemi çdo ditë se kjo është koha jonë për të qeverisur, me pasion e këmbëngulje, Shqipërinë e njëmijë e një problemeve.

Për ne kjo është koha e detyrës kombëtare për të udhëhequr me largpamësi dhe vendosmëri. Për një forcë qeverisëse reformiste si e jona, është e papranueshme të turbullohet nga çfarëdo forme e shprehjes së dhimbjeve që shkaktojnë reformat. Do të ishte njësoj si një trupë mjekësh të humbte toruan dhe radhën e punëve, gjatë një operacioni shpëtimi të një jete.

Ne duhet të ecim çdo ditë përpara pa e humbur fokusin nga pika ku duam të mbërrijmë përmes operacionit. Pa u lëkundur as nga pasiguria që nxisin pakicat e zhurmshme politike apo sociale, dhe as nga pakënaqësia e natyrshme që lind hera – herës brenda secilit prej nesh, për arsye nga më të ndryshmet. Dhe pa harruar se të gjithë janë të nevojshëm, po e domosdoshme është vetëm linja që ka përcaktuar populli shqiptar në 23 qershor. Linja e Rilindjes Shqiptare. Linja e reformizmit rrënjësor dhe e modernizimit me çdo kusht të shtetit tonë. Linja e ndarjes së prerë me filozofinë qeverisëse të njëzet viteve, “tërhiqe mos e këput”.

Çka kemi bërë në këtë një vit e gjysëm, e kemi bërë bashkë.

Askush nga ne nuk është i pagabueshëm.

Aq më pak janë të pagabueshëm ministrat, të cilët për shkak të detyrës kanë më shumë ngarkesë për të mbajtur dhe vendime për të marrë.

Edhe më pak akoma, jam i pagabueshëm unë për vetë peshën e pazakonshme të detyrës së kryeministrit.

Por jam sinqerisht krenar për punën e ministrave gjatë këtij një viti e gjysëm, pavarësisht se puna më e madhe mbetet ende për t’u bërë dhe ka pa pikë dyshimi, një sërë aspektesh të punës së tyre që duhen përmirësuar në vijimësi.

E di fort mirë se shumëkush këtu ka rezerva të ndryshme, për gjëra nga më të ndryshmet, të cilat lidhen me punën e qeverisë, me ministra apo me drejtues të tjerë.

Rezerva kam edhe unë vetë, edhe për vetë punën time apo të shumëkujt këtu, qoftë ministër qoftë deputet.

Madje dua t’jua them hapur se nuk besoj që po të bënim një debat vetëkritik, ka ndonjë më vetëkritik sesa unë në këtë sallë për çfarë duhet të bëjmë më mirë.

Por po ashtu, jam i sigurtë se nëse do t’iu bënim një vlerësim këtyre rezervave tona, disa do të qëndronin e disa jo. Siç jam po ashtu i bindur se rezervat e arsyeshme, të mbledhura të gjitha së bashku, nuk do ta zbehnin dot vlerën e punës së madhe që kemi bërë – në kushtet skandaloze ku e kemi marrë detyrën dhe situatën dramatike ku e lanë vendin kundërshtarët tanë.

E theksova vlerën e kësaj pune, sepse për mua aq sa është e natyrshme të kemi rezerva nga më të ndryshmet, aq është e pavolitshme t’i bëjmë rezervat brumë të komunikimit tonë dhe po aq është e papranueshme t’i lejojmë vetes cënimin e qëllimshëm të vlerës së punës së bërë.

Unë vetë nuk jam bërë kryeministër për t’u konsumuar nga pushteti duke shtyrë sa më shumë qëndrimin në karrige përmes gjysëm punësh e gjysëm vendimesh, po për ta konsumuar pushtetin natyrshëm duke bërë reforma reale, operacione të thella, punë të vështira.

Qeveria jonë është krijuar po për këtë qëllim, si një skuadër që çon përpara reformat, jo si një seleksion individësh që punojnë secili në hesap të vet sipas traditës.

Por kjo vlen padyshim për të gjithë grupin parlamentar, të cilin e kam parë qysh në ditën e parë të lindjes së tij, si fuqinë mbështetëse të reformave tona rrënjësore.

Këtë një vit e gjysëm grupi parlamentar, përmes komisioneve, ka bërë vazhdimisht kritikën konstruktive të projekteve të qeverisë. Ka pasur edhe debate të nxehta për çështje të caktuara mes komisioneve dhe ministrave. Asnjëherë nuk kam kërkuar që një praktikë e tillë të zbehet, përkundrazi.

I kam kërkuar dhe do t’i kërkoj me këmbëngulje ministrave të ndërtojnë një urë solide komunikimi me komisionet përkatëse, ku të ketë informim të vazhdueshëm si edhe ballafaqim çdo çështje apo pikë me debat.

Madje përtej kësaj praktike debati kolegjial mes qeverisë dhe grupit në procesin e ligjvënies, kam pranuar si pjesë të natyrshme të bashkëjetesës sonë edhe qëndrime publike deputetësh mbi çështje apo ide me të cilat s’jam gjëkundi dakord.

Edhe pse qëndrime të kësaj natyre në rastin më të mirë e shpërqëndrojnë vëmendjen e publikut dhe në rastin më të keq, fatkeqësisht, u bëjnë padashje jehonë nga brenda spekullimeve të kundërshtarit ndaj nesh, mbeten gjithësesi shprehje e gabueshmërisë së secilit prej nesh.

Si të tilla mund të jenë të diskutueshme në përmbajtje, të kritikueshme në metodë, po jo të dënueshme.

Por jam tejet i keqardhur që nuk mund të them dot të njëjtën gjë, kur qëndrimi i një deputeti bie ndesh me normat më elementare të kontratës së bashkëjetesës sonë dhe kështu bëhet një qëndrim i dënueshëm.

Secili prej nesh ka një kontratë bashkëjetese me këtë parti dhe me këtë grup. Padyshim me secilin dhe secilën prej jush, mua më lidh përveç punës edhe një marrëdhënie njerëzore e veçantë. Me uljet e ngritjet e natyrshme të temperaturës si në çdo rreth të ngushtë shoqëror. Por ashtu sikundër mosmarrëveshjet personale mes njëri – tjetrit nuk mund të jenë kurrë për mua, udhërrëfyes në qëndrimet e mia si kryeministër e kryetar partie ndaj çdokujt prej jush, unë nuk kam asnjë mundësi të mbështes apo lejoj në heshtje shkeljen, nga cilido këtu, të normave bazë të kontratës së bashkëjetesës sonë në këtë grup. Sepse me këtë grup janë të lidhur sot fatet e vendit tonë, përpara të cilave fati i interesave sado legjitime të secilit prej nesh s’ka asnjë peshë.

Në këtë grup, gjithkush mund të thotë atë që mendon për qeverinë. Por askush nuk mund të mendojë të thotë, as këtu dhe as në publik, se i ka shpallur luftë qeverisë.

Në këtë grup gjithkush mund të shprehet lirisht për çdo ministër apo drejtues të lartë institucioni. Por askush nuk mund t’i japë vetes lirinë që të cënojë të drejtën e dinjitetin e kujtdo, dhe jo më të një ministri të Republikës së Shqipërisë apo qoftë edhe një të drejtuesi të një agjencie shtetëror.

Në këtë grup gjithkush mund të ngrejë shqetësimin e korrupsionit dhe mund të flasë hapur, për çdo rast apo fakt konkret korrupsioni, me emër e mbiemër. Por askush nuk mund të ngrihet si i shqetësuar për korrupsionin, që t’i japë vetes rastin të flasë mbarë e mbrapsht për qeverinë, ministrat ose drejtuesit e institucioneve të shtetit.

Në këtë grup gjithkush mund të flasë për çdo pakënaqësi që ka, lidhur me sa po i mbajmë apo nuk po i mbajmë premtimet ndaj elektoratit. Por askush nuk mund të shpërdorojë besimin e elektoratit për të cënuar qeverinë ose cilindo ministër apo zyrtar të shtetit, me shprehje ekstreme pakënaqësirash krejt personale.

Në këtë grup gjithkush mund të jetë vetvetja, por askush nuk mund t’i imponojë këtij grupi daljen nga vetja.

Për të gjitha ato që në këtë grup janë të papranueshme, unë kam detyrimin të shpreh qartë dhe prerë, edhe pse me keqardhje, pikëpamjen time si kryeministër dhe si kryetar i Partisë Socialiste, se deputeti Tom Doshi na e ka bërë të pamundur ta pranojmë në vazhdim si pjesë të grupit tonë parlamentar. 
Nëse qëndrimi i deputetit do të kishte prekur thjesht personin dhe dinjitetin e personit tim, unë sot do të kisha kërkuar mirëkuptimin tuaj për të mos mbajtur qëndrim të prerë ndaj tij. Por me akuzat e tij deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cënuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie.

Prandaj, unë kam bindjen se sot ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me Partinë Socialiste, dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës sonë parlamentare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura