Qyteti i origjinës vlerëson Sindrit Bejlerin/ Kameleoni artistik, “Qytetar Nderi” i Libohovës

Jul 17, 2019 | 12:12
SHPËRNDAJE

“Kameleon artistik”, kështu e etiketojnë artistin e njohur, Sindrit Bejlerin. Këtë ai e ka arritur vetëm falë dimensionit shpirtëror dhe profesional, që ka dhënë në çdo krijim të tijin. Prandaj, edhe për këtë kontribut që ka dhënë dhe vijon të japë dita-ditës për artdashësit shqiptarë, basbaritoni i Operës, Sindrit Bejleri, është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi i Libohovës”.

Vlerësimi edhe propozimi për këngëtarin e njohur të muzikës së lehtë dhe asaj operistike është bërë nga qyteti i origjinës, Libohova, duke mbështetur veprimtarinë e tij si artist, që edukon shijet e publikut, por pa lënë mënjanë dhe atë të njeriut bamirës, që shpeshherë u është gjendur pranë familjeve, veçanërisht fëmijëve në nevojë.sidrit

Bejleri ka kryer studimet e larta për Kanto në Universitetin e Arteve, por profesionalizmi i tij artistik në të gjitha zhanret muzikore që ka lëvruar live, si opera musical, muzikë të lehtë apo në të gjitha gjinitë e saj dhe popullore njihet edhe nga mbarë publiku brenda dhe jashtë trojeve ku jetojnë shqiptarë.

Sindrit Bejleri është pjesë e stafit të Teatrit Kombëtar të Operës si basbariton, ku është angazhuar me role të ndryshme në muzikën operistike. Njihet nga publiku i gjerë edhe për angazhimin e tij si trajner në “The Voice of Albania”.

Bejleri ka marrë pjesë herë pas herë në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin Publik Shqiptar, te Kënga Magjike me “Vetja ime je ti” apo në Netët e Klipit Shqiptar me këngën “Në prag të derës”, me tekst dhe muzikë të shkruar prej tij. Për të vijuar më pas sërish në Netët e Klipit Shqiptar me “Këngë nusërie”.

Por për artistin nuk kanë munguar as bashkëpunimet në festivale, ku ndër to përmendim bashkëpunimin me Juljana Pashën, me këngën “Më beso” apo me Lind Islamin dhe Florent Abrashin, me “S’ta kam thënë”. Për të vijuar më pas me një tjetër bashkëpunim, siç është ai me Denisa Gjezon, me këngën “Sa fort të du”.

Megjithatë, Bejleri s’ka të ndalur. “A e ke ndi” me muzikë të Kledi Bahiti,ka qenë një tjetër sukses i artistit, ndërsa gjatë muajve të parë të këtij viti vjen me “Yll i bukurisë”, bashkëpunim ky me kompozitorin e njohur, Shpëtim Saraçi, e më pas me baladën për dashurinë, “A ish njësoj”. Një këngë e cila ka në qendër një histori dashurie. Në vargjet e këngës veçojmë, “Nuk të mbaj dot mëri, se asnjëri s’kish’ faj/Ishim thuajse fëmijë, Vetes sot nuk ia fal/Në fund të fundit e di/ Jeta shkon dhe luan lojën e saj/U pamë përsëri/Secili në rrugën e tij”.

Vet Bejleri është shprehur për këngën e tij, “A ish njësoj”, se: “Duhej një baladë pas tri këngëve të fundit ritmike ‘Sa fort te du’, ‘A e ke ndi’ dhe ‘Yll i bukurisë’. Kishte që në fillim të vitit të shkuar që Irkenc Hyka ma kishte propozuar si projekt, por doja të ofroja ritëm dhe atmosferë të gëzueshme në atë periudhë. Tani ishte koha për një baladë të ndjerë dhe pa shumë komplikime. Melodia është e Irkenc Hykës. Teksti, krijim imi, i ndikuar nga pak vargje të Irkencit, pa pretendimin se mund të ishte fabula e vërtetë, por u inspirova dhe bëra lirikën ‘A ish’ njësoj’. Fabula e ‘A ish’ njësoj’ përshkruan historinë e dy të rinjve që në adoleshencën e hershme patën një dashuri platonike mes tyre. Nga ato dashuritë që nuk i shfaqet dhe madje asnjë fjalë e thënë njëri-tjetrit. Pamundësia e vërtetimit nëse një ndjenjë e tillë e fuqishme ekzistonte te të dy dhe pikëpyetja tashmë pas rreth 20 vitesh nëse ishte e njëjta ndjenjë për të dy”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura