“Raif Elezi, tentativat për kryengritjen e armatosur kundër Enverit në 1969”

Feb 24, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Ai është ndarë nga jeta një vit më parë. Lamtumira iu dha pa shumë bujë, siç ndodh rëndom me heronjtë e heshtur, pavarësisht se Raif Elezi qe simbol i kryengritjes së armatosur dhe i rrëzimit të komunizmit në Shqipëri.

Raif Elezi në një nga protestat e ish-të burgosurve politikë, ka vuajtur 22 vite në qelitë e diktaturës
Raif Elezi në një nga protestat e ish-të burgosurve politikë, ka
vuajtur 22 vite në qelitë e diktaturës

Një disident që nuk u dënua thjesht se “foli keq” kundër regjimit, por sepse u përpoq ta shembte atë. I burgosur politikisht me 22 vite në diktaturë dhe i dekoruar me medalje nga Presidenti në demokraci, Raif Elezi do të mbetet rast unik në tentativat konkrete që pati për të rrëzuar sistemin komunist, aq sa njihet si “Legjenda e Kukësit”.

Një epitet që e kanë pohuar shumë bashkëvuajtës të tij, por që më me detaje e sjell për gazetën “Panorama”, i nipi dr. Ardian Elezi. Ashtu si xhaxhai i tij, edhe Ardiani është nderuar nga Presidenti i Republikës. Ka marrë medaljen “Pishtar i Demokracisë”, si protagonist, aktivist dhe dëshmitar i ngjarjeve të dhjetorit 1990, dhe proceseve demokratike.

 

Por këta nuk janë Elezët e vetëm në rezistencën antikomuniste, kontributi i tyre shpërndahet në tre breza dhe kjo intervistë e Ardian Elezit është rrëfimi i historisë së përbashkët të tyre….

Si ka nisur persekutimi i familjes suaj? Përndjekja e persekutimi i familjes sonë zë fill që me gjyshin, Rexhep Mahmuti Elezi, i cili ka qenë kryetari i Këshillit Krahinor, nënprefekt dhe kryetar i UNRRA-s për Kukësin, që u dënua për “agjitacion e propagandë” dhe si antijugosllav. Ai propagandonte kundër pushtetit të atëhershëm, ishte për orientimin perëndimor të vendit, për pluralizmin politik dhe përmbysjen e sistemit komunist e shihte të lidhur me revoltën popullore të brendshme. Ai ka qenë në survejimin e Sigurimit të Shtetit, derisa ndërroi jetë. Djali i tij, Raif Elezi, xhaxhai im, për shkak të opozicionit të hapur e permanent ndaj sistemit komunist, me qëllim sensibilizimin e publikut, prej një kohe shumë të gjatë që në rininë e vet ka qenë në ndjekje nga Sigurimi, ku më vonë, përmes bashkëpunëtorëve të Sigurimit të infiltruar dhe teknikave agjenturore-operative, është arritur të arrestohet.

Me çfarë akuze u arrestua xhaxhai juaj, Raif Elezi? Është dënuar për akuzën e “agjitacionit të propagandës kundër pushtetit popullor, akte terroristë kundër udhëheqjes së lartë të partisë, plan për organizimin e kryengritjes së armatosur, e një kundërrevolucioni”

A kishte në fakt një plan të tillë xhaxhai juaj? Po, sipas planit të tij në vitin 1969, së pari do të pushtonin qytetin e Kukësit, duke marrë pikat e institucionet kryesore të qytetit dhe më pas, përmes Radiostacionit të Kukësit, do t’i bëhej thirrje popullit dhe për qytetet e tjera të vendit.

Ardian Elezi, i dekoruar nga Presidenca me medaljen “Pishtar i demokracisë”
Ardian Elezi, i dekoruar nga Presidenca
me medaljen “Pishtar i demokracisë”

A i ka pranuar akuzat e hetuesisë? Akuzës së hetuesisë, se ka dashur ta rrëzojë me dhunë pushtetin popullor, Raif Elezi i është përgjigjur: “Po, me dhunë kam dashur ta rrëzoj, se pa dhunë nuk merret liria”. Ai u ka kërkuar disa personave armë, dhe pyetjes së përsëritur dhe provokative në sallë të gjyqtarit të çështjesh, “se pse e doje revolen?”, ai i është përgjigjur “për të të vrarë ty!”. Ndërsa mua më është shprehur se: “Lalë, m’u dhimbën njerëzit, doja t’i zgjoja e t’i ngrija ato, e për këtë i rashë sistemit në gjoks”.

Dhe për këtë plan, a kishte lidhje xhaxhai juaj, Raif Elezi, me të tjerë persona? Kanë qenë disa persona që janë arrestuar, por xhaxhai përpos ndonjë takimi përshëndetës në hershmërinë e vonë atëherë, ai nuk kishte shoqëri apo lidhje me shumicën prej tyre. Është lehtësisht e shpjegueshme, pasi Raifi jetonte në Kukës e kishte diference moshore, fizike, gjeografike. Si dhe ajo që është më e rëndësishme, xhaxhai kishte një valencë të diferencuar të shfaqjes së antikomunizmit të tij të drejtpërdrejtë, në raport me çdokënd tjetër. Ai ishte disident antikomunist i “dorës së parë”, i shkallës sipërore, kryetrimi i Kukësit dhe i vendit, intelektual (me profesion radiolog) që me koshiencë të plotë e kurajë civile u shfaq i drejtpërdrejtë, i sinqertë, e burrnor, duke besuar që përmbysja e madhe vjen krahas me revoltën e brendshme popullore. Për rezistencën antikomuniste të shfaqur dhe kontributin në ardhjen e demokracisë, ai është dekoruar nga ish-Presidenti Topi me medaljen e Mirënjohjes.

Në një intervistë të para një muaji, një nga të dënuarit politikë, Xh.Gjana, ka dhënë versionin e tij të gjykimit rreth kësaj çështjeje, duke folur për gazetën “Panorama”. Ai është shprehur edhe në lidhje me xhaxhain tuaj, duke thënë se “Raifi u përgjua nga Sigurimi dhe më pas u arrestua grupi”. Pra, Xh.Gjana ka dëshmuar se ka pasur “një grup që ka dashur të rrëzojë sistemin komunist, madje edhe të vrasë Enver Hoxhën” dhe jo vetëm një individ, që siç pretendoni se ishte veç xhaxhai juaj, Raif Elezi?  Xhevatin e respektoj për vuajtjet dhe sakrificat e bëra dhe i uroj jetë e pleqëri të shëndetshme, arsyet se pse xhaxhai im ishte vetëm në planet e tij, i bëra të ditura më lart. Për ta bërë të besueshme para opinionit publik këtë historinë “e grupit”, u implikuan edhe pjesëtarë të tjerë, si: Sh.Domi, B.Gjana, Sh.Gjana, Xh.Gjana, M.Beqiri… Në të vërtetë, grup nuk ka pasur dhe vetë gjyqi nuk e ka vërtetuar një gjë të tillë. Gjithçka ishte një farsë, ku përmes një procesi të montuar politikisht dhe me të meta të theksuara juridike, u bë dënimi i këtyre personave, ku veçohet Raif Elezi, për “Agjitacion e propagandë, kryengritje të armatosur, e ngelur në tentativë”…

Vetëm Raif Elezi u dënua me këtë akuzë? Po të tjerët? Po, vetëm Raif Elezi u dënua me akuzën e rrallë për “kryengritje të armatosur, e ngelur në tentativë”, përfshirë dhe akuzën tjetër “agjitacion e propagandë”. Ndërkohë, të tjerët nuk kanë një atribuim akuze të tillë, pra këtë të kryengritjes së armatosur.

Po dënimet me vite burgu, a u dhanë njësoj? Cilësimi juridik i veprës penale të parashikuar ishte i ndryshëm për Raif Elezin, i shoqëruar kjo edhe me dënime relativisht të diferencuara me njëri-tjetrin e familjeve respektive. Çdokush ka të drejtën e deduksioneve të veta për të përçuar të vërtetat, siç i mendon dhe intereson. Xhaxhai im, Raif Elezi, tashmë ka vdekur dhe jehona e atij gjyqi në atë kohë dhe më pas njihej si “gjyqi apo ‘grupi’ i Raif Elezit” dhe askujt tjetër. Raif Elezi qëndroi stoik dhe i pamposhtur në burgun famëkeq të Burrelit, për 22 vjet. Hyri në vitin 1969 në burg dhe doli në vitin 1990. Të tjerët “e grupit” u dhanë dënime relative shumë vite më pak. Implikimi i personave të tjerë deri për motive ordinere si pjesë e kësaj organizate terroriste, dëshmon që nuk ishte grup, por ishte një skemë dhe montaturë e Sigurimit të Shtetit, e përfaqësuesve kriminalë të partisë në qendër e rreth, që për qëllime propagandistike, për ngjallje frike e terrori në popull, bënë shembull, dënuan e internuan familjen tonë, e disa të tjerë, si një ndër familjet më patriotike, intelektuale e më në zë e kohës.

Sa ishte numri i dëshmitarëve dhe të implikuarve të tjerë, si pjesë ë këtij procesi? Dosjet e Sigurimit ende nuk janë hapur, por bazuar në ato gjyqësore dhe ato hetimore, të cilat kanë qenë të ndryshme dhe të veçanta për secilin, dhe që në mënyrë indirekte japin një panoramë të përgjithshme, mund të konkludojmë që një dyzinë njerëzish janë implikuar në këtë proces; qoftë të rekrutuar, deponues, dëshmitarë, të mashtruar e të keqpërdorur etj. Më pas, këta janë mbajtur nën kontroll, janë “përpunuar”, rekrutuar, frikësuar etj.

Kush ka dalë dëshmitar në gjyqin e xhaxhait tuaj, ndonjë emër konkret? Pak rëndësi ka kush qe i infiltruari i Sigurimit si nyja lidhëse, i dënuari nën mbrojtje për llogari të Sigurimit i këtij “grupi”, apo i keqpërdoruri provokator nën emrin “Drejtësia”, që e incizoi në bashkëpunim xhaxhain tim për llogari të Sigurimit. Po ashtu, nuk kanë shumë rëndësi emrat e deponuesve e dëshmitarëve të tjerë të tyre, për asdrakët e llagapet që përfaqësojnë, si “Noka”, “Kurpali”, “Cengu”, apo “doktori jabanxhi”, i cili në sallën e gjyqit të zhvilluar me altoparlant, në mënyrë provokative, të drejtpërdrejtë dhe me përbuzje iu drejtua Raifit: “Shaje edhe një herë partinë këtu, siç e ke sharë” etj., të cilët me veprimet dhe deponimet e tyre e kanë rënduar pozitën e dënimin e tij, si dhe internimin tonë. Them “ka pak rëndësi”, sepse për ata ndiej vetëm keqardhje, si edhe deri përbuzje për koshiencën e paditur, gjasme të pinjollëve të ndonjë të paqeni, që sot rëndom i dëgjon duke folur në podiume parlamentare dhe media për dënimin e krimeve të komunizmit, hapjen e dosjeve. Dosjet e Sigurimit nuk janë ato të bashkëpunëtorëve, por ato të përfaqësuesve kriminalë të partisë në atë kohë, (klani kriminal i familjeve komuniste të Bicës dhe jo vetëm), i këshillave e organizatave të frontit, të punë- torëve të Sigurimit, i gjyqtarëve, prokurorëve dhe hetuesve të kohës: si Muçi, Gjika, Gashi, Shkodrani, Josifi etj. Këta janë ata që kanë projektuar dhe zbatuar luftën e klasave, ku përmes torturave, shantazhimeve, frikësimeve kanë manipuluar, falsifikuar dënuar, internuar, si dhe kanë zhdukur krimet e tyre ndaj popullit mbarë.

Përtej dokumentacionit apo dëshmive të kohës, si jua ka treguar historinë xhaxhai juaj, si e kishte planin konkret për të përmbysur Enver Hoxhën? Mua më ka rrëfyer që nuk pata njerëz, por që plani i tij ishte që me djem dhe burra trima të Kukësit, fillimisht pa dalë drita, të sulmojmë Degën e Brendshme, Komitetin e Partisë, Komitetin Ekzekutiv, repartet ushtarake, Postë-Telegrafën, duke i marrë të gjitha ato nën kontroll. Dhe më pas, do t’i drejtohej popullit dhe të gjithë vendit përmes Radiostacionit të Kukësit për rrëzimin e sistemit.

A e ka shfaqur xhaxhai juaj refuzimin ndaj sistemit në mënyrë të hapur? Ai nuk ka qenë në asnjë organizatë shoqërore dhe politike të asaj kohe. Që në hershmërinë e tij, ai ka refuzuar në mënyrë publike anëtarësimin në organizatën e Rinisë, duke dalë kundër sistemit. Madje, ai është ridënuar kur ka qenë në burg për kundërshtinë e hapur që shfaqte, si dhe në atë kohë guxoi të bënte diçka hapur, që kurrë nuk kishte guxuar njeri.

Për çfarë guxoi, gjatë kohës që u ridënua në burg? Në shenjë revolte dhe proteste të gjendjes në burgun e Burrelit, në atë kohë xhaxhai i dërgoi Nexhmije Hoxhës, të vesë së diktatorit, një pako me rrobat dhe batanijet e palara të burgut.

E mori këtë pako Nexhmije Hoxha? Nuk dihet nëse pakoja i mbërriti në shtëpi, apo më parë “e kapi” Sigurimi. Gjatë asaj periudhe, ai është torturuar duke ia thyer tri brinjë dhe madje, u inskenua një plan për ta vrarë. Në këtë kohë, në vitin 1987, ai u projektua për t’u ekzekutuar në Kukës, me akuzën e parë, atë “të kryengritjes së armatosur”. Por pas kundërshtisë dhe përballjes me prokurorin Gashi dhe të tjerë, ai u fut në grevë urie për 18 ditë dhe u përcoll në gjendje kome, rishtas në burgun e Burrelit.

Zakonisht, në zonat kufitare siç është edhe Kukësi, kur ishin në hetim të tilla akuza, Sigurimi i Shtetit tentonte që të gjente lidhje me “agjenturat e huaja”. A pati xhaxhai juaj ndonjë ndihmë nga jashtë për rrëzimin e sistemit komunist? Përmes manipulimeve dhe falsifikimeve, Sigurimi i Shtetit u rrek të bënte lidhjen “e grupit” apo personave të veçantë me agjenturat e huaja, me takime të paqena në vende, pyje e shpella të Gabricës e Kolesianit, me patriotët e tjerë të arratisur, të cilësuar si diversantë, si p.sh.: T.Vata, M.Spahiu, D.Zyberi, S.Zyberi, (dajat e nënës sime), që, sipas Sigurimit, hynin e dilnin në territorin shqiptar, duke dhënë detyra e porosi, por edhe ndihmë për përgatitjen e kryengritjes së armatosur. Por Sigurimi i Shtetit dështoi dhe u vetëdiskreditua përmes skemave operative dhe agjenturore të manipuluara, duke implikuar “diversantët” imagjinar të radiolojës qesharake të tyre.

Po në familjen tuaj, a pati pasoja? Ndërkohë që xhaxhai u arrestua, vendimi i projektuar ishte marrë nga PPSH. E gjithë familja jonë u internua në Dumre të Elbasanit, atje ku unë kam lindur dhe kalova një pjesë të fëmijërisë.

Si e mbani mend lirimin e xhaxhait nga burgu? Ai doli në fillim vitit 1990, pas ridënimit të dytë. Edhe ai vetë e ka cilësuar lirimin si një ëndërr. Sapo hyri në shtëpi, ku ne po e prisnim në mënyrë festive, ai së pari takoi nënën/ gjyshen, të cilën e përqafoi dhe e përshëndeti: “Si je gjermane?”. Pasi na përqafoi të gjithëve, pa u ulur, na tha: “Eja dalim të ngremë popullin në këmbë”. Ndërhyri njëri nga xhaxhallarët (Xhemali), duke i thënë: “Jo, Raif nuk është koha, populli nuk na kupton”.

Flitet se familja juaj ka pasur një përplasje me organet e policisë dhe të Sigurimit të Shtetit në fundvitin e 1989, pasi festoi vrasjen e Çausheskut. A është e vërtetë? Po është e vërtetë, ditën e vrasjes së Çausheskut, vëllai im me kushërinjtë, festuan të entuziazmuar në një nga lokalet e dëgjuara të qytetit, sot hotel “Gjallica”, duke i vënë flakën në shenjë gëzimi, arrenxhimeve zbukuruese të festës së Vitit të Ri, duke marrë flakë. Menjëherë brofën forcat e policisë, ku ish-kaleci i policisë Brahaj, u shpreh: “Familja juaj është dënuar përjetësisht nga pushteti popullor dhe mos merrni zemër, se ju vrasim, dhe pushtetin nuk ua dorëzojmë”.

Ju jeni protagonist, aktivist, si dhe dëshmitar i ngjarjeve të dhjetorit 1990 dhe më pas, për të cilat ju jeni nderuar “Pishtar i demokracisë” nga Presidenca. Si i kujtoni ato episode? Së bashku me xhaxhain tim, Isa Elezi, ne jemi nismëtarë të parë të krijimit të PD-së në Kukës. Në një nga sheshet kryesore të Kukësit kemi afishuar, njoftuar dhe përshëndetur popullin kuksian në emër të PD-së, duke i uruar festën e Vitit të Ri 1990, si dhe duke e ftuar që të jetë pjesë e nismës sonë dhe anëtarësimit të saj. Njerëzit hezitonin dhe kishin frikë. Me orë të tëra e kam mbrojtur dhe ruajtur këtë shesh, si një “kthim në Itakën e grabitur” nga komunistët prej 45 vjetësh. Kam pasur përplasjet e incidentet e para të mia fizike në këtë kohë, ku kam folur përpara njerëzve të grumbulluar në atë shesh. Dua të theksoj se ngjarjet e janarit 1991, që përkojnë me mitingun e parë të PD-së, duhen hetuar për sa i përket dramacitetit të situatave që kanë prodhuar dhe provokuar.

Provokime të tipit?… Ja disa shembuj konkret. PD-ja, dega Kukës, po organizonte mitingun e parë të saj, ku forca të shumta të policisë dhe të Sigurimit ishin të pranishme, ndërkohë pallatet përbri kishin snajperë të vendosur, ku pikasnin djemtë e familjeve komuniste të lagjes nr.1 etj. Një e moshuar tentoi t’i hidhte hi në sy xhaxhait tim, Isa Elezi, ndërkohë që ai po fliste dhe përshëndeste, po shumë shpejt u neutralizua. Pas mitingut, u provokua me antimitingje, me pjesëmarrjen e forcave të policisë dhe Sigurimit. Teksa më kanë provokuar edhe mua, unë u përplasa me ata dhe theva portretin e diktatorit Enver Hoxha, që e mbanin në duar. Menjëherë nga turma dolën policë dhe ish-operativi i Sigurimit, dhe në konfrontim me to më ndaluan dhe më shoqëruan në polici. Me të mbërritur në rajon, në hyrje të saj u përplasa fizikisht me të plotfuqishmin e policisë ku, mes grushteve dhe shqelmave, u ika nga duart. Ata më ndoqën me makinë dhe qëlluan me armë zjarri në drejtimin tim, duke tentuar të më vrasin. Mes pallateve të shumta arrita të futem në një shtëpi, por pas disa orësh rrethim, arritën të më kapnin dhe më çuan sërish në polici. Kjo bëri jehonë shumë shpejt në Kukës, ku turma të mëdha njerëzish, të afërm tanë, si dhe simpatizantë me në krye Isa Elezin, kishin rrethuar policinë. Nga frika e një gjakderdhje të mundshme, si dhe me ndërhyrjen e eksponentëve të PD-së në atë kohë, zotit Pollo, u bë lirimi. Më pas, të rinjtë e fisit e të qytetit me në krye Hajri Elezin, në mënyrë simbolike tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e Kukësit e dogjën në shesh arkivolin e vdekjes së komunizmit.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura