“Qyteti Studenti”, Veliaj prezanton programin për Tiranën, Rama ironizon Kosovën: Kush e do për krushqi, le të bëjë krushqi me burrin e mirë

May 22, 2015 | 19:54
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi pasditen e së premtes programin politik për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Ndërsa kryeministri Edi Rama, bëri një bilanc të arritjeve të qeverisë në 18 muajt e qeverisjes nga koalicioni i majat PS-LSI.

Kryeministri Edi Rama dhe Erion Veliaj ne sallen “Iliria” ne “Qyteti Studenti”

Rama deklaroi se gjatë kësaj periudhe ka filluar të ndjehet ndryshimi mes mazhorancës dhe qeverisjes së shkuar. Duke folur për sistemin energjitike, Rama tha sot ka arritur që mos të marrë më fonde nga buxheti i shtetit. “Sot pas 18 muash ne s’kemi arritur ende që të kemi një sistem shpërndarje të energjisë siç e metirojnë ata që e paguajnë energjisë. Ne nuk kemi arritur ende që çdo familje që paguan dritat në shtëpi ti çojnë faturën e duhur. Sot kemi mbi 300 mijë konsumator që kanë braktisur rrugën e gabuar të së shkuarës dhe janë bërë pjesë e atij populli që paguan dhe merr dhe së bashku kanë sjell që në prillin e shkuar, kompania doli me të vetat, pra, s’ka nevojë të fusi duart në buxhetin e shtetit.”,-deklaroi Rama. 

Kryeministri Edi Rama ironizoi edhe kandidatin e së djathtës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova. “Pa ekuivok, pa rëndësi nëse përballë kandidati është burri i mirë apo është grua e mirë, se dhe këtë ‘burrë i mirë’ unë nuk e kuptoj shumë. Se ka një shprehje që thotë, ‘burrë i mirë, por unë nuk kam ndonjë motër t’ia jap për grua’. Kështu që ç‘burrë i mirë, kush e do për krushqi, le të bëjë krushqi me burrin e mirë. Në Shqipëri është edhe një zakon tjetër, që për njerëzit që nuk kanë bërë asgjë thonë, “hë mo se është burrë i mirë”. Ndërkohë që, këtu bëhet fjalë, jo për burra të mirë, mund të jenë burra të mirë, gra të mira nuk i hyjë kësaj fare, nuk më intereson”,-tha Rama. Duke kërkuar mbështetjen për kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Rama iu drejtua publikut duke thënë se “po votuat kandidatët e SHQUP-it morët veten në qafë”. 

Duke folur për kandidatin e Partisë Socialiste, Rama tha se Veliaj nuk ka nevojë për shumë prezantim dhe për shumë fjalë të bukura, pasi sipas tij, nuk janë pak punët e bukura që ka bërë. “Nëse ka një shumicë njerëzish në Tiranë dhe në Shqipëri, që vazhdojnë ta identifikojnë ndryshimin me Tiranën e Edi Ramës, të jeni të sigurt që pas 4 vjetësh së bashku me mua dhe me qeverinë, Erioni do të bëjë që mos të jetë më Tiranë e Edi Ramës, por Tirana e socialistëve dhe e progresisteve. Të gjithë duhet ta kuptojnë se nuk është çështje e një njeriu, por e një vizioni, e atij grupi politik që u jep kandidatëve mbështetje.”,-deklaroi kryeministri. 

Nga ana e tij, kandidati i mazhorancës Erion Veliaj, prezantoi programin për drejtimin e kryeqytetit. Në fjalën e tij, Erion Veliaj deklaroi se një grup urbanistësh kanë identifikuar rreth 3 mijë probleme në Tiranë.

Erion Veliaj gjate prezantimit te programit ne “Qyteti Studenti”

“Ose kundravajtje me ato që shkatërruar Tiranën ose drejtimi i duhur. Ai drejtim që përpiqet t’i japi zgjidhje secilit prej nesh pyetjeve që shtrojmë në tavolinën e bukës. Fushata jonë është e bazuar tek vullnetarët. Dua të flas për 80 djem dhe vajza urbanist, jo domosdo me teser parti. Këta kanë bërë atë që drejtuesit e bashkisë nuk kanë bërë në këto 4 vjet. Kanë shkuar dhe identifikuar nëpër rrugë të gjitha problemet e Tiranës.”,-deklaroi Veliaj.

Nga salla “Iliria” në “Qyteti Studenti”, Veliaj premtoi ngritjen e kampusit universitar. “Është koha që ne të kemi një kampus të ri universitar dhe ky është hap madhor. Jo vetëm për të rinjtë, por edhe për prindërit.”,-tha Veliaj. Në tjetër projekt që do të vazhdoj sipas tij është Bulevardi i Ri i Tiranës. “Sigurisht nuk do të kaloj një projekt me beton. Një park qendror që në zonën më problematike të Tiranës, do të kemi një nga parqet më të bukura të Tiranës, ku zgjatet bulevardi dhe lidhet me lumin e Tiranës”,-theksoi Veliaj.

Duke folur për trafikun në Tiranë, Veliaj premtoi ndërtimin e tri unazave. “Trafiku është burimi i përditshëm i stresit. Ne premtojmë të përfundojmë të tria unazat. Jemi shumë afër përmbylljes së unazës së madhe pranë Saukut tek Komuna e Parisit. Në mënyrë që të kemi një trafik më të shpejtë”,-tha ai.

Në një takim të zhvilluar pranë “Qyteti Studenti”, të zgjedhur vendor të PS-së, por edhe të rinj të FRESH-it, folën për mbështetjen e tyre ndaj kandidatit të mazhorancës. “Edi Rama na dha një porosi, mbroni interesin qytetar. Ndaj jam krenar që bashkë me Erion Veliajn, bashkë me këtë skuadër…Në kohë të shkuara edhe ne të dy kemi fituar një betejë, betejën për uljen e faturave të energjisë elektrike. Ndaj besoj tek Erion Veliaj. Ne po përgatisim të gjithë infrastrukturën përkatëse”,-deklaroi Aldrin Dalipi, kryetari i Këshillit Bashkiak i Tiranës. 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura