Rama fjalim plot ironi për gjyqtarët: Tërhiqemi nga negociatat, PD ta zgjidhë me SHBA-BE

Jul 15, 2016 | 13:23
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar sot me refuzimin e radhës të PD-së, për propozimin hibrid të amerikanëve për Reformën në Drejtësi.

Rama_Konference

Në një konferencë për media nga kryeministria, ku kishte paralajmëruar propozimin e ri për opozitën lidhur me reformën, Rama e ka quajtur të paimagjinueshëm alibinë e radhës të opozitës për çështje të sovranitetit, duke e quajtur si rreziku euro-amerikan.

“Sovranistët kanë arritur në absurde të tilla se c’na duhet BE, pse budallenj janë britanikët që dolën. Madje njëri syresh thoshte se sikur ndërkombëtar të dalin të korruptuar si tanët kujt do t’i ankohemi. Sigurisht, sepse ndërkombëtarët nuk merren në telefon për të thonë ma shiko Labin, kaloje pak Gjinin, është një Jonuzaj, mirë është të kalojë e si këto, këto nuk bëhen me ndërkombëtarët”- tha Rama.

Sipas tij, Shqipëria që synon të anëtarësohet në Evropë nuk mund të vendose se cilat rregulla të Evropës pëlqen e cilat jo.

“Pse u zvarritëm cerek shekulli në arat e korrupsionit e ndërtuam mu në mes të sheshit një sistem më i diskrediduar në gjithë Evropën. S ta bëjmë pastrimin e sistemit të drejtësisë nga kjo koorporatë të pasurish që e blejnë edhe Mesin dhe e sjellin të lozë me Kamzën e Xhelal Mziut”- tha Rama.

Sipas Ramës, kërkesa e re e PD dhe klithma e djeshme e dëshpërimit për mbrojtjen e sovranitetit të vendit nga rreziku euro-amerikan, janë dëshmia se opozitarët nuk u zhytën në ujin e Venecias për të nxjerrë sistemin nga goja e peshkaqenit që donte të kapte drejtësinë.

Kreu i Qeverisë tha në prononcimin e tij për mediat se ai dhe PS-ja tërhiqen nga negociatat dhe PD tani duhet të arrijë paktin me SHBA e BE.

“Ne jemi gati të votojmë çdo gjë që PD do fusë në draft me kusht që të pranohet nga BE dhe SHBA që është në përputhje të plotë me standardet e kërkuara. Ka më qartë dhe më shumë konsensus se kaq? Kam një mesazh për tu përcjellë çdo qytetari që ka të drejtë vote. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi kemi bërë gjithçka që kemi ne në dorë për reformën në Drejtësi. E kemi shteruar gjithë fantazinë tonë për të gjetur zgjidhje të pranueshme për opozitën. Por pasi kemi bërë edhe lëshimin e fundit duke e akomoduar plotësisht kërkesën e PD dhe duke i krijuar kushtet që të dalë nga uji i Venecias, të thahet, të vishet, të vijë në Kuvend e të votojë e lumtur, gjendem përballë një ftese për të filluar luftën bashkë me PD kundër SHBA-së”, u shpreh Rama.

Sipas tij “ne nuk pranojmë më të qëndrojmë në një proces absurd negocimi vetëm e vetëm që ti japim PD-së mundësinë të gënjejë shqiptarët që jemi ne që e pengojmë kompromisin. Fusha është e lirë dhe dhëntë zoti që lepuri në barkun e tyre të bëhet luan dhe ata të vijnë të votojnë reformën në drejtësi. Unë vetë nuk e besoj që SHBA dhe BE janë gati ti thonë lepurit luan nëse është lepur e nuk është luan dhe të pranojnë deformimin e skeletit të reformës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura