“Ra nga një ndërtesë, ndoshta u hodh nga punëtorët”- Vdekja e adoleshentes që u ngrit në protesta për vrasjen e 22-vjeçares, e ëma: Kishte lëndime në trup

Oct 7, 2022 | 15:28
SHPËRNDAJE

Nëna e një adoleshenteje që vdiq gjatë protestave në Iran ka akuzuar autoritetet për vrasjen e vajzës së saj.

bota

Nasrin Shakarami ka deklaruar se kishte vënë re lëndime në trupin e vajzës së saj, të cilat bien ndesh me një deklaratë zyrtare.

Autoritetet thonë se 16 vjeçarja Nika Shakarami, “duket se është hedhur nga një ndërtesë, ndoshta nga punëtorët”.

Ndërkohë, një raport zyrtar mjeko-ligjor ka dalë për 22-vjeçaren Mahsa Amini, vdekja e së cilës shkaktoi një valë protestash në vend. Sipas, autopsisë ajo ka ndërruar jetë për shkak të gjendjes shëndetësore.

Familja e saj ka deklaruar se ajo vdiq si pasojë e dhunës nga policia e moralit, që e arrestoi më 13 shtator me akuzën se kishte thyer ligjin e rreptë që kërkonte që gratë të mbulonin flokët me hixhab ose shami.

Policia mohoi se ajo ishte keqtrajtuar dhe tha se kishte pësuar atak në zemër.

Të premten Organizata e Mjekësisë Ligjore e Iranit (FMO) lëshoi një deklaratë duke thënë se testet treguan se Amini vdiq nga dështimi i shumëfishtë i organeve të shkaktuar nga hipoksia cerebrale dhe jo nga goditja.

Ai tha se kjo ishte shkaktuar nga një gjendje e trurit dhe zemrës.

Por familja e Aminit ka insistuar më parë se ajo s’kishte probleme shëndetësore.

Grupet e të drejtave thonë se më shumë se 150 njerëz janë vrarë dhe mijëra të arrestuar që nga fillimi i protestave më 17 shtator.

Ndërkohë vdekja e Nika Shakaramit është kthyer në një nga rastet e profilit më të lartë të të rinjve të vrarë në protesta.

Ajo u zhduk në Teheran më 20 shtator, pasi i tha një shoqeje se po ndiqej nga policia.

Nasrin Shakarami tha se tezja e Nika-s, e cila bëri një deklaratë në TV të mërkurën në të cilën tha se mbesa e saj “ra nga një ndërtesë” ishte “detyruar… t’i bënte këto rrëfime”.

Autoritetet “kanë telefonuar të tjerët, dajat e mi, të tjerë, duke thënë se nëse nëna e Nika-s nuk del përpara dhe thotë gjërat që duam, në thelb rrëfejmë skenarin që duam dhe kemi krijuar, atëherë do të bëjmë këtë e atë… më kanë kërcënuar mua”, tha Nasrin.

Zyrtarët thonë se natën që u zhduk, Nika hyri në një ndërtesë ku ishin të pranishëm tetë punëtorë ndërtimi dhe se ajo u gjet e vdekur në oborr jashtë mëngjesit të nesërm.

Zyrtari i drejtësisë së Teheranit, Mohammad Shahriari, tregoi se Nika pësoi “fraktura të shumta… në legen, kokë, gjymtyrë të sipërme dhe të poshtme, krahë dhe këmbë, të cilat tregojnë se personi ishte hedhur nga një lartësi”.

Megjithatë, Nasrin Shakarami tha se kjo nuk ishte e vërtetë: “Unë e pashë trupin e vajzës sime vetë… pjesa e pasme e kokës së saj tregonte se ajo kishte pësuar një goditje shumë të rëndë pasi kafka e saj ishte dëmtime. Ajo u vra”.

Një certifikatë vdekjeje e lëshuar nga një varrezë në Teheran tregon se Nika vdiq pasi pësoi “lëndime të shumta të shkaktuara nga goditjet me një send të fortë”.

Familja e Nika Shakarami thotë se e gjetën trupin e saj në morgun e një qendre paraburgimi 10 ditë pasi ajo u zhduk dhe se forcat e sigurisë e vodhën dhe e varrosën fshehurazi.

Ndërkohë autoritetet iraniane kanë mohuar raportet se një tjetër vajzë 16-vjeçare, Sarina Esmailzadeh, vdiq pasi u rrah rëndë në kokë me shkopinj nga forcat e sigurisë gjatë protestave në Karaj, në veri-lindje të Iranit, më 23 shtator.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura