“Quaderni” i Koçi Petritit, personaliteti i një poeti në vargje

Apr 20, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Dy vjet më parë u nda nga jeta Koçi Petritim njëri prej lirikëve më të mirë shqiptarë. 

Dr. Jolanda Lila, në një shkrim të botuar sot në gazetën Panorama e cilëson Petritin si krijues të strukturave ritmike nga më të larmishmet, duke nxjerrë në pah natyrën e pasur të shqipes. 

Dr. JOLANDA LILA

Dy vjet më parë, më 20 prill 2014, u nda nga jeta një nga profesorët më pasionantë të letërsisë, poeti dhe studiuesi Koçi Petriti. Auditorëve universitare u mungon zëri kumbues dhe thellësia e mendimit të profesorit, i cili edukoi breza të tërë studentësh, duke u injektuar dashurinë për dijen dhe zhbirilimin deri në asht të tekstit poetik.

 

Koçi Petriti
Koçi Petriti

Kolegëve dhe miqve të tij u mungon humori, energjia e pashtershme, buzëqeshja e pandarë dhe bisedat e pafundme për letërsinë, veçanërisht për Martin Camajn dhe Ndre Mjedën, që ai i vlerësoi dhe i studioi deri në fund të jetës së vet. Këmbëngulës dhe gjithnjë dyshimtar për të vërtetën absolute, ai hulumtoi deri në përimtim disa nga autorët më të rëndësishëm të letërsinë shqipe, por edhe krijimtarinë popullore shqiptare, veçanërisht baladat.

Falë punës së tij studimore, profesor Koçi Petriti ka zënë një vend të ndritur në historinë e mendimit filologjik shqiptar, për shkak të risive që solli në qasjen e tekstit poetik dhe analizat e detajuara, larg komenteve bajate. Veprat e tij studimore “Në poetikën e Martin Camajt” (1997), “Fjala poetike, kuti e Pandorës” (2008) dhe “Komunikimi sfidues.

Bota poetike” (2009) karakterizohen nga zhdërvjelltësia e tekstit, gjuha e thjeshtë dhe e kuptueshme, larg shtampave të gatshme dhe frazave të stërfryra të kësaj lëmie. Individualiteti i stilit të tij do të përvijohej edhe në profilin krijues të poetit, ku qysh në botimin e poezive të para spikati për vargun me ndjenjë, me metrikë solide, me rimë mjeshtërore e fuqi shprehëse, por edhe për notat e humorit, tipare këto që i siguruan një vend të përhershëm e dinjitoz në panteonin e lirikës klasike shqipe.

“Quaderni” dhe tiparet e individualitetit të tij poetik Një vit pas ndarjes nga jeta të poetit dhe studiuesit Koçi Petriti, u botua përmbledhja poetike “Quaderni”, që nxori në dritë një nga trajtat origjinale të poezisë së këtij autori. Të shoqëruara me faksimile, në këtë libër botohen për herë të parë poezi, të cilat (me dy-tri përjashtime) nuk janë botuar në librin “Lirikat e majit”, që është varianti binjak me “Quaderni”.

Edhe pse këto dy libra u ngjizën në të njëjtën kohë, vetëm njëri e pa dritën e botimit, ndërsa tjetri u bë i njohur për lexuesit shqiptarë vetëm pas 52 vjetësh.

“Quaderni” është një libër trefarësh, ku fillimisht paraqiten disa shënime autobiografike të autorit, që përvijojnë momente të rëndësishme të veprimtarisë së tij profesionale; më tej, publikohen poezitë sipas versionit dorëshkrimor të fletoreve e në anën tjetër, shfaqet edhe versioni i tyre i kompjuterizuar besnikërisht dhe në fund, përmblidhet antologjia estetike me artikujt studimorë e kritikë për poezinë e tij, e hartuar nëpër vite prej emrave të rëndësishëm të studimeve letrare, si: Arshi Pipa, Robert Elsie, Dhimitër Shuteriqi, Razi Brahimi, Aurel Plasari, Dritëro Agolli, Bashkim Kuçuku, Anton Papleka, Mojkom Zeqo, Visar Zhiti, Adem Jakllari etj.

E veçanta e poezive të këtij libri dhe njëherësh tipari karakterizues i gjithë poezisë së Koçi Petritit është të qëndruarit besnik ndaj stilit klasik të të shkruarit, ku spikat ligjërimi i drejtpërdrejtë, që i drejtohet një mase të gjerë lexuesish, pasi uni lirik kuvendon këmbëkryq me lexuesin.

Poezia e Koçi Petritit shënjon trajtën përfaqësuese më të plotë dhe më të larmishme në llojin e lirikës klasike të bashkëkohësuar. Kjo frymë reflektohet në përzgjedhjen e fjalorit poetik, të sintaksës së përdorur, të rimës, ritmit dhe të elementeve të tjera gjuhësore, të cilat u nënshtrohen rregullave strikte formale, rregulla që, shpesh, janë pjellë e vetë autorit si mënyrë për t’u sprovuar dhe për të eksperimentuar aftësitë krijuese të vetvetes.

Ai është krijues i strukturave ritmike nga më të larmishmet, duke nxjerrë kështu në pah edhe natyrën e pasur të shqipes për realizimin e parimeve themelore fonetike dhe gramatikore të gjuhës sonë. Lirika e tij meriton një studim më të thellë për të kuptuar thellësinë e botës poetike dhe larminë e madhe kompozicionale e ritmike. Poeti ka marrë elementet më përfaqësuese të autorëve të traditës poetike shqiptare, të cilat kanë ndikuar në përndritjen e talentit të tij krijues.

Duke marrë nektarin prej poezisë tradicionale, ai bëhet një përçues i denjë i këtij stili dhe arrin të prekë nivelet e ndryshme kulturore receptuese, duke na bërë të ndiejmë fort efektin emocional të gjuhës së shpirtit dhe të poezisë shqipe. Pjesën më të madhe të fondit leksikor e zënë fjalët e perceptueshme, objektet dhe dukuritë pamore, që janë konkrete dhe të qarta.

Madje, kjo lloj përzgjedhjeje gjuhësore mbetet ideali estetik i poetit, i cili vë në jetë konceptin e tij për poezinë, që është i ngjashëm me atë të Nerudës, kur thoshte: “Unë shkruaj për njerëzit e thjeshtë, për njerëzit që shpeshherë nuk dinë as të lexojnë; sepse poezia ka ekzistuar në botë edhe para fjalës së shkruar, prandaj ajo, sikurse buka, duhet t’u takojë të gjithëve, tërë familjes sonë të madhe dhe të mrekullueshme njerëzore”.

Mendësitë popullore, të shpërndara kudo si lëndë shndërruese dhe rrezatuese, herë janë në rol kryesor dhe herë në rol dytësor. Në plot lirika, mendësia popullore nuk është thjesht një përbërës, aq më pak dekorativ, pasiv, por është vektori orientues i qëndrimeve emocionale, ideore, morale, estetike, ndërkaq, në plot të tjera, ajo mbizotëron, d.m.th. përcakton krejtësisht vlerësimet përkatëse, sidomos për dukuri dhe koncepte themelore të jetës, për njeriun, punën, vendin, botën njerëzore, dashurinë, moralin, virtytin, vesin, natyrën etj.

Mendësia popullore, në shumicën e rasteve, përçohet nga vetë heroi lirik i poezisë, por edhe nga personazhet letrare të hamendësuara. Në varësi të tematikës dhe të motiveve shtillet edhe mënyra e të menduarit dhe e të arsyetuarit. Gjeografia e shtrirjes së personazheve dhe koha së cilës i përkasin reflektojnë mendësinë e kohë-hapësirës që përfaqësojnë, njëlloj si në veprat prozaike. Duke qenë se lënda shqiptare është mbizotëruese, për pasojë, mendë- sia e kombit tonë udhëheq poetikën e tij.

Ky tipar spikat jo vetëm në planin substancial, por edhe në atë kompozicional, pasi struktura e baladës është tipari dominues i vargut të tij. Për shkak të pranisë së këtyre elementeve poetike, poeti Koçi Petriti konsiderohet si një nga baladistët më të suksesshëm të poezisë shqipe dhe një nga lëvruesit më të veçantë e origjinal të poemës në traditën artshkruese shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura