Rama dhe Open Balkan, gjeopolitika e tij e “shalqirit të Konispolit”

Sep 28, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

Artur-ZHEJIARTUR ZHEJI

Rama me sa duket e ha dhe e shijon shumë shalqirin. Aq shumë sa, edhe kur duhet të bëjë nënvizime të rëndësishme gjeopolitike, ai nuk ndahet dot nga shalqiri. Edhe sot, në Prishtinë, ndonëse u përpoq të mos merrej me shalqirin e Konispolit që zbukuron pemëtoret e Beogradit, si ilustrim pse duhet OpenBallkan, ai përsëri nuk ia doli.

Me studentët në Prishtinë, ai, në zjarrminë e shpjegimeve gjeopolitike, për t’i dhënë kuptimin e thellë ekonomik të domosdoshmërisë së OpenBallkanit, përmendi përsëri shalqirin e Konispolit. Freskinë që ai shalqi duhet të ketë për të mbërritur, në pemëtoret e Beogradit, pa pengesa kufitare dhe doganore ndërballkanike.

Mirëpo, arroganca e Vuçiçit për ca targa makinash rrëfeu se sedra serbe nuk pranon as edhe një gërvishtje. Ndërkohë që “reciprociteti” e acaron pa masë. Sepse Beogradi ndihet i fyer, vetëm nëse e trajtojnë si të barabartë, edhe për ca targa makinash që shqiptarët nuk paskan të drejtë të kërkojnë në territorin e tyre. Sepse qartazi sipas serbit, shqiptarët, nuk janë në territorin ne tyre, por në tokë serbe.

Tani është e kuptueshme që në këtë gjendje, kur kërcasin zinxhirët e tankeve, të rikujtosh gjeopolitikën e “shalqirit të Konispolit”, si “levë shtytëse” apo argument shpjegues të Openballkanërisë, bëhet qesharake. Dhe e dhimbshme, në të njëjtën kohë, sepse rrëfehet kësisoj se si, Kryeministri ynë, Kryeministri i Kullave me shumë kate, mbetet në katin përdhes të gjeopolitikës.

Prandaj, dhe me sa duket, studentja kosovare, në takimin që Kryeministri ynë i kullave të larta që po mbysin Tiranën bëri me të rinjtë në Prishtinë, ajo i foli ëmbël, po krejt pa lidhje, me temat e mprehtë. Studentja gjeniale, me emrin Elvira apo diçka e tillë, e stigmatizoi thelbin e Ramës: “Desha me thanë se, sa herë që del në Tv, je ikonë e modës… Pyetje nuk kam!”…

Në të vërtetë që pyetjet për Ramën duken se kanë mbaruar në Kosovën martire. Sepse, kur kërcasin zinxhirët e tankeve serbe në Kosovë, nanat sytë i kanë drejt djemve dhe çikave të tyre, që mund të përballen me një konflikt të ri. Të tjerat janë fjalë, të cilat Kryeministri i kullave të larta po i ujdis gjithmonë e më përtueshëm dhe gjithmonë e më “sajueshëm”…

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/