“Qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit”/ Basha: Ministrat e Ramës darkojnë në restorante të shtrenjta! Është koha për ndryshim

Jan 12, 2021 | 10:51
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar sërish sot qeverinë se ka lënë në mëshirë të fatit shqiptarët.

Në një prononcim për mediat nga selia e PD, Basha tha se ndërkohë që qytetarët shqiptarë po përballeshin me përmbytjet, ministrat e Ramës darkonin në restornate më të shtrenjtë në Dubai.

“Duket sikur jemi mësuar me gjithçka. Kjo nuk është gjë e mirë, madje kjo është e rrezikshme, shkatërrimtare për shoqërinë . Dy ditë më parë kur mijëra familje rrezikonin shtëpitë e tyre, kur mijëra familje kalojnë vitin e dytë në çadra, ministrat e Edi Ramës po darkonin në një nga restorantet me të shtrenjta të botës 1 mijë dollarë bifteku. Ndërkohë që njerëzit po shtyhen drejt krizës ekonomike më të thellë.

Ata nuk kanë turp, por mesa duket para kanë. Kanë shumë!  Dje u publikua një raport që qeveria e Ramës  ka shumëfishuar paratë gjatë këtyre viteve. Anëtarët e Ramës kanë trefishuar pasuritë”, tha Basha.

Kryedemokarti tha se është koha për ndryshim dhe këtë ndryshim, sipas tij do ta sjellë PD.

“Kjo është arsyeja që qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa qytetarët darkojnë me faturat të kripura 1 mijë euro bifteku. Është koha për ndryshim, është koha për një qeveri që të mendojë për ju. Është koha që qeveritarët që abuzojnë me pushtetin të shkojnë para drejtësisë. Është koha për ndryshim dhe këtë ndryshim do ta sjellim  ne

Prononcimi i plote i Lulzim Bashes

Pas 8 vite dështimesh, premtimesh boshe, skandalesh të Edi Ramës dhe qeverisë së tij, duket sikur jemi mësuar me gjithçka. Madje kjo është shumë e rrezikshme, shkatërrimtare për shoqërinë.

Dy ditë më parë u bë publike se si, kur e gjithë Shqipëria ishte përmbytur, kur mijëra familje rrezikonin shtëpitë e tyre, qindra e mijëra qytetarë kishin mbetur pa asnjë mbështetje, kur mijëra familje të tjera kalojnë dimrin në çadra, kriza ekonomike është thelluar, papunësia është rritur, ministrat e Edi Ramës po darkonin në një nga restorantet më të shtrenjta të botës.

1000 dollarë bifteku! 1000 dollarë bifteku! Ndërkohë që njerëzit po shtyhen drejt krizës ekonomike më të thellë të këtyre 30 viteve.

Ata nuk kanë turp.

Edi Rama nuk ka turp.

Po mesa duket para ka dhe kanë shumë. Dhe po dje u publikua një raport i cili tregon se zyrtarisht qeveria e Edi Ramës ka shumëfishuar pasurinë gjatë këtyre 7 viteve. Anëtarët e kabinetit të Edi Ramës zyrtarisht kanë trefishuar pasurinë e tyre gjatë viteve në qeverisje.

Kjo është një qeveri që mendon vetëm për veten e saj. Mendon vetëm për paratë e saj jo për paratë e qytetarëve. Nuk ju intereson qytetari, nuk e kanë në listë qytetarin dhe kjo është arsyeja se pse shqiptarët edhe pas tërmetit, edhe gjatë pandemisë, edhe gjatë përmbytjes janë lënë në mëshirë të fatit, janë braktisur ndërsa qeveritarët e tyre darkojnë me fatura të kripura 1000 dollarë bifteku.

Nuk i kanë dhe nuk i kanë pasur për asnjë moment interesat e qytetarëve, nuk janë kujdesur për ta, kanë harruar se çfarë është qeveria, se cili është misioni i qeverisë, të kujdeset për njerëzit, të kujdeset për vendin, të zgjidhë ku është e mundur hallet dhe jo t’i rëndojë ata.

Kjo është një qeveri që mendon vetëm për veten e vet dhe ky është një kryeministër që mendon vetëm për veten e vet dhe për paratë e veta, jo për paratë tuaja të dashur qytetarë.

Të dashur qytetarë, është koha për ndryshim, është koha për një qeveri që të mendojë për ju, për hallet tuaja, për problemet tuaja dhe jo për veten e saj.

Është koha që qeveritarët të cilët abuzojnë me pushtetin dhe me paratë tuaja të shkojnë para drejtësisë.

Është koha të kemi një qeveri, e cila jep zgjidhje për problemet tuaja në vend që të merret nga mëngjesi deri në darkë me vjedhjen e pasurive tuaja.

Është koha për ndryshim dhe këtë ndryshim do ta sjellim ne.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura