QKLL dhe ambasada franceze, marrëveshje bashkëpunimi/ Bardhyli: Një program i përbashkët për formimin e përkthyesve të rinj

May 26, 2021 | 13:37
SHPËRNDAJE

alda bardhyli

Pas shuarjes së një kasti të njohur përkthyesish, që i dhanë jetë librit shqip në kulturën franceze, siç ishte edhe Jusuf Vrioni, libri shqip, prej vitesh, ka mungesë të përkthyesve jo vetëm në gjuhën frënge, por edhe në gjuhë të tjera të mëdha.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka nënshkruar sot një marrëveshje me Ambasadën e Francës në Shqipëri, e cila ka si një ndër prioritetet e saj pikërisht krijimin e një programi për të mbështetur formimin e përkthyesve të rinj.

“Kjo marrëveshje synon të zgjerojë hapësirat e bashkëpunimit në fushën e librit mes dy vendeve, përmes programeve të përbashkëta të dedikuara në ndihmë të autorëve dhe botuesve shqiptarë. Një pikë e rëndësishme e kësaj marrëveshjeje është edhe krijimi i një programi, që do të mbështesë në vazhdimësi përkthyesit e rinj shqiptarë”, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së.

Sipas saj, Qendra do të organizojë nga data 30 qershor deri më 31 dhjetor 2021 një plan trajnimi me profesorë të Departamentit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës dhe ekspertë francezë.

Nga ana e tij, Këshilltari për Kulturën në Ambasadën Franceze, Jerome Spinoza, vlerësoi frymën e krijuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe e quajti programin e trajnimit të përkthyesve si një program ambicioz në urat e komunikimit mes dy kulturave.

Përtej këtij programi të rëndësishëm në ndihmë të librit shqip, më 10 qershor të dyja institucionet do të hapin një thirrje të përbashkët për të mbështetur botuesit shqiptarë, të cilët duan të sjellin në gjuhën shqipe autorë francezë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura