Meta: Debate në PS për emrin e Veliajt, zgjedhja e vështirë

Apr 17, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi dje se kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, është figurë gjithëpërfshirës. Gjatë një interviste në emisionin e gazetarit Ylli Rakipi “Të paekspozuarit” ka theksuar se Veliaj ka ardhur pas një testimi midis kandidatëve rivalë në PS. 

Kreu i LSI, Ilir Meta

“Tani që kemi një kandidat konkret, mendoj se është një figurë gjithëpërfshirëse, duke pasur parasysh se është zhvilluar një testim; ka pasur debatet e tij në publik; ka pasur debatet brenda partisë së tij dhe njëkohësisht është një kandidat që vjen në politikë nga shoqëria civile. Përzgjedhja e kandidaturës për Tiranën ka qenë e vështirë, sepse ka pasur jo pak kandidatë. Pa dyshim një punë që është ndërtuar mirë nuk ka pse të dëmtohet, në rastin konkret te Ministria e Mirëqenies Sociale. Ju e thatë vetë që është një figurë që ka punuar dhe ndërtuar një ministri. Atëherë, pse të mos e kishte edhe këtë mundësi, ashtu sikurse këtë mundësi mund ta kishte zoti Klosi dhe shumë të tjerë”, tha Meta.

AKUZAT E DOSHIT
Kreu i Kuvendit u është përgjigjur edhe pyetjeve për akuzat e ngritura nga deputeti Tom Doshi, duke thënë se qëllimi i vetëm ishte si të destabilizohej vendi.

“Mund të mblidhen sot 10 veta, 20 veta bashkë dhe të përpiqen të dëmtojnë dikë politikisht. T’u premtojë dikush disa biznese, disa aksione, t’u premtojë disa gjëra, po, mund ta bëjnë këtë gjë. Kjo është çështje e tyre. Këtu kemi të bëjmë me një situatë dhe me një histori krejt të paqenë. Jo vetëm kaq, por edhe të ndryshuar e të falsifikuar hap pas hapi, me qëllime të caktuara politike. Cili është qëllimi? Destabilizimi i vendit ishte qëllimi kryesor dhe kuptohet premtimi i Berishës që do të kishim zgjedhje të parakohshme para 4-5 muajsh, ku me sa duket ai ishte vënë në dijeni që ekzistonte një skenar dhe një komplot i tillë. Dhe mënyra se si u soll opozita dhe si u përpoq ta administronte ajo këtë çështje, kur dihen shumë mirë raportet e saj se si kanë qenë me deputetin në fjalë para 21 janarit, më 21 janar dhe pas 21 janarit, të gjitha këto po tregojnë qartë se këtu ishte një qëllim, destabilizimi politik i vendit, i cili nuk ndodhi për arsye se kishim të bënim me një farsë, me një sajesë, por njëkohësisht sepse dhe opinioni publik u distancua, në radhë të parë edhe demokratët”, tha dje kreu i Kuvendit.

DEKRIMINALIZIMI
I pyetur lidhur me procesin e dekriminalizimit, Meta deklaroi se opozita po përpiqet të luajë politikisht. Nëse një deputet mban një qëndrim kundër opozitës dhe pro maxhorancës, ai cilësohej si koka e krimit. Kur ky deputet merr një pozicion tjetër, ai kthehet në denoncues të korrupsionit dhe etalon të pastrimit të figurës së deputetit. Pra, opozita kërkonte një justifikim. I qëndrojmë marrëveshjes që të ecim përpara me këtë proces, që të marrim ekspertizën e BE dhe Komisionit të Venecias. Ne jemi të hapur të vazhdojmë në këtë proces, por opozita duhet të ketë kujdes se humbet besueshmërinë e këtij procesi. Duhet të bashkëpunojmë që procesi të ecë përpara në mënyrë serioze”, ka deklaruar Meta

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura