Radas, apel tifozëve: Larg urrejtjes ndaj Partizanit të Beogradit

Oct 18, 2017 | 21:51
SHPËRNDAJE

Ndeshja kundër Partizanit të Beogradit është te porta dhe i gjithë përqendrimi në kampin bardhekuq mbetet i fokusuar te mbarëvajtja e këtij takimi, por mbi të gjitha marrja e maksimumit në fushë. Për kroatin e Skënderbeut, Marko Radas, kjo ndeshje vlen shumë për objektivin që ka klubi: kualifikimin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi beson se Skënderbeu do të thyejë serbët.

Radas

Marko, kundër Partizanit të Beogradit është më shumë se një ndeshje apo nuk ka diçka të veçantë?

Si çdo ndeshje tjetër, është edhe kjo e radhës në Europa Ligë. Në të tilla kompeticione, ndeshjet janë gjithnjë të vështira dhe nuk ka takime të lehta, prandaj duhen marrë të gjitha me përgjegjshmëri dhe me kokën ulur për të dhënë maksimumin. Natyrisht, ndaj Partizanit të Beogradit është pak më ndryshe, pasi nëse vështirësia në ndeshjet e tjera është vetëm në fushë, në këtë takim i madh do të jetë edhe presioni psikologjik mbi lojtarët. Por, ne duhet të qëndrojmë të fortë dhe të bëjmë një paraqitje të mirë, të mos mendojmë gjëra të tjera.

Si vjen Skënderbeu në këtë takim?

Të përqendruar dhe të motivuar në maksimum për të dhënë gjithçka. Besoj se do të bëjmë mirë edhe në fushë. Një fitore do të ishte dhurata më e bukur që mund t’i bëjmë vetes dhe tifozëve tanë, që do të jenë pa dyshim të shumtë në këtë takim.

Ju e keni analizuar Partizanin, a mund të na thoni se cilat janë diferencat me Skënderbeun?

Duke parë ecurinë tonë në Europë dhe paraqitjet që kemi bërë në këto takime që kemi luajtur, mendoj se ekipet si Partizani janë të kalueshme nëse jemi të përqendruar 90 minuta. Duhet të japim maksimumin dhe të jemi në çdo moment të fokusuar te ndeshja jonë për ta mbyllur me sukses këtë takim.

Radas

Nëse do e krahasojmë Partizanin me ekipet e tjera në grup, cili është më i fortë?

Pa dyshim që grupi ku ndodhemi ne është i fortë dhe me ekipe që kërkojnë të bëjnë mirë në këtë kompeticion. Mund të them me bindje se, në krahasim me dy ndeshjet e tjera që kemi luajtur, Partizani është një ekip më i lehtë për t’u kaluar. Pa diskutim që Dinamo ishte ekipi më i fortë dhe jo më kot është kokë grupi. Në krahun tjetër edhe Jang Bojs është një ekip i fortë.

Pra, gjithsesi, asnjë nuk është i pakalueshëm?

Asnjë ekip nuk është i pakalueshëm. Të gjithë ekipet kanë pikat e tyre të forta, por edhe pika të dobëta mund t’u gjesh. Partizani është kundërshtar i fortë që meriton respekt, por jo i pakalueshëm.

Kjo ndeshje është “treni i fundit” për vendin e dytë?

Ne kemi shanset tona për të kaluar grupin pa dyshim. Nëse marrim tri pikë në këtë takim, shanset bëhen akoma edhe më të mëdha. Është kualifikimi më afër nëse fitojmë. Jemi në rrugën e duhur dhe duhet të bëjmë lojën e duhur. I kemi mundësitë që të tentojmë kalimin e grupit dhe do të provojmë deri në fund një gjë të tillë.

Një ndeshje që ka edhe anën tjetër, sjelljen e tifozërisë. Cili është apeli juaj për ta?

Apeli në të tilla raste është i thjeshtë. Do të luajmë vetëm një ndeshje futbolli dhe ky sport shërben për të bashkuar qytetërime dhe shtete me njëra-tjetrën, jo për të përçarë dhe për të nxitur urrejtje. Ne do të hyjmë në fushë për të luajtur futboll dhe tifozët duhet të jenë të përgjegjshëm në sjelljen e tyre. Ne nuk mund t’i kontrollojmë ata, por do t’iu kërkojmë vazhdimisht që të na mbështesin vetëm për atë çka mban fusha e lojës, për asgjë tjetër. Të japim një shembull dhe të ecim drejt fitores.

Radas

Qarkullon një video e juaja duke kënduar “Disko Partizani”. Cili ka qenë mesazhi që keni dashur të përcillni?

Jo, nuk ka qenë diçka e bërë enkas apo me një qëllim të caktuar. Pasi ajo nuk është këngë serbe dhe as kroate. Ka qenë një moment me një mikun tim në makinë dhe e kemi kënduar. Ishte diçka spontane, por nëse do të dukej një mesazh, do të doja që kjo këngë të shërbente për të bërë bashkimin e dy ekipeve dhe një ndeshjeje të qetë në fushë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura