Radhët në QKR, shtyhet një javë aksioni te bizneset

Sep 2, 2015 | 8:09
SHPËRNDAJE

Qepena dyqanesh të mbyllura në disa nga rrugët kryesore në kryeqytet, dyndje pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, zhdukje si me magji të disa minitregjeve me frutaperime. Këto ishin tablotë që bënë më shumë përshtypje në ditën e parë të aksionit kundër informalitetit.

Radhe ne QKR
Radhe ne QKR
Por për surprizë aksioni nuk ka nisur dhe është shtytë për të hënën e javës tjetër. Administrata doganore dhe tatimore me gati 600 gupe pune, mori paraprakisht bekimin e Kryeministrit gjatë një takimit të mbajtur për këtë nismë.

BIZNESI
Dita e martë për disa ka nisur si një ditë normale pune në aktivitetin e tyre dhe për të tjerë është bërë pushim i detyruar. Bizneset që nuk dispononin kasë fiskale, NIPT apo kanë pasur probleme të tjera kanë preferuar të mbajnë qepenin ulur. Dhe ky kontingjent, sipas një vëzhgimi të bërë ditën e djeshme, nuk ishte i vogël. Përkundrazi, në disa rrugë në çdo katër dyqane, një rezultonte i mbyllur.

Më herët qeveria deklaroi se në çdo rast që do haset mungesë NIPT-i, do të ketë sekuestrim të mallit dhe po kështu edhe për mallrat që nuk ishin të shoqëruara me faturë. E ndërsa disa vijuan aktivitetin normal, të tjerë kanë vrapuar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Radhët e gjata tashmë janë kthyer në rutinë prej disa kohësh, kurse ajo që konstatohet nga individët aty është rritja e fluksit për çregjistrime.

Pjesa më e madhe kërkojnë që të regjistrojnë një biznes, por jo të paktë janë edhe ata që duan ta çregjistrojnë atë. Disa të tjerë kanë mbajtur mbyllur dyqanet me argumentin e mungesës së kasave fiskale pasi fluksi ka gjetur të papërgatitura kompanitë, të cilat kanë bërë porosittë e radhës. Pra, ka nga ata që janë të regjistruar, por nuk kanë një kasë fiskale. Kompanitë që kanë të drejtën për sjelljen dhe ofrimin e shërbimit për kasat edhe më herët kanë deklaruar se fluksi i këtyre kohëve ka qenë i papërballueshëm dhe se po punohet për përballimin e tij.

KONTROLLET
Aksioni kundër informalitetit është shtyrë për të hënën e javës së ardhshme, duke i lënë kështu mundësi biznesit, që të regjistrohet apo përfundojë procedurat e tjera të nevojshme. Në terren gjithsesi, ka pasur inspektorë që deri diku kanë dhënë impaktin e parë mbi atë, që pritet të vijë.

Gazeta mëson se kontrolli nuk do të jetë specifik për një biznes apo dy që paraqesin risk. Këtë herë kontrolli do të jetë i plotë, tek të gjithë duke dhënë kështu edhe një tablo të qartë të situatës së biznesit në vend. Kjo formë kontrolli, pritet të sigurojë edhe të dhëna të rëndësishme për bizneset. Grupet e punës, po udhëzohen për praktikën që do të ndiqet, pikat që do të ketë secili kontroll dhe ndarja që do të bëhet sipas zonave të ndryshme.

PAS ORARIT ZYRTAR
Në orën 16:00, pjesa më e madhe e grupeve të punës që po përcaktojnë grafikët dhe shtrirjen që do të ketë aksioni janë mbledhur pranë institucioneve respektive për mbylljen e ditës së parë. Një fluks i dytë ka vijuar paraqitjen në zyra edhe pas këtij orari. E me mbylljen e orarit zyrtar ka filluar avazi i vjetër i biznesit.

Gazeta testoi në dy raste tre biznese të ndryshme (farmaci, furrë buke, dyqan), të cilët deri në orët e paradites kanë lëshuar rregullisht kupon edhe kur nuk është kërkuar nga konsumatori, ndërsa pas orës 18:00 asnjëra prej tyre nuk lëshoi kupon tatimor në mënyrë vullnetare deri në momentin që kjo u kërkua nga konsumatori.

Prezenca në terren duket se e ka ndërgjegjësuar biznesin që të lëshojë kupon tatimor, por kjo për orarin zyrtar kur edhe administrata është në punë, në të kundërt kuponi duhet të kërkohet me “dhunë” nga qytetari duke shënuar fillimin e ri të avazit të vjetër.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura