Rama: Do të nisim një debat publik me sipërmarrjen private për rritjen e pagave dhe deklarimin e tyre real. Jemi barazuar me Serbinë…

Mar 9, 2023 | 10:19
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nisjen e një debati publik me përfaqësues të sipërmarrjes private për rritjen e pagave dhe deklarimin real të tyre.

Rama u shpreh se Shqipëria është barazuar me Serbinë në nivelin e pagave dhe aktualisht është mbi Kosovën duke e cilësuar atë një mesatare të mirë për rajonin.

“Në fund të muajit bëhet edhe regjistrimi i kandidatëve dhe listavë për këshilltarët dhe nga ana tjetër përtej këtij aspekti është edhe ai programatik i fushatës, specifikat e zonave të ndryshme dhe përmbajtja thelbësore në rrafshin kombëtar në një moment kur përtej të gjitha vështirësive që kemi hasur dhe përtej kontekstit aspak të zakonshëm të ekonomisë si rezultat i luftës, i shtrëngimeve në mbarë Europën jemi duke ecur mirë.

Kemi bërë një hap të rëndësishëm për rritjen e pagës për mjekët specialistë që më në fund duke filluar nga muaji prill do të shpërblehen sipas pagave të larta të rajonit. Jemi faktikisht barazuar me Serbinë në pagë, jemi mbi Kosovën dhe në një mesatare të lartë. Të gjitha vendet tani janë pak a shumë rreth të njëjtë pagë.

 Po bëjmë një ligj të ri për një tërësi profesionesh dhe detyrash në shërbimin publik që kanë të bëjnë me aftësi të veçanta, duke filluar nga aftësitë dixhitale, në kushtet kur duhet të forcojmë mbrojtjen kibernetike, duhet të ofrojmë paga konkurruese në treg. Ashtu sikundër edhe për të tjera profesione. Procesi i integrimit kërkon një rritje të numrit të shkruesve të drafteve ligjore. Janë rreth 4 mijë akte ligjore dhe nënligjore. Dhe për këtë kemi nevojë të rrisim pagat, deri te agronomë dhe profesione të tjera në pika të ndryshme të shtetit që do të bëjnë që të ketë më shumë interes nga profesionistët.

Do të sjellim lart edhe sistemin e pagave Në ligjin për të ardhurat personale heqim plotësisht taksimin për pagën deri në 50 mijë lekë të reja. Do të kemi një rritje të pagave brenda piramidës. Kemi taksën e jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë që do ia dedikojmë pensionistëve. Janë të rëndësishme në këtë moment që të ndahen me njerëzit në kohën kur do të angazhohemi në një debat publik me sipërmarrjen private për nevojën e rritjes së pagave dhe deklarimit të pagave reale për punonjësit e sipërmarrjes private sepse është themelore”, deklaroi Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura