Quo vadis i autonomisë universitare!

Aug 17, 2017 | 12:00
SHPËRNDAJE

edvin priftiPROF. EDVIN PRIFTI*

Autonomia universitare, kjo çështje kaq e debatueshme në ambientet akademike, kaq pozitive për stafet universitare si një frymëmarrje e shumëpritur pasi mushkëritë të janë mbushur me ujin e pisët të autoritarizmit institucional “shkencor”, kaq e luftuar nga qarqet e mediokritetit dhe rrymat e llafazanëve dhe të të paaftëve, autonomia universitare produkti i mendjeve më të shëndetshme dhe brilante universitare, të cilat kanë për qëllim dhe synojnë krijimin e elitave intelektuale, të cilave do t’u duhet të udhëheqin kombin në dekadat që vijnë, sot gjymtohet dhe shpërfytyrohet në mënyrën më të paskrupullt, anadollake dhe anakronike, me një të rënë të lapsit nga zyrtarë teknikë dhe mekanikë të institucioneve arsimore shqiptare.

Thomas Estermann, në studimin e tij në kuadrin e Shoqatës Europiane të Universiteteve (European University Association) ne publikimin e tij të titulluar (University Autonomy in Europe III– The scorecard 2017) do të shkruante që universitetet europiane duhet patjetër që të kenë të gjitha mundësitë dhe aftësitë për të marrë vetë vendimet e tyre, në mënyrë që të plotësojnë misionin e tyre shkencor, mësimdhënës, akademik dhe kërkimor-shkencor.

Pa dyshim që, sidomos ne shqiptarët, kemi kaluar faza të caktuara ku me fjalën autonomi gjithmonë është luajtur dhe është përdorur më tepër për të mos realizuar gjërat e premtuara, sesa për të vendosur shtyllat reale të autonomisë, e kam fjalën për autonominë institucionale, autonominë dhe balancën e pushteteve, autonominë e pushtetit vendor, etj., dhe gjithmonë kur është përdorur dhe nuk është vendosur në realitet, konkluzioni ka qenë një tallje dhe nënqeshje me autonominë, apo me të drejtën e vetëvendosjes.

Kjo më ndodhi edhe mua, kur në reformën e arsimit të lartë të propozuar dhe të sanksionuar me ligj në vitin 2015, bëhej fjalë për themelin e kësaj reforme, që ishte autonomia universitare, por pak nga pak, me implementimin e saj, u evidentua qartë që elemente shumë pozitive të një autonomie universitare fillestare filluan të shfaqeshin në institucionet tona universitare, paçka se akoma nuk mund të bëhej fjalë për autonomi reale dhe substanciale të këtyre institucioneve. Gjithsesi, kjo ishte e nënkuptueshme, sikurse çdo fenomen i ri kur fillon të aplikohet ka nevojën e temperimit dhe aplikimit gradual.

Por, autonomia universitare ka nevojë çdo ditë për t’u trajtuar, për t’u kujdesur dhe për ta çuar drejt progresit gradual, por mbi te gjitha ka nevojë për dëshirën për ta bërë këtë. Ad libertatem per universitatem – Drejt lirisë nëpërmjet universitetit, ky është thelbi i autonomisë universitare, pasi universiteti duhet të jetë i lirë, duhet të prodhojë liri, duhet të ndihet i lirë dhe duhet të çojë gjithë shoqërinë drejt lirisë, liri kjo e cila nuk është liria e parlamentit, por është liria e cila duhet të ndihet në mendjet dhe zemrat e elitave intelektuale të një kombi.

Jo më shumë se një javë më parë, pikërisht këto elemente fillestare të autonomisë universitare u shkelën në mënyrën më arrogante, më të paskrupullt, më absurdë në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, dhe në vazhdim edhe në universitete të tjera, kur ministrja e Arsimit vendos në mënyrë arbitrare, aspak të mbështetur në ligjet e këtij vendi, të zëvendësojë anëtarët përfaqësues të Ministrisë së Arsimit në Bordin e Administrimit të Universitetit të Mjekësisë dhe të universiteteve të tjera.

Pa dyshim që ky vendim nuk prekte aspak mua dhe kolegët e mi, të cilët janë përfaqësues të trupës akademike në Bordin e Administrimit, por kjo nuk na pengon, përkundrazi, duke parë përtej interesit personal dhe në respekt të stafit pedagogjik dhe akademik të cilin po mundohemi ta përfaqësojmë denjësisht, bëmë publike shkeljet ligjore të ndodhura, por që më shqetësuesja është pikërisht thyerja e autonomisë së institucionit të arsimit të lartë, të cilin mundohemi të përfaqësojmë.

Pikërisht të dërguarit apo të deleguarit e Ministrisë, me pseudopërfaqësimin e tyre dhe me vendimet e tyre kanë cenuar në mënyrë të hapur dhe pa asnjë ekuivok, dhe sigurisht në mënyrën më të paligjshme, autonominë universitare. Nuk mjafton kjo, por çdo vendim në lidhje me këtë çështje është në kundërshtim të hapur me ligjin e arsimit të lartë të vitit 2015, me ligjin e organeve kolegjiale, me Kodin e Punës, Statutin e Universitetit, Rregulloren e Bordit të Administrimit, Kodin e Procedurave Administrative, si dhe në kundërshtim me Senatin Akademik të këtij institucioni, si dhe shkelje të rënda procedurale, deri në fshehje dokumentacioni.

E gjithë kjo është e çuditshme që ndodh në zyrat e vetë institucionit universitar, pavarësisht se rektori i Universitetit të Mjekësisë ka dërguar një komunikim zyrtar mbi ndërprerjen e aktivitetit të Bordit të Administrimit deri në sqarimin e situatës. Kjo tregon që autonomia universitare, e cila duhet të garantohet nga Bordi i Administrimit dhe Senati Akademik, tashmë është prangosur diku në një nga kafazet eksperimentale, në një bodrum të lagësht të Fakultetit të Mjekësisë, në pritje të ekzekutimit nga fishekët e ndryshkur të karabinave të luftës së kaluar.

Sigurisht që zj. Karabina, ministrja aktuale e Arsimit, duhet ta kuptojë që mënyra e zgjedhur në radhë të parë është antiligjore dhe, në radhë të dytë, cenon të drejtat dhe autonominë universitare për të cilën ajo duhet të ishte mbështetësja dhe garantja kryesore. Në radhë të parë se është ministre e Arsimit, në radhë të dytë se është ministre teknike, që nënkupton që duhet të jetë tepër e interesuar në mbarëvajtjen teknike të procesit të aplikimit të ligjit të arsimit të lartë dhe, në radhë të tretë, pasi presupozohet që përfaqë- son një forcë politike, e cila thërret më shumë nga të gjithë për lirinë, e çfarëdolloj forme qoftë ajo.

Si ka mundësi që pikërisht statura e kësaj ministreje të cenojë pikërisht thelbin e asaj që duhet të përfaqësonte teorikisht në pozicionin e saj teknik? Ne kemi ndjekur dhe do të ndjekim çdo rrugë ligjore, institucionale dhe hierarkike, si dhe mediatike dhe më tej në lidhje me shpërdorimet e rënda të detyrës, të cilat kanë ndodhur. Mendojmë që bordet e ligjshme duhet të mblidhen dhe të marrin vendime drastike dhe radikale për institucionet e arsimit të lartë. Por, i gjithë ky proces ka nevojë që i gjithë stafi akademik të kuptojë në radhë të parë rëndësinë e autonomisë dhe në radhë të dytë se ku mund të çojë cenimi i saj dhe në konsekuencë duhet të japë kontributin e tij të menjëhershëm me të gjitha format e mundshme.

Kjo çështje nuk ka lidhje me individë, me interesa të veçanta, grupe, apo direktiva etj., çështja i kalon kufijtë individualë dhe shkon drejt ruajtjes së dinjitetit dhe respektit ndaj vetes dhe institucionit universitar dhe akademik, garantimit të autonomisë së institucionit, respektimit të interesave të stafeve akademike të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, përfaqësimin e tyre në mënyrë transparente dhe të drejtpërdrejtë por, mbi të gjitha, ruajtjes së devotshmërisë ndaj komunitetit, të cilit i kemi kërkuar ta përfaqësojmë. Në një këndvështrim, e shikoj pozitivisht këtë episod, si një sprovë në të cilën sistemi universitar publik duhet të kalojë, një sprovë në të cilën ne do të na duhet të shfaqim dinjitetin kundrejt përuljes, moralin kundrejt servilizmit, përballjen kundrejt përbaltjes.

Kjo është një provë për të gjithë ne, në vigjilje të këtij viti të ri shkollor, kur në vend që institucionet të përgatiten për pritshmëritë maksimale që duhet të kenë në hapjen e auditorëve, interesohen për dominimin e financës universitare, shpërndarjen e fondeve, miratime modifikimesh të rënda buxhetesh, emërime administratorësh, duke prodhuar asgjë më shumë sesa shpërndarje interesash okulte. Sapientia sola libertas est (Vetëm dituria është liri).

Dhe ky duhet të jetë qëllimi i universiteteve tona të nderuara, funksionarë të shtetit që ne na përfaqësoni. Nuk mundet dhe nuk duhet që universitetet tona, të cilat tashmë janë të lodhura skajshmërisht nga ndë- rhyrjet politike, tarafet orientale, paaftësitë dhe mungesat në financime, të suportojnë goditjet nën brez që i përgatisni me interpretimet tuaja, dhe për më tepër duke shprehur publikisht kënaqësitë nga “falënderimet nëpërmjet email-it”, në vend që të kishte një reflektim korrekt dhe meditim serioz se si mund të zgjidhet një situatë problematike, ku po futen institucionet universitare.

Unë uroj që situata e krijuar, jo vetëm në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, të pasojë jo vetëm me një anulim të vendimeve të paligjshme, por ndërkohë edhe me një reflektim të të gjitha stafeve akademike kudo ato ndodhen, se pse arritëm deri këtu, se pse nuk gjejmë kurajën për të qenë akademikisht të lirë dhe për ta mbrojtur atë, se pse anojmë nga pushteti dhe jo nga e drejta universale dhe universiteti i të drejtës, lirisë dhe shkencës, i cili duhet të jetë autokrati ynë i vetëm, i padiskutueshëm dhe i pranuar nga të gjithë.

*Anëtar i Bordit të Administrimit dhe Senatit Akademik të UMT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura