Rama-ëndrra që të kufizojë popullin

Apr 16, 2021 | 9:26
SHPËRNDAJE

baci-agim

AGIM BAÇI

Kushdo që e ka dëgjuar bashkëbisedimin e Kryeministrit Rama, disa ditë më parë, me një biznesmen për çështjen e hapjes së dyerve për të huajt nga Bangladeshi apo vende të tjera të ngjashme, do të duhej të ndalte me kujdes në një moment të bisedës kur z. Rama shprehet se “edhe ata mund të punojnë të qetë për sa kohë nuk kanë mësuar gjuhën e të bëjnë thashetheme apo të diskutojnë gjëra si demokracia, vota etj., etj.”.

Pra, z. Rama lë të kuptohet se më shumë se gjithçka e shqetëson ajo që kanë nisur t’i kërkojnë qartësisht bashkëqytetarët e tij për qeverisjen që duhet të vijë pas 25 prillit- një qeveri që të zbatojë ligjin dhe respekton rregullat e demokracisë për tregun dhe konkurrencën.

Këtë shqetësim të idesë së shqiptarëve për të vepruar sipas rregullave të demokracisë, ai e shprehu disa ditë më parë edhe përmes habisë se si sindikata e një institucioni vendosi të bënte grevë.

Pra, për z. Rama, demokracia është diçka që funksionon vetëm sipas versionit të tij- me njerëz që vetëm binden, me njerëz pa ide, e mbi të gjitha pa kurajën për atë që e konsiderojnë të drejtë.

Fatkeqësisht, pas tetë vjetësh në pushtet, njeriu që erdhi me sloganin “Do të bëjmë shtet”, tashmë e ka kaluar atë në moton “Pushteti është vetëm për mua”. Nën këtë moto, ai ka ndërtuar edhe gjithë komunikimin përpara shqiptarëve, duke u krenuar se “Unë ju solla vaksinat”, “Unë kërkova para për ju si lypsari më i mirë për rindërtimin”, apo “Shyqyr që më keni mua!”.

Në fakt, të tilla shprehje nuk janë vetëm slogane elektorale. Ai tashmë i thotë të tilla slogane me bindjen se ka këtë të drejtë mbi shqiptarët, sepse beson se është pardon i jetës së shqiptarëve, ndaj këmbëngul te të njëjtat slogane, pa u shqetësuar aspak se duhet të japë llogari për atë çfarë ka bërë lidhur me premtimet ndaj shqiptarëve.

Madje, së fundmi, nuk ka nguruar ta konsiderojë edhe si mëkat votën ndaj kundërshtarëve. Ndoshta po ëndërron të kthejë në ligj një qeverisje pa kundërshtarë.

Shkurt, Rama nuk po e fsheh më imitimin ndaj atij që e quajti “kafshën më të madhe politike”, që ishte ish-diktatori Hoxha, i cili vrau dhe internoi mijëra bashkëqytetarë të tij për 45 vjet vetëm e vetëm se nuk ishin dakord me idetë e tij.

Në këtë panoramë politike që ka krijuar Rama gjatë këtyre zgjedhje, është krejtësisht normale që ai të refuzojë çdo debat me kryedemokratin Basha. Sepse për të nuk vlen më debati nëse do të duhej të shpjegonte diçka nga programi qeverisës apo jo.

Tashmë e ka bërë të qartë që programi i tij është të drejtojë shqiptarët sipas një modeli talljeje, poshtërimi, injorimi dhe frikësimi. Ai beson se shtyrja e qytetarëve drejt varfërisë dhe dekurajimi i përditshëm përmes promovimit të modelit të “të fortëve”, do t’i kthejë tanimë qytetarët në një varësi padron-klient.

Me politikën e përcaktimit të fituesve të tenderëve publikë nga ai vetë, ai ëndërron të krijojë edhe “ekonominë e tij”, për të cilën ëndërron që të veprojë përmes planeve që do të nxjerrë ai në treg.

Për këdo votues që nuk e dëshiron diktaturën, do të mjaftonte vetëm kjo tallje e hapur ndaj elektoratit, që ai po bën në çdo takim, të mos kishin asnjë diskutim me veten e tyre nëse do të duhej të votohej ende z. Rama. Sepse, në thelb, të gjitha këto përpjekje zbulojnë dëshirën e z. Rama për të kufizuar popullin e tij.

Teoricieni gjerman i filozofisë politike, Jan Werner Muller, thotë se teoria e kufizimit të popullit vjen nga ata liderë që dëshirojnë ta përcaktojnë vetë se cila pjesë e popullit është vetë populli. E, në fakt, z. Rama ka dashur të përcaktojë në këto vite në pushtet se cila pjesë e shoqërisë vlen, se cila pjesë e medias vlen, se cila pjesë e artistëve vlen, se cila pjesë e biznesit vlen.

Kjo dëshirë vjen nga ideja që ka pasur në këto vite z. Rama për një popull imagjinar, që mahnitet pas tij e jo atë që mund t’i kërkojë llogari, që t’i kërkojë shtet të së drejtës, që t’i kërkojë konkurrim të lirë të tregut. Por, së fundmi, ai nuk arrin ta fshehë më nervozizmin ndaj shqiptarëve që e kundërshtojnë, që nuk e besojnë.

Me sa duket, më tepër se gjithçka e ka zemëruar fakti se populli nuk është as imagjinar e as naiv, siç ai e ka ëndërruar në Shqipërinë e tij në 3D. Dhe ka të drejtë, pasi ëndrra e tij për ta kufizuar dhe përcaktuar ai popullin, po i zhbëhet para syve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura