Qeveria vendos 50 gardistë për ruajtjen e anëtarëve të vetingut, PD: Do t’i spiunojë

0
SHPËRNDAJE

Tri institucionet e vetingut kanë zhvilluar dje seancën dëgjimore për të paraqitur kërkesat e tyre për buxhetin e vitit 2018. Dje në Komision, titullarët e institucioneve të vetingut janë vënë në dijeni se qeveria ka miratuar një akt normativ në të cilin ka parashikuar një fond që tri institucionet të blejnë 30 makina, dhe të kenë në dispozicion 50 gardistë, të cilët do të bëjnë ruajtjen fizike të gjyqtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Komisionarëve Publikë, shkruan “Panorama”.

ligjet

Por vendimi i qeverisë ka ngjallur reagimin e opozitës, që e ka quajtur këtë si tentativë për të spiunuar punën e anëtarëve të institucioneve të vetingut. Sipas Eduard Halimit, titullarët e institucioneve të pavarura kërkuan që t’i emëronin ata personat që do të merreshin me ruajtjen e tyre fizike, dhe me këtë proces nuk duhet të përzihej qeveria.

“U vumë sot në dijeni se e keni zgjidhur çështjen e buxhetin me një akt normativ. Në çfarë standardi jeni bazuar ju që të gjithë komisionerëve të vetingut u keni vënë nga një gardist në kokë për t’i ruajtur dhe për t’i spiunuar ditë e natë?! Në çfarë standardi europian jeni bazuar ju?”, tha dje Eduard Halimi. Por për Bashkim Finon, qeveria ka bërë shumë mirë, sepse shërbimin e ruajtjes e ofron Garda.

Nga ana tjetër, kryetarja e Kolegjit të Apelimit, Natasha Mulaj, tha dje se shumë shpejt do të kërkojë nga Kuvendi që t’i shtohen këshilltarët ekonomikë, pasi ata do të bëjnë verifikimin e pasurive dhe pronave të gjyqtarë dhe prokurorëve. Gjatë mbledhjes së djeshme, asnjë nga kërkesat e anëtarëve të komisioneve të vetingut nuk është miratuar, por është marrë kohë për të diskutuar me Ministrinë e Financave për të rakorduar për kërkesat e tyre.

KOMISIONI I PAVARUR I KUALIFIKIMIT

Genta Bungo (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit): Zyrtarisht nuk ka ardhur ende buxheti për vitin 2017, për këtë një muaj e pak, nuk jemi në gjendje të kuptojmë nëse janë planifikuar uniformat. Do të doja që zëri i investimeve që është parashikuar në zero lekë, të jetë në atë shifër që ne e kemi kërkuar, sepse vërtet zyrat tona janë funksionale, por nevojiten laptopë për këshilltarët ekonomikë dhe ligjorë dhe për komisionerët, të cilët duhet të jenë të shkëputur për shkak të sigurisë nga linja e internetit.

Bashkim Fino: I vetmi problem ngelet koordinimi që duhet të bëjmë për problemin e investimeve që këta kërkojnë. Akti normativ i qeverisë ka dalë, ku janë vënë në dispozicion 30 automjete dhe 50 gradistë në funksion të tyre dhe kanë filluar nga puna, përveç buxhetit të shtetit që ne u japim.

Enkelejd Alibeaj: Pra, një muaji kërkuat 60 punonjës, morët 50. E njëjta gjë edhe me pagën, që pësoi ulje. Para ca kohësh qeveria përuroi godinën, po ju sapo thatë nuk kemi laptopë, nuk kemi kancelari, nuk kemi veshje. A keni nevojë për shtesë në njerëz, për të bërë punën? Ia keni kërkuar qeverisë dhe kur fillon vetingu?

Genta Bungo: Vetingu ka filluar dhe të 12 komisionerët janë në punë, po mbyllen procedurat e rekrutimit të stafit. Këta që kemi sot, na dalin. Askush nuk mund të parashikojë për një institucion të ri fluksin që do të jetë në janar. Unë nuk kam kërkuar tavolina dhe karrige, kam printerë, kam kompjuterë, por për shkak të sekretit shtetëror, jo çdo dokument mund të punohet në kompjuter që është i pajisur me internet. Për këtë arsye ne duhet të jemi të pajisur me laptopë.

Eduard Halimi: Unë kam pyetje për Ministrinë e Financave. Kam pyetje 1 milion dollarëshe, që me kursin e sotëm është 860 mijë euro, aq sa iu gjetën atij djalit…

Ulësi Manja: Me çfarë kursi?

Eduard Halimi: U vumë sot në dijeni se e keni zgjidhur çështjen e buxhetit me një akt normativ. Në çfarë standardi jeni bazuar ju që të gjithë komisionerëve të vetingut u keni vënë nga një gardist në kokë për t’i ruajtur dhe për t’i spiunuar ditë e natë?! Në çfarë standardi europian jeni bazuar ju?

Bashkim Fino: Ç’lidhje ka kjo?

Eduard Halimi: Ata kërkuan që t’i emëronin vetë personat që do t’i ruanin. Tani qeveria tha nuk do t’i zgjidhni ju, do t’jua zgjedhim ne. Do t’jua japim ne ata 12 persona.

Bashkim Fino: Po shumë mirë e ka… ka Gardë këtu.

Eduard Halimi: O Bashkim, ça ke o burrë? Pse nuk e dëgjove Ulësin që të tha ta marrësh me qetësi. Në çfarë standardi europian është bazuar qeveria që buxhetin për institucionet e pavarura ta ketë me kushte që, sa herë të kenë nevojë ata, të trokasin në derën e qeverisë? Ka ndonjë vend tjetër që njerëzit e drejtësisë duhet të jenë në mbikëqyrjen e Ministrisë së Brendshme, se Garda është e Ministrisë së Brendshme dhe për fondet, sa herë të duan ata, jo t’u miratohet kërkesat dhe që të kenë pavarësi, por duhet të trokasin te Ministria e Financave apo te Kryeministri. Ka ndonjë standard që e keni bërë me akt normativ këtë gjë, se po ta sillnit këtu, nuk do ta pranonim këtë gjë. Ku jeni bazuar ju? Mimoza Dhëmbi: Në aktin normativ është parashikuar edhe një fond brenda buxhetit të Ministrisë së Brendshme për të shtuar 50 persona brenda Gardës, për të siguruar personelin dhe komisionerët pasi kanë status special, dhe të blihen 30 automjete me 75 milionë lekë. Është mbyllur blerja e automjeteve dhe siguria e tyre.

KOLEGJI I POSAÇËM I APELIMIT

Enkelejd Alibeaj: Premtimi i përfaqësuesve të maxhorancës në këtë Komision ishte; në tetor apo nëntor ne do t’ua plotë- sojmë kërkesat. Unë shoh këtë gjë, ju shtesë në burime njerë- zore keni zero, jeni përsëri me të njëjtin numër të përgjysmuar të burimeve njerëzore. Fjalë për rritje të pagës, përsëri zero, edhe investimi është po zero. Me këto tri zero, ju e ushtroni dot detyrën apo jo? Kjo është çështja e parë dhe kardinale që ju duhet të përballeni që dje dhe sot, dhe nesër…

Natasha Mulaj: Këtu jemi para një strukture të miratuar dhe një organigramë që është miratuar pak ditë më parë. Po ne, në këto kushte, do fillojmë veprimtarinë tonë. Për momentin, janë ambientet që do futemi, të shfrytëzojmë buxhetin që është miratuar për zyrat. Me thënë të drejtën, kur u miratua struktura dhe morëm pagat, ato që u miratuan, njëherë ramë në heshtje… Por të fillojmë njëherë punë, po patëm nevojë këtu, do vijmë të bëjmë kërkesë për shtim stafi.

Enkelejd Alibeaj: Me çfarë kuptoj, keni rënë dakord që ju po të doni një arkiviste apo një financiere, do vini në Parlament. Ju jeni shtesë e qeverisë dhe këtij Kuvendi? Si e konceptoni ju dhe keni rënë dakord me këtë lloj pavarësie me politikën? Që do të thotë, sa herë keni nevojë, do ju hedhin ndonjë kockë. Ky është koncepti i pavarësisë së organeve të vetingut…

Natasha Mulaj: Duam që buxheti të jetë i shfrytëzueshëm. Jemi pa ambiente, unë nuk mund të rekrutoj staf. Është faza e parë e rekrutimit të këshilltarëve dhe janë 330 kandidatë që kanë kandiduar për 10 vende për këshilltar juridik dhe ligjor. Jemi para një fluksi të panjohur. Unë e kam kurajën dhe do vij këtu që të kërkoj shtesë në strukturë. Me të vërtetë kam kërkuar një strukturë me 68 persona dhe është miratuar me 37. Në moment që unë do kem nevojë, edhe drejtuesit e institucioneve, edhe me anëtarët e kolegjit, e kemi lënë që në momentin e parë që do bllokohet puna për ekspertë ekonomikë, sepse ne vlerësim ekonomik do bëjmë, vlerësim pronash, transfertash bankare, kemi natyrë që do vlerësojmë në këtë fushë. Mendoj që do kemi nevojë për ekspertë ekonomikë. Nuk është e thënë që do presim vitin. Do paraqitemi këtu, ne do vijmë këtu, në moment që do kemi të domosdoshëm rekrutimin.

Bashkim Fino: Po duam të bëjmë politike dhe të bëjmë show, të ikin anëtarët e vetingut, të mos i ngatërrojmë kot. Ka një vendim të Parlamentit për miratimin e organikës, e mirë e keqe, ajo është e votuar. T’i lemë që të rakordojnë me Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Financave dhe të vijnë pas disa ditësh me një relacion me kërkesat.

FATION BINJAKU/PANORAMA

Te lidhura

 

Artikulli paraprakVIDEO/ 'Hajduti i bën kërdinë, policia e liron brenda ditës'
Artikulli tjetërRama tregon me video: Ja çfarë ndodh nëse denonconi në portalin e bashkëqeverisjes

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU