“Rama bëri lojë politike”/ Ekspertët flasin për rritjen e çmimeve të energjisë, Preçi: Qeveria të menaxhojë më mirë burimet! Malaj: Nuk ndodh në asnjë vend që kryeministri të…

Oct 6, 2021 | 0:05
SHPËRNDAJE

arbenmalaj-zefpreci

Rritja e paralajmëruar nga Kryeministri Rama e çmimit të energjisë sipas ekspertit të Ekonomisë, Zef Preçi, nuk tregon një krizë energjetike, por një krizë menaxhimi. Në një prononcim për “News 24”, daljen e Kryeministrit Rama një ditë më parë për të paralajmëruar situatë të jashtëzakonshme me krizën energjetike, eksperti Preçi e cilëson një lojë politike që çdo qeveri bën që në nisjen e mandatit që merr.

“Këtë dalje e shikoj më shumë si një lojë politike që merr nw konsideratë që është viti i parë i mandatit dhe është fakt i njohur që të gjitha masat antipopullore jo nga kjo qeveri, por nga të gjitha qeveritë janë ndërmarrë dhe ndërmerren në vitin e parë tw mandatit, sepse vitet që vijnë kanë kohë të amortizojnë dhe synojnë të ruajnë votat. Në të njëjtën kohë kjo pasqyron mungesën e suksesit për të mos thënë dështim në reformat që janë ndërmarrë në sektorin e energjisë, por dhe në sektorë të tjerë”, u shpreh ai.

Bota po përballet me një mungesë të theksuar energjitike, por për ekspertin Preçi Shqipëria ka kapacitete për ta zbutuar së paku rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Me investimet që janë kryer, janë mundësitë që të mos ketë efekte financiare. Domethënë teprica e energjisë tonë të depozitohet në Kosovë në periudhën e dimrit kur ne kemi prodhim të madh dhe njëkohësisht në periudhën e verës kur kemi nevojë mund ta marrim nga Kosova, sepse prodhon energji me burime qymyri”, tha Preçi.

Sipas Preçit, qeveria duhet të menaxhojë më mirë burimet që ka vendi.

“Kanalet e transmetimit në këtë rast janë çmimi i lartë i energjisë që importohet për një periudhë të shkurtër kohe dhe nuk është vendi për alarm as nuk është vendi për të thënë kurseni siç thuhej në periudhën e regjimit komunist. Është vendi për të përmirësuar qeverisjen për të ushtruar ato përgjegjësi dhe qeveria nuk është as për të bërë pyetje dhe as për të ngjallur panik. Qeveria është për të qeverisur, do të thotë për të zbatuar ato praktika të qeverisjes së mirë për të menaxhuar ato burime që vendi ka në dispozicion, burime financiare, natyrore”, shtoi Preçi.

Të premten, Furnizuesi i Tregut të Lirë pjesë e “OSHEE Group” mbylli ankandin e fundit për blerjen e energjisë për muajin tetor dhe bëhet fjalë për furnizimin gjatë periudhës 4-10 tetor. Çmimi mesatar i një megavati të blerë rezulton 233 euro, çmimi më i lartë me të cilin vendi ynë ka siguruar ndonjëherë energji nga tregu i lirë teksa një vit më parë e njëjta sasi energjie i siguruar për 50 euro. Ndërkohë, nuk ka një shifër zyrtare sesa fiton Shqipëria nga energjia që shet jashtë vendit.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në Shqipëri në 6-mujorin e parë të këtij viti, u rrit me 2,2 herë thotë Instituti i Statistikave dhe një pjesë e konsiderueshme e këtij prodhimi duket se ka shkuar për eksporte. Kështu, për 6-mujorin e parë të këtij viti Shqipëria eksportoi 924 GWH energji elektrike duke shënuar një rritje me 4,1 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa importet ranë me 66,5 për qind për një total prej 224 GWH energji.

ARBEN MALAJ

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, komentoi deklaratën e Kryeministrit Edi Rama të bërë një ditë më parë, ku paralajmëroi krizën e energjetikës, duke thënë se do të ketë efekte tronditëse dhe rritje marramendëse çmimesh. Në një lidhje me “Skype” për “News 24”, Malaj u shpreh se nuk ndodh në asnjë vend të botës, që kryeministri të mbajë një fjalim, i cili krijon panik në publik.

Sipas ish-ministrit, kriza e energjetikës nuk përafrohet me atë të tërmetit, apo pandemisë, duke shtuar se rritja e çmimeve ka ndodhur edhe më parë, dhe se një gjë e tillë ishte paralajmëruar edhe nga shkencëtarët.

“Kjo krizë nuk përafrohet as me tërmetin, as me pandeminë. Ka vite që shkencëtarët i kanë paralajmëruar qeveritarët që çmimi i naftës mund të shkojë në nivelet 80-100 dollarë për fuçi. Kjo do të thotë se duheshin marrë reformat e duhura. Dua të theksoj se nuk ndodh në asnjë vend të botës, që kryeministri të mbajë një fjalim, i cili krijon panik në publik. Nuk janë tronditur aq shumë kolosët e ekonomisë, se ne i ndjekim lajmet çdo ditë. Luhatjet e çmimeve janë një fenomen që ndodh shpesh. Ne duhet të ndajmë nëse është kjo një goditje afatshkurtër, apo një trend afatgjatë.

Shqipëria ka parashikuar që për një goditje afatshkurtër, kompanitë duhet të kenë rezerva për të amortizuar tregun. Nëse është krizë afatgjatë, Kryeministri duhet ta thotë. Ka dy strategji që qeveritë e përgjegjshme bëjnë, së pari thonë: do të sigurojmë ndihmë për shtresat e mesme e të varfra. Pra, kolona e parë është mbështetja sociale. Duhen ndërprerë menjëherë të gjitha shpenzimet e shtrenjta në ekonomi. Kërkohet përgjegjshmëri dhe kredibilitet maksimal, që ndihmon vendin për të menaxhuar këtë krizë. Nuk është hera e parë që ka rritje çmimesh”, tha Malaj.

Në dy vite OSHEE pagoi 177 milionë euro, 56 për qind e vlerës në 2021

Situata problematike hidrike në dy vitet e fundit ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të plotësojë konsumin në vend përmes importit që në 2020-2021 ka kapur një vlerë financiare prej 177 milionë euro.

Të dhënat zyrtare të importeve nga “OSHEE Group” tregojnë se shumica e kësaj vlere të paktën 56 për qind i takon importeve të këtij viti nga janari deri më 10 tetor, teksa sasia e importuar e energjisë është më pak se gjysma e një viti më parë duke reflektuar çmimin e lartë me të cilën po sigurohet kjo energji.

Çmimet e importeve, të cilat kanë pasur një mesatare të qëndrueshme nga janari në qershor me një vlerë 50.5 euro/ MWH kanë hyrë në një cikël të paprecedent rritjeje në javët e fundit duke kulmuar në ankandin e fundit të Furnizuesit të Tregut të Lirë ku çmimimestar i importit arriti 233 euro/MWH.

Përshkallëzimi i çmimeve me tendencë rritjeje ka ardhur nga ankandi në ankand dhe nga muaji në muaj. Në korrik çmimi mestar i importit ishte 107. 6 euro/MWH, në gusht 128. 2 euro/MWH dhe në shtator 165 euro/MWH. Aktualisht, për tetorin FTL-ja ka siguruar blerjen deri në datën 10 tetor teksa mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me situatën në vijim në kushtet kur nuk bëhet me fjalë vetëm për çmime të larta, por për mungesë sasie të disponueshme për të furnizuar tregun. Paralajmërimi për një situatë të jashtëzakonshme u bë një ditë më parë edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili nënvizoi se qeveria do t’i gjendet pranë shtresave në nevojë që mund të preken nga pasojat e çmimeve.

Një dalje e jashtëzakonshme në fundjavë e kreut të qeverisë dhe rritja çmimeve në nivele rekord të energjisë jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën duken se janë kambana se shumë shpejt tregu mund t’i nënshtrohet çmimeve të reja në një përpjekje për të shpëtuar nga kolapsi kompanitë e sektorit, të cilat kanë pasur humbje të larta financiare. Gjithsesi, kjo mbetet për tu parë. Në Bursën hungareze çmimet për pikun në datën 4 tetor paraqiten me një rritje 192% dhe saktësisht me vlerën 219 euro/MWH.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura