“Qyteti i Skënderbeut” – Dibër, në të dyja anët e Drinit të Zi

Sep 14, 2018 | 13:26
SHPËRNDAJE

NDUE DEDAJNdue-Dedaj

Ka kohë që ky tempull his torik ka zgjuar interesin e studiuesve të historisë, nga Kristo Frashëri tek autorët vendas, që kanë shkruar artikuj e monografi rreth tij si: Hilmi Sadiku, Adem Bunguri, Iliaz Kaca, Islam Daci, Ali Hoxha, Haki Përnezha, Haki Koltraka, Selman Mziu etj. E prapë, Qyteti i Skënderbeut në Dibër, mes Lurës dhe Korabit, është ende i pazbuluar deri në fund. “Do t’ua them si e kam ndigjue prej të parëve, Qyteti i Skanderbegut shtrihej matanë Drinit të Zi, në Çidhën e Sinjë dhe këndej Drinit, në Kastriot e deri në Kep të Bardhë”, thotë një 80-vjeçar, në Kastriot, në oborrin e shtëpisë së tij, duke bërë me dorë, nga lumi në anën perëndimore e nga kepi monumental në atë lindore, në lartësitë e Korabit.

Një pasqyrim të gjerë gjen Dibra dhe në botimet folklorike, ku shumë prej materialeve gojëdhanore, toponimike, janë mbledhur në vitin 1953 në Kastriot ose bëjnë fjalë për Kastriotin. Ja disa prej tyre: “Simbas të ndigjuemes së pleqve, Skënderbegju ka qenë prej katundit Kastriot (Dibër)”; “Në Kastriot kanë qanë vorret e familjes së Skënderbegjut. Shtëpija e Gjinëve (fis që ndodhet dhe sot) në kte katund janë prej fisit të Kastriotve”; “Skënderbegjun me gjithë vllazni të vet e kanë zanë në Kastriot. Ktu e rrethekunë të jatin e tij, te kalaja. Katuni Kastiot ka qanë nën kala. I kishte shpajat truc sa shkonte maca shpaj më shpaj në krie e në fun t’Gjitetit”. “Ndërmjet Çidhnës e Lurës a Kalaja e Skënderbegjut. Këtu ka qeramikë, mbetje depesh, këlqere e gjurë. …Â m(b)reti i të tana kalave, kalaja mâ e sigurta. Skënderbegju nuk ka pasë tjetër si ajo. Sot ka vetëm muret… Skënderbegju ka luftue në Gjytet të Çidhnës së Poshtme. Atje ka ba luftë. Mandej ka dalë m’anë të Krusë. Ka kce kali e ka lanë patkojt, duken ene sot gjurmat m’kep, kur ka flurue për atje…”. (Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun, Tiranë 1967.)

Për t’u shënuar është se kohët e fundit, arkeologët Skënder Muçaj dhe Suela Xhyheri, nisur nga vrojtimet e tyre në terren, gjetjet e banorëve të zonës, kërkimet e arkeologëve dibranë etj., kanë publikuar një përshkrim të imët të kalave të këtij rajoni, si Kalaja në Kepin e Qytetit, Kalaja e Skënderbeut në Qafën e Kalasë, vendbanimi në Troje, vendbanimet e periudhës antike të shpërndara në Çidhnën e Poshtme, varret e periudhës së antikitetit të vonë apo thesari me monedha të Venedikut i gjetur në vendin e quajtur Pusi, një pasuri e jashtëzakonshme për një sipërfaqe kaq të kufizuar. “Por nuk janë vetëm këto,-shtojnë dy arkeologët,-pranë kufijve të krahinës së Çidhnës, në Lashkizë, është një tjetër kala, kurse në Borie-Lurë ndodhën rrënojat e një vendbanimi të fortifikuar të periudhës mesjetare”. (S. Muçaj, S. Xhyheri, “Gjurmët arkeologjike të Kastriotëve në Çidhën”, “Shqiptarja.com”, 12 gusht 2018.) Sipas Kastriotasve të sotëm, Skënderbeu në Çidhën strehohej e mbrohej, pasi terreni ishte tejet i fortifikuar, së pari nga ana natyrore, por atje ishin dhe kalatë e tij. Sinja, për Skënderbeun, ishte si Rambujeja, thotë një 54-vjeçar, duke shtuar se atje ai bënte kuvendet e Luftës dhe priste dërgatat e kohës. Gojëdhëna, e gërshetuar me historinë, ka shtegtuar për më shumë se pesëqind e pesëdhjetë vjet për të ardhur gjer te bashkëkohësit.

Ndërkohë e kanë marrë fjalën historianët. Kristo Frashëri, pasi analizon dhe përjashton një nga një tezat e origjinës së Skënderbeut nga Hasi, Mati dhe Mirdita, shprehet i bindur se origjina e Kastriotëve është nga treva e Dibrës, konkretisht nga bashkësia krahinore e Çidhnës, më saktë, nga fshati Sinë i kësaj zone, në të cilën ndodhet dhe fshati Kastriot, rreth 5 kilometra në të djathtë të lumit Drin. (K. Frashëri, H. Skënderbeut, 2002, f. 63.) Ai, referuar burimeve arkivore, i gjen në tetë breza Kastriotët aty, gjatë një harku kohor prej 250 vjetësh – që nga Pal Kastrioti, zot i fshatit Sinë në çerekun e tretë të shekullit XIV, Gjon Kastrioti i gjysmës së parë të shekullit XV (i cilësuar si Gjon Dibrani), Dhimitër Kastrioti, banor i fshatit Sinë më 1467, Pal Kastri(oti), banor më 1571 i Çidhnës së Epërme, fqinje e Sinës, deri te Jozef Kastrioti nga Çidhna, i cili përmendët më 1602, çka sipas historianit të njohur, nuk mund të thuhet kurrsesi se është një rastësi. (K. Frashëri, H. Skënderbeut, 2002, f. 65.)

Ditët e fundit të dhjetorit 2016, rasti e solli të uleshim nga kreshtat e Lurës, teposhtës së një rrugë të mundimshme që nuk i shihej fundi, ku mezi kapnin gomat e fuoristradës në gurët e fshehur nën borë, duke përshkuar luginën e Përroit të Setës, e njohur për kanionin e saj të famshëm dhe pamjen magjepse të mjedisit natyror. Atë buzëmbrëmje dimërake, Fushë – Çidhna heshtte në “gropë”, me bashtinat e punuara, të rrethuara gjithandej me gardhe, mullinjtë e blojës dhe këmborët e bagëtive që kishin lënë kullotat e po ktheheshin në stallat pranë shtëpive. Vetëm pasi kishim mbërritur te Ura e Muhurit mbi Drin ishim ndjerë të lehtësuar nga pesha dhe misteri i atyre maleve, që ruajnë nën dhé një margaritar të rrallë të historisë sonë të vjetër, në mure kalash, që janë vetëm “ajsbergu” i asaj që fshihet nën rrënojat e shekujve.

Lexojmë se çfarë është shkruar në libra e dokumente, dëgjojmë se ç’na thonë banorët dhe përpiqemi të kundrojmë jo vetëm mjedisin e një qytetërimi të shuar, por dhe teatrin e asaj kohë të largët. Nuk është hera e parë që shkelim këtyre anëve të Drinit. Para 30 vjetësh patëm qëndruar në shkollat e Dibrës, për një javë, në përbërje të një ekipi të Ministrisë së Arsimit, ku qemë ndaluar dhe në Muhur. Asokohe flitej më shumë për mermerin se për kalatë e vjetra të maleve, që ngjitën shpateve deri në Lurë. Kurse kësaj here kemi ardhur enkas për Skënderbeun, ashtu si shumë gazetarë, studiues dhe turistë. I bëjmë një fotografi shkollës së Kastriotit, me disa prindër në oborr, që sapo kanë tërhequr librat falas të fëmijëve të tyre në fillore. Njëri nga të njohurit tanë vendas na tërheq vëmendjen te një fotografi e afishuar në hyrje të ish-komunës së Kastriotit, ku shihet internati i njohur i dikurshëm, ku mësonin fëmijë nga të gjitha krahinat, gjer nga Manastiri e Çamëria. Me disa djem 12-13-vjeçarë takohemi në qendër të fshatit, aty ku është duke u ndërtuar një obelisk i vogël kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Djemtë largohen në “punën” e tyre, lojërat që nuk kanë të mbaruar, pasi dhe një javë e fillon shkolla, kurse ne i kthehemi bisedës rreth objektit të shkrimit tonë: Çfarë ka mbërritur te bashkëkohësit nga kujtesa e brezave për Skënderbeun, si “vendali” i këtushëm. Hazisi, Baftjari, Urimi, Haxhiu, Melaimi etj. rrëfejnë ashtu fshatçe për historinë dhe gjurmët e së shkuarës së Kastriotit: “Këtu kanë qenë trojet e vjetra të Kastriotëve. Kalaja e Gjonit ka ardhur me mure deri në vitin 1946, por i morën gurët për shtrimin e rrugës së re që po hapej në atë kohë… Ka qenë dhe Kisha e Kastriotit, por dhe atë e kanë dëmtuar në kohën e kooperativës, si shumë mure të tjera të vjetra… I vetmi objekt i moçëm, “prej një kohe që nuk mbahet mend”, është një kullë në qendër të Kastriotit, e shkretuar dhe që po dëmtohet dita-ditës. Gëlqerja për muret e saj ka qenë e përzier me lesh dhie, thonë banorët. Do t’ia vlente që kjo kullë të trajtohej si monument kulture dhe për pozicionin ku ndodhet, në anë të rrugës, në një fshat historik, që do të fitojë dhe më shumë vlera turistike… Atje, te Kodra e Gështenjave, kanë qenë: Kopshti i Gjonit, Pusi i Gjonit, Ograjat e Gjonit… por dhe Guri i Luftës, Tregurët (pikë vrojtimi), Guri i Hajatit etj.. Fqinjë me Kastriotin, në Livadhet e Epra, janë trojet e Kukëve (Pal Kukës së Motit të Madh), që ishin dajat e Skënderbeut. Limjani shtrihet në veri të Kastriotit, hijeshuar nga Kepi i Bardhë, që i rri si një plis mbi krye fshatit. Fiset e vjetra të fshatit kanë qenë: Gjini, Doçi, Koltraka, Noka, Doda, Përgjergji dhe Sava, ky i fundit, sipas banorëve, i njerëzve të Vojsavës, ardhur nga Fushë-Alija fqinje. Rrënjët e veta të hershme, Koltraka i gjen në Lajthizë të Oroshit (Mirditë), kurse Doçi në Kthellë, po në Mirditë. Skënderbeu i përkiste fisit të Gjinit, por kastriotasit të gjithë ndihen farefis i tij, dhe jo rastësisht nuk martoheshin brenda fshatit…

Tregimet për Skënderbeun vazhdojnë atje në “qytetin” e tij tashmë të padukshëm në të dy anët e Drinit, kurse ne kthehemi në Peshkopi për një kafe te bar-turizmi “Korabi”. Këtu kemi qenë për herë të parë në vitin 1969, kur ishim fëmijë dhe në Peshkopi, në stadiumin e qytetit, zhvillohej një spartakiadë e shkollave të veriut. Kishin ardhur nxënës nga Mirdita, Mati, Kukësi etj. dhe bujtina ishte ky hotel, që pas ‘90-s është dyfishuar. Por nuk na la ndonjë mbresë “rilindja urbane” e këtij qyteti, me pllaka të bardha joestetike, të ardhura nga Berati, që nuk u rezistojnë temperaturave të ulëta të dimrit deri në -20 gradë, kur Dibra ka gurë mjaft të përshtatshëm për shtrojë rrugësh e sheshesh, pa thënë se ajo ka dhe mermerin e kuq të Muhurit, që shkon në të gjithë Shqipërinë. Largohemi nga qyteti i blirëve, me epikën dibrane të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në bllokun e shënimeve, mbase për t’u rikthyer sërish në Sinë, kur të përfundojë restaurimi i Muzeut të Skënderbeut, që ka qenë i braktisur si shumica e shtëpive të fshatit. Vemi drejt Vajkalit (Bulqizë), kurse Drini ngjitet drejt grykës së Skavicës e Kukësit. “Andej nga vjen Drini, do të kenë ardhur dhe ushtritë otomane”, mendojmë, thjesht nisur nga ideja e përgjithshme që rrugët ndiqnin luginat, pa e vrarë mendjen nëse në këtë rast po gabojmë në histori apo gjeografi. Në Bulqizë, në anën e sipërme të rrugës është vendosur një monument i Skënderbeut i kohëve të fundit, kurse në anën e poshtme, në fushën e gjerë ku kullosin lopët, majë një guri valëvitet një flamur kuqezi. Është sigurisht “Guri i Skënderbeut”…

Jemi larguar nga Vajkali dhe vendet e tjera të Skënderbeut në Dibër, por pas na ndjek lajmi se boksieri i njohur bulqizak, Gjetan Keta, është shpallur kampion bote, në ndeshjen e zhvilluar në Pallatin e Sportit në Dibër të Madhe. E veçantë nuk është vetëm fitorja e rrallë, por dhe simbolika e saj, pasi sportisti atë ia kushtonte Vitit të Skënderbeut, siç kishte deklaruar gjatë stërvitjeve në Gurin e Vashës, në vendlindje e ku bash për këtë motiv ndeshja e tij me boshnjakun Janjanin u parapri nga tingujt e kolonës zanore të filmit “Skënderbeu”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura