Rama: Asnjë bashki në Shqipëri nuk do funksionojë nëse s’ka përputhje me qeverinë kombëtare. Bregdetin e Jonit e shpëtuam nga bathorizimi

Apr 28, 2015 | 21:10
SHPËRNDAJE

Në 18 muaj qeveria nuk mund të kuronte të gjitha plagët që ka Shqipëria dhe investimet e bëra nuk janë çelësi magjik, por çlirimi i energjive për ndryshimet që do vijnë me kohën. Kështu ka deklaruar sot kryeministri Edi Rama duke folur gjatë aktivitetit ku u prezantua projekti i “Kantierit të Rilindjes Urbane”, i transformimit përmes investimeve në infrastrukturë gjatë qeverisjes së mazhorancës së majtë.

Edi Rama duke folur gjate aktivitetit ne Sheraton

“Shqipëria s’është më territori i 25 viteve më parë kur mund të fillohej me sira, në ato planet rregulluese klasike që s’kanë pasur, s’kanë e s’do kenë asnjë gjasë të kenë sukses në një realitet si realiteti ynë…Shqipëria me kohë i ka pasur ligjet…por në realitet vjedhja e energjisë elektrike ishte ligjëruar…jemi në kushtet kur duhet të shikojmë, kuptojmë e mësojmë nga të tjerët, s’jemi i vetmi vend përballë kësaj sfide të zhvillimit, dhe kaq e lidhur me zhvillimin ekonomik dhe social…këto ndërhyrje s’janë çelësi magjik por çlirimi i energjive që do prekin qarkullimin e jetës në formën e njerëzve në formën e mallrave dhe në komunikimin intensiv që s’janë thjesht e vetëm rrugët…kemi parë abuzime të hatashme me të cilat mund të ishin bërë gjërat për së mbari para shumë kohësh”,- tha shefi i qeverisë.

Teksa duke folur për zgjedhjet e 21 Qershorit, Rama paralajmëroi: Nuk ka bashki në Shqipëri që mund të funksionojë nëse s’ka përputhje në vizion, program dhe strategjinë e ecjes përpara me qeverinë kombëtare, jo për faktin se e bllokon ose nuk e bllokon qeveria kombëtare, por se mospërputhja s’krijon sinergji e moskrijimi i sinergjisë nuk sjell zhvillim…Kriza në Tiranë filloi kur filloi mospërputhja me mua dhe qeverinë e qametit që nuk ishte por erdhi më mbrapa.

Kryeministri Edi Rama ftoi votuesit që të refuzojnë ofertën e opozitës në zgjedhjet e 21 Qershorit. 

“…kështu ndodhi gjithë këto vite në zona me rëndësi strategjike për Shqipërinë, u lanë në mëshirë të fatit, qytetet në tërësi…sot, investimi i bërë nga kjo qeveri në vetëm 18 muaj, është më i madh se ç’është bërë në 20 vjet nga organet qendrore…Sot ka më shumë se një arsye që duhet të refuzoni më 21 Qershor forcën që paraqitet si alternativë, sepse është forcë antiqytet, antiestetik, antiurbanizim, në kuptimin vulgaritet demografik. Dhe këtu flasin faktet.

Edi Rama duke folur gjate aktivitetit ne Sheraton

Mjafton të shikojmë vijën bregdetare të Jonit, një perlë për të cilën të gjithë kanë folur, për të cilën kemi thënë qysh në fillim të viteve 90 se këtu është potenciali i madh i zhvillimit. Një perlë, një vijë e madhe bregdetare, që populli shqiptar si sovran deshi, duke bërë atë, që bën ajo thënia, “Zoti e desh” ta shpëtonim në momentin që po e kapte flama e bathorizimit dhe ku po shfaqeshin gjatë gjithë trupit të vet ato zhvillime, që mund të mirëkuptohen në një zonë informale ku njerëzit ndërtojnë si jua pret mendja, sepse askush nuk ju thotë se si mund të ndërtojnë më mirë.

Por si mund të falen kur bëhet fjalë për një nga thesaret e vendit. E si është e mundur që nga njëra anë, për vite të tëra kanë tundur flamurin nacionalizmit, të patriotizmit të dashurisë, të atdhedashurisë, të dashurisë për figurat e historisë që nga Teuta e ilirëve për të cilën flasin sikur e kanë patur shoqe klase e deri tek Ismail Qemali, me të cilin kanë qënë në konkurrencë të vazhdueshme, pavarësisht se nuk e thonin dhe ta linin Gjirokastrën për 20 e kusur vite, pa asnjë kokërr leku investim dhe ta linin atë xhevahir të vërtetë të trashëgimisë kulturore të rrënohej në sytë e të gjithëve me shtëpitë që binin njëra pas tjetrës sikur ishte skena gjigande e një morti. Po Beratin? – për të njëjtat arsye.

Sepse ishin kështjellat të socialistëve dhe dashuria, nostalgjia apo përkatësia në klasë me Teutën e ilirëve ishte këtu në Tiranë, kurse atje vazhdonte lufta e barbarëve, për të marrë peng këto qytete që në fakt janë burimet më të mëdha të zhvillimit tonë të qëndrueshëm drejt të ardhmes, për arsye thjesht dhe vetëm politike”- tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura