“Rama filloi të hapë thesin e gënjeshtrave, 5 mijë lekë pensionistëve nuk iu dalin për ilaçe”/ Meta: Po thyen Kodin Zgjedhor me premtime elektorale

Mar 30, 2023 | 12:02
SHPËRNDAJE

 

Kreu i PL, Ilir Meta në një deklaratë për mediat tha se nisma e kryeministrit Edi Rama për t’i dhënë pensionistëve 5 mijë lekë ekstra, është një tjetër premtim bosh në ‘thesin e gënjeshtrave’.

Ilir Meta dekaroi se 5 mijë lekë pensionistëve nuk i arrijnë as për ilaçe dhe se Rama po thyen Kodin Zgjedhor, duke bërë premtime elektorale, pasi në 10 vite qeverisje taksat e marra nga shqiptarët nuk i ka kthyer në shërbime.

Sakaq kreu i PL shtoi se “në 14 maj, Rilindja do të marrë ndëshkimin e duhur nga shqiptarët për të gjithë mashtrimet e dhëna ndaj tyre”, ku citoi “ai është në borxh me shqiptarët, pasi me taksat e tyre ka pasur vetëm rritje në buxhetin e shtetit”.

“Edi Rama në ethet e humbjes së sigurtë, ka filluar të hapë thesin e gënjeshtrave të përsëritura që janë bërë bajat në 10 vite. Si shpërdoruesi më i madh, pas 10 vite në qeverisje doli sërish për të manipuluar me premtime boshe shqiptarët.

Shqiptarët e kanë provuar se Rama ka rritur në kushte tronditëse kushtet e jetesës. Është fakt se në vitet 2005-2013, pensionet u rritën deri në 70%, ndërsa ky që mashtron i rriti vetëm 22%. Shqiptarët e kanë provuar qeverisjen e tij, me rritjen e çmimeve të cilat vazhdojnë në mënyrë galopante. Në qeverisjen e Ramës, pagat dhe pensionet janë më të ulëta sesa Rajoni.

Në këto 10 vite varfëria është thelluar dhe inflacioni është rritur. Vetëm disa ditë para zgjedhjeve ai i premtoi pensionistëve 5 mijë lekë, çmimi i një thesi miell apo dhe që nuk i mjaftojë për të blerë ilaçe. Rama është në borxh me shqiptarët pasi ata kanë sjellë rritje në buxhet por nuk i është kthyer në mënyrë të drejtë. Pse priti deri në prill për dhënien e lëmoshës? Inflacioni është rritur, por Rama jep vetëm një lëmoshë për pensionistët, paratë e mbledhura i kishte në dispozicion që në vitin e kaluar. Rama po thyen kodin zgjedhor me këto premtime elektorale, pasi nuk bën asnjë punë, ai e kishte rastin të rriste më herët pagat.

Indeksimi i pagave është me ligj, në 14 maj, shqiptarët do t’i japin ndëshkimin e duhur mashtrimeve të Ramës. Do votohet për t’i dhënë ndëshkimin e merituar qeverisë së tij në kaq vite, ka shkatërruar pushtetin vendor, ka falimentuar disa bashki që duhet të ishin më të pasura si Kavaja e Vora. Taksat e qytetarëve duhet të përkthehen në shërbime të mira”, tha Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura