QKK dhe “i bukri shejtan”

Sep 28, 2023 | 9:43
SHPËRNDAJE

NGA EDMOND BUDINA Edmond dhe Robert Budina

Rreth dy javë më parë, përmes rrjeteve sociale, Kryeshejtani na u faneps si “i bukri shejtan”, që bën sikur i dhimbsen të përndjekurit politikë dhe vuajtjet e tyre. Ashtu si është në traditën e shejtanëve, shejtanllëkun e fshehur e ktheu në mrekulli. Vetëm me një gjest, zgjidhi disa probleme e vrau disa zogj.

Si i takon sërës së tij, mori telefonin dhe dha urdhër të financohet një film për qëndresën e të burgosurve të Spaçit, të restaurohet burgu për realizimin e filmit dhe më pas kthimin e tij në muze. Njëjtë si urdhrat e padrinove të mafies, që me një të rënë telefoni urdhërojnë kush të eliminohet e kush të ndihmohet.

Me një urdhër, të dhënë prej tij, u eliminua edhe Teatri Kombëtar, ku, veç të tjerave, ishte kryer edhe gjyqi i parë kundër intelektualëve dhe ku u dënuan me vdekje 17 persona. Ne kërkuam të ruhej edhe për këtë arsye, madje propozuam të ngrihej edhe një obelisk për të pushkatuarit e regjimit, por me sa duket kjo nuk i interesonte Kryeshejtanit, sepse ishte në qendër të kryeqytetit dhe të përndjekurit mund të përkujtohen veç periferive, sepse ka të përndjekur të kategorisë A, B etj.

Lindin pyetjet: “Pse në dhjetë vjet të qeverisjes së tij nuk e ka shndërruar asnjërin prej burgjeve në muze, qoftë Spaçin, Qafën e Barit, apo kampin e Tepelenës, me gjithë kërkesat e herëpashershme? Përse duhet të vendosë Kryeshejtani, se cila vepër arti duhet të realizohet, cila duhet të pengohet, cila histori ka vlerë kombëtare dhe ia vlen të bëhet film e cila jo?” Historia e Musine Kokalarit, p.sh., ka jo vetëm vlerë kombëtare, por edhe ndërkombëtare dhe përse duhet të vendosë Kryeshejtani, alias Kryeministri, kur ne kemi një QKK, ku të gjitha projektet filmike për financim kalojnë nëpërmjet saj? Ku vlerësohet vepra edhe për cilësinë e saj nga specialistë, që merren me atë profesion. Ku e ka garancinë ai, se paratë, që i hedh, sikur t’ia ketë falur dikush, nuk do të shkojnë dëm dhe vepra e ardhshme do të ketë impakt në publik?

Këtu nuk është fjala thjesht e realizimit ose mosrealizimit të një filmi për revoltën e Spaçit, që padyshim ia vlen, dhe as tek vlerat e autorëve të tij, por te shkelja e ligjit, ku Kryeshejtani do të kontrollojë gjithçka dhe të shfaqet si bamirës, i ndjeshëm, shpirtmadh, i kuptueshëm, kur është fjala për ngjarje me ndjeshmëri qytetare, në një kohë që shejtanllëqet e tij nuk kanë anë e fund. E shkel haptas ligjin dhe as nuk i shkon fare nëpër mend, që qoftë edhe formalisht ta kalojë nëpërmjet QKK, të vetmit institucion, që mund të përligjë financimin e filmit. Dhe kjo nuk është hera e parë, që ai jep financime personalisht, me lekët e shtetit natyrisht, për projekte filmike.

“Miu nën mustaqe” ka kaluar edhe tjetër herë dhe, kur pa, që nuk pati asnjë reagim, filloi ta bëjë rrugë. Dhe ky është, me sa duket, synimi dhe perspektiva e QKK: të shkrihet dhe vendimet t’i japë Kryeministri si qoka për interesat e veta personale ose të grupimit të tij politik. E them këtë, sepse eksperienca e të gjitha institucioneve artistike, ku gjithçka e vendos partia, është bërë shumë e rrezikshme dhe më kujton, veç të shkuarës sonë, edhe propagandën gëbelsiane, ku çdo gjë është në funksion të Udhëheqësit.

Disa vjet më parë, Kryeministri na mblodhi për të na paraqitur kryetarin e ri të QKK, që erdhi papritmas nga larg dhe na u servir si një “i bukur shejtan” i vocërr, që do të punonte për ngritjen e cilësisë së kinemasë sonë, paçka se ai vetë, veç 2-3 filmave të realizmit socialist, nuk kishte bërë asgjë në 30 vjet. Deri atëherë, me gjithë vështirësitë, kinemaja jonë ishte rritur si sasi dhe si cilësi. Këtë e tregojnë rezultatet e pjesëmarrjes në festivale, çmimet e fituara, rritja e numrit të spektatorëve.

Kryeministri shejtan, në atë takim, premtoi se do të rriste buxhetin për filmin, nëse do të pranonim kushtin e padiskutueshëm të futjes në bordin e përzgjedhjes së projekteve dy ose tre të huaj, me arsyetimin, se të huajt korruptohen më pak, janë më objektivë etj., thua se anëtarët shqiptarë të bordeve të deriatëhershëm ishin kthyer në oligarkë, me paratë e fituara prej korrupsionit të filmave!! E theksoi fort atë “Xxeerrroo lek!”, sikundër dinë ta theksojnë vetëm këta, kur është fjala për para.

(Ju kujtohet ai tigri, që ia mbathi me bisht ndër shalë, prej frikës së Kryeshejtanit, në parlament, kur thoshte për Becheti-n se “do marri xxerrroo, xxxeeerrrooo lek”?) I vocërri shejtan i QKK, nuk vonoi të vinte në zbatim porositë e Kryeshejtanit. Filloi të flasë për të ardhmen shumë cilësore të filmave nën drejtimin e tij, duke lënë të nënkuptohej, se gjithçka e krijuar deri atëherë ishte e dobët e pa ndonjë vlerë. Imitues i përpiktë i Kryeshejtanit.

Gjëja e parë që bëri, ishte vendosja e “rregullave të rrepta” për t’u takuar me të. Nëse deri atëherë kineastët e konsideronin QKK-në si shtëpinë e tyre dhe shkonin për të zgjidhur probleme, këmbenin mendime, qanin hallet me kryetarin, tani e tutje ata duhej të dërgonin një e-mail, ku të shpjegonin arsyen e takimit me të vocërrin shejtan dhe, nëse ai e shihte të arsyeshme e do të gjente kohë, mund edhe të takoheshin me të! Vendosi, që dokumentet e projekteve filmike duhej të paraqiteshin në shqip e anglisht.

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në nenin 14 thuhet se gjuha zyrtare është shqipja. Përse duhet të paraqiten dokumentet në një institucion shtetëror shqiptar në anglisht? Për të mos folur këtu qoftë për nivelin e përkthimeve, që ndikon në gjykim, qoftë për faktin, se ky është një shpenzim i tepërt për shtëpitë e varfra filmike shqiptare. Anëtarët e bordeve ofrohen dhe votohen online prej kineastëve.

Çfarë do t’i kushtonte, fjala vjen, QKK, të organizonte votimin në selinë e saj dhe rezultati të zbulohej përpara të gjithëve? Kineastët janë një grusht njerëzish dhe gjithçka do të zhvillohej maksimumi në dy orë. Votimin online askush nuk e kontrollon dot dhe padyshim lë shkas për dyshime dhe abuzime. Shpesh të huajt nuk e njohin as psikologjinë e as realitetin shqiptar dhe mund të gabojnë në vlerësime. Më kujtohet, se si një i huaj, në një festival filmi, nuk e perceptonte dot, se si mund t’i merrej toka, prona dikujt pa dëshirën e tij; se si një pronar kthehet në ishpronar pa u kompesuar.

Anëtarët e bordit firmosin një kontratë me QKK, ku u ndalohet të komunikojnë me kineastët për vlerësimin e projekteve dhe pikët komunikohen vetëm nëpërmjet qendrës! Dhe nëse ti kërkon të zbatohet ligji i informimit dhe i transparencës për mënyrën e votimit, të japin një fletushkë, ku shkruajnë, se anëtari nr. 1 të ka dhënë kaq pikë, anëtari nr. 2 aq e kështu me radhë. Ç’është kjo frikë për të dalë ballazi, me emër, mbiemër? Madje duhet të ketë edhe një motivim për votimet, qoftë për projektet fituese, qoftë ato humbëse, sikundër bëhet në vendet e zhvilluara.

Producentët e filmave, kur paraqesin projektet, duhet të firmosin edhe një dokument, ku u kërkohet të mos ankimojnë vendimin e bordit, rezultatin, cilido qoftë ai. Në çfarë shteti jetojmë?! Kush të siguron, se i bukri shejtan vocërrak i radhës nuk i manipulon votimet, sidomos me të huajt? Kush të siguron, se nëpërmjet këtij manipulimi nuk përfitohen edhe para nën dorë, nuk ka korrupsion, ose iu pritet rruga atyre, që janë kundër politikës korruptive të qeverisë? Sepse logjika që “unë të ndihmoj, por duhet ta kuptosh se ky është biznes”, është mjaft e përhapur në institucionet shtetërore.

Ndonëse vocërraku shejtan i QKK ndenji rreth katër vjet e gjysmë në krye të saj dhe zbatoi pikë për pikë dëshirat e Kryeshejtanit, a u rrit cilësia dhe buxheti i filmave? Zero! Madje ra! Këto ditë, nëpërmjet medias, mësova se buxheti i QKK është i njëjtë me atë të vitit 1996!! Kryeshejtani mashtroi, e hëngri fjalën, sikundër bën përherë dhe as i skuqet e as i nxihet faqja. Premton financime, buxhete, i ul e i ngre sipas qejfit, sikur paratë t’ia ketë lënë trashëgim i ati, pa pasur një plan, një strategji si do të zhvillohet në perspektivë, fjala vjen, kultura dhe arti.

Tani po sjell një shembull personal, për të cilin mbaj përgjegjësi dhe të cilin po e them publikisht për herë të parë. Në 2019, kur ne ishim në kontrast të fortë me qeverinë e kryeministrin, për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, paraqita në QKK një projekt filmi, pikërisht për Musine Kokalarin, intelektualen e shquar dhe të shumëvuajtur, të burgosur e të përndjekur nga regjimi. Nëpërmjet një miku të përbashkët me një anëtar të bordit, njoftohem se projekti im kish fituar. Pas njëfarë kohe më rimarrin në telefon dhe më thonë, se ishte bërë një gabim dhe unë nuk kisha fituar.

Dal në rrugë dhe dy kolegë të nderuar kineastë, pa dijeninë e njëri-tjetrit, më urojnë për fitoren. U them, se nuk kam fituar dhe ata mbeten të habitur, nuk e besojnë. Njëri prej anëtarëve të huaj të bordit më dërgon një mesazh, ku më përgëzon për nivelin dhe origjinalitetin e projektit dhe megjithatë… unë nuk kisha fituar. Pyes veten: ç’ndodhi? Koincidenca duket e pabesueshme! Mbase i vocërri shejtan i QKK, për të treguar zellin, devotshmërinë kundrejt Kryeshejtanit e ka bërë në kokë të vet manipulimin, por mundet edhe të ketë marrë urdhër nga shejtanka ministre, ose pse jo, edhe nga vetë Kryeshejtani, hamendjet janë të hapura. Kërkoj sqarim në QKK dhe më japin fletushkën: anëtari 1, anëtari 2… A kam të drejtë të mendoj, se gjithçka ishte manipuluar (pasi luftoja për të mbrojtur Teatrin Kombëtar) nga interesat mafioze të Kryeministrit?

Qysh prej asaj kohe, QKK nuk më dërgon më as e-mail-et informuese, që ia dërgon çdo kineasti, të cilat m’i dërgonte edhe mua, pa ngjarë kjo ndodhi. (Tani shejtani i vocërr i QKK është larguar, por edhe në mbledhjen e fundit të bordit, në qershor të këtij viti, ai nuk e shpalli rezultatin menjëherë, me të marrë vendimet e çdo anëtari, por vetëm pas dy ditësh. Pse?? Madje unë mendoj, se ato duhet të bëhen të hapura, direkt, në sy të kineastëve, pa qenë fare nevoja të kalojnë nga zyra e kryetarit).

Dikush më tha: “A të flas me kryetarin e bashkisë, për të të dhënë një financim për xhirimin e filmit për Musinenë?” Natyrisht përgjigjja ime ishte e prerë: “Unë dorën nuk ua shtrij kriminelëve. Ai është vrasës. Së bashku me Kryeministrin dhanë urdhër të shembej Teatri, kur njerëzit ishin ende brenda”.

Natyrisht, paratë nuk ishin të kryetarit të bashkisë (shejtanit të fiqve), por të taksapaguesve shqiptarë. Por unë nuk mund të pranoj financim prej atyre, që të vrasin natën e të qajnë ditën, sepse nëse nuk u vra dikush natën e 17 majit, kjo ishte thjesht një rastësi. Mendoj, se është e rëndësishme të ngulitim idenë dhe të luftojmë për ta zbatuar të gjithë, që të ketë ndershmëri, transparencë në gara, të fitojmë nëpërmjet ligjshmërisë, meritokracisë dhe jo qokave propagandistike, që i interesojnë kryeshejtanit të radhës.

Këtu më vjen ndër mend një thënie e Bertold Brehtit: “Kush nuk njeh të vërtetën është i trashë, por kush, duke e njohur, e quan gënjeshtër, është një kriminel”. Unë nuk mund të bëj sikur nuk shoh, sikur nuk dëgjoj, sikur realiteti, në të cilin jetojmë, është rozë e gjithçka shkon mbroth. Këta nuk të pengojnë, kur je thjesht kundërshtar i tyre politik a ideologjik. Ata të pengojnë e sulmojnë, kur u prek interesat e tyre mafioze, kur i kallëzon në organet e drejtësisë, kur vë firmën dhe fytyrën tënde, jo për interes personal, por për të mirën publike dhe këmbëngul, deri sa e vërteta të dalë sheshit. Këtë nuk ta falin.

Nëse nuk është kështu, atëherë Kryeministri le të bëjë një veprim, që tregon të kundërtën: të financojë edhe filmin për disidenten Musine Kokalari, sepse edhe unë kam producentë të huaj në bashkëprodhim, kam marrë financime nga Ministria Italiane e Kulturës për të gjithë filmat e mi, si askush kineast tjetër shqiptar.

Me këtë rast financoni edhe rindërtimin e Teatrit Kombëtar atje dhe ashtu si ishte, që të xhirojmë skenën e famshme të gjyqit të saj, ku ajo ka deklaruar: “Unë s’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj, po ju do të më dënoni, jo se kam bërë faj, po se ju komunistët nuk lejoni parti tjetër dhe gjeni sebep e thoni, se doni të përmbysni pushtetin”.

Kështu që pas xhirimit na mbetet edhe muzeu i gjyqeve antikomuniste, veç atij të historisë së teatrit, por që mund të shërbejë edhe si teatër xhirimesh të kohëve të shkuara, duke parë se kujtesa historike e qytetit dita-ditës është duke u shkatërruar plotësisht. Kryeshejtani, shejtani i fiqve dhe gjithë soj e sorollopi i shejtankave e shejtanëve, nuk kanë synim të bëjnë mirë, por të bëjnë keq, sikundër është në traditën e tyre.

Synimi i këtyre të sotmëve është t’i bëjnë të gjithë si vetja, t’i përlyejnë, t’i përdhosin, t’i përdorin e më pas, kur nuk do t’u duhen më, t’i flakin. Rëndësi ka, që Kryeshejtanit të mos i hyjë gjemb në këmbë. Kryeshejtani do të vërë nën kontroll gjithçka: kulturën, artin, letërsinë, mediat, të bëjë propagandën e vet për të zgjatur sa më shumë pushtetin e për ta zhvatur këtë vend.

Në këtë kuadër edhe QKK duhet t’i nënshtrohet këtij qëllimi dhe alternativat janë ose të shkrihet, ose t’i shërbejë verbazi Kryeshejtanit. Me siguri në krye të QKK do të vendosë përsëri një tjetër shejtan a shejtankë vocërrake, pa u këshilluar fare me grupin e interesit, kineastët, që jo vetëm do t’i bindet verbërisht, por do të jetë shëmbëlltyrë e tij, do të përpiqet ta imitojë, sikundër bëjnë jo vetëm shejtanët e ministrive e të parlamentit, por edhe drejtuesit e institucioneve publike të të gjitha niveleve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura