Rama dhuron 30 tableta për fëmijë jetim në Vlorë: Për 4 vite pajisim të gjitha shkollat

Jun 1, 2013 | 10:57
SHPËRNDAJE

VLORE- Në ditën e fëmijëve, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ishte në Vlorë ku dhuroi për fëmijët e jetimores së Vlorës 30 tableta elektronike.

Rama tha se objektivi i qeverisjes socialiste në katër vitet që vijnë, është që të gjithë shkollat e mesme, dhe dalëngadalë edhe ato 9- vjeçare, të pajisen me tableta elektronike, duke arritur deri në heqjen e librit.

“Tableta kanë një të mirë shumë të madhe, se fëmijët i mësojnë vete. Nuk kanë nevojë fare për mësues, për të mësuar si ti përdorin, dhe nëpërmjet tyre me aplikacione të ndryshme, mund të mësojnë edhe shumë gjëra që nga librat mësohen me më shumë vështirësi. Tabletat janë ato që ne duam të sjellim si një të re shumë të rëndësishme për shkollën. Ne duam që brenda 4 viteve të ardhshme, shkollat e mesme, dhe dalëngadalë edhe 9- vjeçaret, të pajisen me tableta. Objektivi është të arrijmë deri në heqjen e librave.”- theksoi kryesocialisti.

Rama u zotua se PS do të bëjë më shumë  për të gjithë fëmijët e Vorës, që kanë nevojë shumë për kushte më të mira, në çerdhe, kopshte, shkolla dhe në lagje. Fëmijët, vijoi Rama, kanë nevojë për hapësira dhe aktivitete që i shërbejnë mirërritjes së tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura