Rakacolli tregon masat ndaj pandemisë për dy javët e ardhshme/ Bino: Janë rritur vaksinimet me dozat e dyta, ja bashkia me mbulesën më të mirë në Shqipëri

Sep 22, 2021 | 12:25
SHPËRNDAJE

Kryetarja e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli bëri me dije se në dy javët e ardhshme do të mbeten në fuqi masat anti-Covid në fuqi.

Ora policore do të vijojë të jetë në fuqi nga ora 23:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit. Gjithashtu, lejohet grumbullimi i qytetarëve deri në 50 vetë dhe në 30 % të kapaciteteve të ambienteve sportive apo kulturore. Mbeten në fuqi masat për hyrje-daljet nga vendi.

Rakacolli theksoi edhe një herë rëndësinë e vaksinimit, duke e konsideruar atë si armën më të mirë në dorë të qytetarëve. Ndërkaq drejtoresha e ISHP-së, Silva Bino tregoi se bashkia me mbulesën më të mirë vaksinale deri më tani është Gjirokastra.

Gjatë kësaj jave ka pasur një rritje të vaksinimit në lidhje me dozat e dyta. Ka pasur edhe një përmirësim në mbulesën vaksinale të bashkive të ndryshme. Bashkia e Durrësit ka dalë nga zona e kuqe. Bashkia që ka mbulesën vaksinale më të mirë, me një dozë 80 për qind dhe dy doza 60 për qind është Gjirokastra, e pasuar nga Delvina, Mirdita, Puka.

Ajo ç’ka vihet re është që arsimtarët e shkollave të mesme kanë një mbulesë më të mirë vaksinale, në krahasim me edukatorët dhe pedagogët në universitete. Nuk ka vaksinë që të ketë skaduar dhe të mos jetë përdorur. Ne nuk kemi humbje të vaksinës. Sa i përket punonjësve shëndetësor kemi mbulesë vaksinale të lartë, por kemi akoma nevojë për një rritje të vaksinimit të të gjitha grupmoshat, për të arritur shifrën 95 për qind”, tha Bino.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura