Rama, batuta në Vlorë: Ju gjithmonë nxirrni bishta. Nuk kënaqeni

Apr 1, 2016 | 17:30
SHPËRNDAJE

Për të gjithë shqiptarët që duan të shijojnë bregdetin e jugut të Shqipërisë, por edhe për turistët që shfaqin interes për vendin tonë, vjen një lajm i mirë.

Rama-1Udhëtimi përgjatë bregdetit jonian, do të bëhet i mundur në sajë të ndërtimit të korridorit Vlorë-Himarë. Këtë projekt e ka prezantuar pasditen e sotme nga Vlora kryeministri Edi Rama, i cili tha se punimet parashiohet të fillojnë në fillim të vjeshtës së këtij viti.

Por ndërsa përmendi disa nga projektet për Vlorën, në fjalën e kryeministrit nuk mund të mungonin as batutat për vlonjatët.

“Sado punë të bëjmë ne, vlonjatët nuk do jenë aq të kënaqur sa mos të nxjerrin bishta, se po të mos nxirrnin bishta nuk do të bënin histori siç kanë bërë deri më sot”, tha kryeministri.

“Kjo është ditë historike për këtë zonë dhe ky është projekti më i madh i ri. Projekti financohet nga e para tek e fundit, pasi na është dashur me një mal të madh borxhesh ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve, të cilat u kontraktuan nga qeveria e mëparshme në mënyrë abuzive për shkak se mungonin paratë. U lidhën kontrata në atë idenë ‘hajde se ti kam lekët’ dhe përveç borxheve të mëdha që akumuluan në këtë drejtim dhe sollën në fakt një situatë dramatike në 2013-ën, ku kompanitë nuk kishin fuqi të vazhdonin punën pasi bankat nuk kreditonin më kompanitë, ne gjetëm dhe pjesën tjetër të problemit që është vazhdimi i këtyre rrugëve të lëna rrugëve. “Pjesa e parë e rrugës së Qeparoit do të fillojë punë në fillim të vjeshtës, sapo të kryhen procedurat për ndërtimin e rrugës. Po kështu edhe pjesa e dytë do të fillojë brenda këtij viti. Është me rëndësi që të krijohet një korridor lidhës i Vlorës dhe bregdetin e Jonit, në mënyrë që të jetë lehtësisht e kalueshëm. Ndërkaq parashikohet rritja e kapaciteteve, dhe bërja e Portit të Vlorës të mundur për ankorimin e anijeve të mëdha dhe jahteve”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe tek projekti i Lungomares, duke u shprehur se nuk po ecet me ritmet e duhura.

“Projekti i Lungomares po ecën me ritme të mira, por jo aq sa duhej të ecte. Shpresojmë që të arrihet objektivi që ne kemi vendosur, dhe të mbyllen punimet përsa ka të bëjë me gjithë pjesën e bregut”, tha Rama.

Ndër të tjera ai tha se shumë kontrata gjatë qeverisjes “Berisha” janë firmosur symbyllur.

“Kjo që bëhet sot këtu është një standard i ri për të kërkuar që në projekt maksimumin dhe kërkesat e ligjit, por për të garantuar se për fillimin e punimit nuk ka surpriza, siç ishte surpriza e rëndë për aksin Tiranë-Elbasan. Kontrata u bë symbyllur. Jeni dëshmitar, siç është miku im Ezan Malja, që është dhe një nga sponsorët pasionant që të ndërtojë këtë rrugë, për gjendjen shumë të rëndë që është sot rruga. Edhe unë vetë kam pasur rastin që ta përshkoj, bashkë me Fatmirin. Është një shteg i mbushur me gropa ku eksesin, shërbimet e gjithë banorëve, është minimal”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura