Qytetaria sociale dhe Bashkia e Roskovecit

Jan 31, 2023 | 8:03
SHPËRNDAJE

pellumb-nakoPËLLUMB NAKO

“Qytetaria sociale” është një koncept, i cili lidhet ngushtë me të drejtën e individëve të ndryshëm për të marrë pjesë drejtpërdrejt ose nëpërmjet përfaqësimit në organizimin e jetës të qytetit apo komunës ku banojnë. Në shoqërinë tonë shqiptare, ky koncept i përafrohet shumë termit “grupet e interesit”, të cilët konsultohen nga ana e pushtetit vendor apo qendror në një proces të quajtur “dëgjesa publike”. Pavarësisht nga këto lloj emërtimesh, në realitet “grupet e interesit” në Shqipëri nuk kanë të bëjnë me struktura qytetare të organizuara në mënyrë të qëndrueshme, të afta të ushtrojnë ndikim mbi të dy pushtetet duke qenë realisht përfaqësive të të gjithë trupës sociale. Për fat të keq, realiteti ynë flet vazhdimisht dhe deri më sot, për grupe klienteliste të lidhura direkt ose indirekt me vendimmarrësit. Ndërkohë, nga ana e saj, “qytetaria sociale” presupozon organizime të qëndrueshme në vazhdimësi që marrin pjesë rregullisht në mbledhjet e forumeve drejtuese të qytetit dhe në oponencë serioze me organet e zgjedhura me kompetenca vendimmarrëse. Organizime të tilla në Shqipëri janë të pakta dhe me pjesëmarrje po të paktë individësh. Kundërshtitë e tyre merren pak ose aspak në shqyrtim nga pushteti i të dy niveleve. Madje, kjo ndodh vetëm kur këto grupe arrijnë të bëjnë gjerësisht publike çështjen, për të cilën luftojnë.

Në këtë kontekst, rritja e nivelit të qytetarisë sociale, është edhe zhvillim në përgjithësi i shoqërisë. Kjo, sepse në një rast të tillë do të kishim të bënim me një pushtet të zgjedhur, i cili duke ftuar në çdo vendimmarrje me interes të gjerë publik edhe grupimet e ndryshme të trupës sociale ku ushtron kompetenca, do të reflektonte emancipim, transparencë, mirëqeverisje dhe nivel të lartë përgjegjshmërie. Nga ana tjetër, edhe trupa sociale do të tregonte pjekuri të lartë civile duke u vetorganizuar për të qenë aktive dhe po ashtu e përgjegjshme në ndërtimin e jetës në qytetin apo fshatin ku jeton dhe në respekt të plotë të institucioneve. Në këtë mënyrë krijohen kushte normale për zhvillim të mëtejshëm jo vetëm të këtyre të fundit, por edhe të vetë strukturës sociale që ato qeverisin. Kjo lloj marrëdhënie në realitetin social shqiptar për fat të keq është ende larg, madje shumë larg me standardet e duhura. Faktori kryesor mbetet niveli i zhvillimit social të vendit. Pavarësisht se në Shqipërinë tonë zhvillohen zgjedhje të rregullta politike e vendore, në themelet e tyre mbeten gjithmonë lidhjet klanore e farefisnore, ende të fuqishme, të cilat reflektohen më pas edhe në ndërtimin e institucioneve qeverisëse, sidomos të atyre të pushtetit vendor. Madje, debati i politikës shqiptare përqendrohet në çështjen sasa autonomi ka pushteti vendor në raport me atë qendror dhe jo në mënyrën se si të arrihet dhe sa është arritur tërheqja e publikut në qeverisje direkte.

Ndërkohë, rasti i bërë publik nga një kanal televiziv kombëtar ku Bashkia e Roskovecit ka denoncuar për paligjshmëri banorët e fshatit Kurjan sepse ata kanë shtruar vetë rrugën e fshatit të tyre, tregon se sa larg ndodhet pushteti vendor nga banorët e tij, madje që vepron edhe në kundërshtim me interesat e tyre jetike. Më shumë se qeverisje të keqe, kemi të bëjmë me një primitivizëm që nuk lidhet në asnjë pikë me parametra të institucioneve demokratike. Dhe raste të tilla nuk ka pak. Raste të ngjashme mund të konstatohen edhe gjetkë në përditshmërinë e realitetit social shqiptar. Ka ndodhur që një kryetar komune në disa fshatra në zonën e Tomorrit të bllokojë nismat e banorëve të tij për të kërkuar një investim publik (rrugë), sepse bie në kundërshtim me interesat e tij private. Shtrimi i rrugës bën që banorët të blejnë mjete transporti personale, ndërkohë që vetë kryekomunari zotëron një furgon, i cili mundëson gjithë transportin në atë rrugë pikërisht sepse është në gjendje të keqe.

Nëpërmjet veprimeve të saj kundër banorëve të Kurjanit, Bashkia e Roskovecit mund të konsiderohet si modeli me klasik i qeverisjes me bajraktarizëm në një vend, i cili konsiderohet si demokratik vetëm për faktin se zhvillohen zgjedhje të rregullta një herë në katër vjet. Qeverisja në vetvete nuk ofron asnjë standard real të tërheqjes së publikut të gjerë në vendimmarrjen e saj si mënyrë e rritjes së nivelit të përgjegjshmërisë së tij nëpërmjet qytetarisë sociale që u citua pak më sipër. Nëse zhvillimi i një vendi lidhet me rritjen e nivelit të institucioneve nga njëra anë dhe strukturës sociale nga ana tjetër, në Rastin e Roskovecit konstatohet tërësisht e kundërta. Është pikërisht primitiviteti i pushtetit vendor që pengon frymën e qytetarisë sociale.

Më konkretisht, banorët, sipas asaj që u paraqit në kanalin televiziv, kanë kërkuar prej kohësh nga pushteti vendor që të mundësojë shtrimin e rrugës së fshatit të tyre. Bashkia e Roskovecit, për arsyet nga më të ndryshmet, nuk është në gjendje ose nuk e sheh si përparësinë e saj që të kryejë këtë investim. Por ndërkohë nuk jep asnjë rrugëzgjidhje për këtë kërkesë të banorëve. Të ndodhur përballë një situate të tillë, banorët e fshatit janë të shtrënguar të vetorganizohen dhe të financojnë shtrimin e saj. Por për të kryer këtë veprim, ata sigurisht që nuk kanë një vendim të Bashkisë, apo ndonjë akt administrativ të saj që mund të përkufizohet, pra, si “leje”. Në mungesë “të lejes”, pa asnjë rrugëzgjidhje, ata shtrëngohen nga nevoja dhe e kryejnë investimin në mënyrë të paligjshme. Dhe për këtë paligjshmëri Bashkia kërkon t’i dënojë nëpërmjet kallëzimit në polici. Në terma të tjerë, kjo do të thotë se është Bashkia, e cila me mosveprimin dhe arrogancën e saj i shtrëngon banorët e fshatit të shkojnë drejt paligjshmërisë, dhe për këtë, më pas kërkon t’i fusë në burg. Një mënyrë e tillë veprimi mbetet natyrisht shembulli më i pastër i modelit të një qeverisjeje të keqe ku dominon padrejtësia sociale. Natyrshëm padrejtësia sociale mbetet faktori kryesor që ushqen paligjshmërinë.

Pushteti vendor në Roskovec nuk i jep drejtim nevojës që kanë qytetarët dhe nuk i tërheq ata në një dialog për mundësitë e rrugëzgjidhjes. Nën shtrëngimin e nevojës, qytetari shtyhet drejt paligjshmërisë. Kurse pushteti në vend që të zgjidhë nevojën e tij, e fut në burg. Kjo mbi të gjitha është papërgjegjshmëri, shenjë e mungesës së civilizimit.

Nëse Bashkia nuk kishte fondet e duhura për të rregulluar këtë rrugë, përball vetorganizimit qytetar, ajo mund t’i ndihmonte këta të fundit me projektin dhe ndoshta me një investim paralel të vogël siç mund të ishin kanalizimet. Gjithçka mund të konceptohej në formën e një projekti me financim të përbashkët ndërmjet Bashkisë dhe banorëve. Por mungesa e drejtësisë sociale duket qartë kur pushteti e ka më të lehtë të fus qytetarin në burg se sa të zgjidhë nevojën e tij jetike që e shtrëngon të shkojë edhe drejt paligjshmërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura